Analiza/ Shpëtim Nazarko: Mitrushi i madh i Shqipërisë, Rama dhe Kurti

Jul 31, 2021 | 22:08
SHPËRNDAJE

shpetimnazarko-edirama-albinkurti

Nga Shpëtim Nazarko/ Mitrushin e kalbën në burg. Poet e shkrimtar, nga më të mëdhenjtë e kohës së tij e sa të jetë vendi, ishte dhe ekonomist i klasit të parë. Kishte drejtuar Bankë Kombëtare, këtu e në Rumani. E spiunuan tek Enveri, thonë. Nuk ka rëndësi kush, më tregoi Dritëroi dikur, paçka se e dinë të gjithë.

Po të heqim doganat dhe të barazojmë lekun me dinarin, kishte thënë Mitrushi, atëherë, Jugosllavia s’ka nevojë të na pushtojë ushtarakisht. Jemi të vetëpushtuar. Leku ynë është më i fortë se dinari, veç të tjerash dhe do na marrin mall e gjë pa para, çka u duk shpejt, pas paralajmërimit të tij, kur tërë pasuritë e Shqipërisë, mbushën pa para, tregun jugosllav…

Kjo histori të kujtohet vetvetiu, kur sheh takimin e Ramës, me Vuçiçin dhe Zaevin. E ndoshta edhe Kurtit, që është orator i klasit të parë dhe shembujt, zakonisht i merr nga fushë e historisë. Bashkë me të u bashkuan dhe një pjesë analistësh, këtej e matanë kufirit, deri në diasporën e largët.

Po a është tamam kështu dhe a jemi në rastin që përshkruan Mitrushi?

Në thelb, po të flitej për këtë lloj pushtimi, së pari Shqipëria dhe Kosova, duhet të quheshin të pushtuar prej kohësh nga Serbia e sotme. Rruga e Kombit duket se u shërbeu në pikëpamje tregtare më shumë serbëve sesa kosovarëve. Mallrat e tyre vërshuan në supermaketet tona pas atyre të Kosovës. Çfarë është e drejta, e ka të mbushur tregun ca më shumë se ne me mallra të tilla. Thuhet se importi me Serbinë i Kosovës është rreth 400 milionë në vit. Mbase më pak, mbase më shumë.

Dihet fati i Haradinajt që deshi për këtë shkak a arsye të tjera, t’i jepte fund kësaj historie. Ai humbi, po mbetet kurioziteti i madh se çfarë strategjie ka Kurti vetë për të penguar këtë “rrjedhje serbe”.  Për atë që do të fliste keq për të, duhet të thoshe se kujton “halën në sy” të tjetrit, domethënë të Ramës, duke harruar “trarin” e tij.

Apo ngaqë nuk ka fuqi apo plan ta pengojë na paralajmëron edhe ne matanë kufirit se mund ta pësojmë si Kosova?

Të marrësh mësime nga Enveri, a pasuesit enveristë këtej e matanë kufirit në këtë pikë, nuk ka ndonjë vlerë. Edhe pasi e nxorri nga burgu Mitrushin dhe filloi të nëmte Jugosllavinë e Titos, Enveri shumicën e tregtisë me të e bëri gjatë gjithë kohës. Kush nuk e beson le të hapë letrat.

Sa vlen realisht patriotizmi fals? Kur kohë më parë në një televizion të Mitrovicës, moderatori po më fliste për rrezikun serb i thashë thjesht:

“Kosova që ka NATO-n këmbëkryq këtu, është vendi më i mbrojtur i botës, por po të pyes dicka: Sa është buxheti i Mitrovicës sot në krahasim me të para luftës?”

Kur ai mu përgjigj se ishte pesëfish më pak, i thashë se nga Mitrovica duhej t’ia mbathnin jo vetëm serbët po dhe shqiptarët. Përpiquni të bëni ndonjë zonë të lirë dhe do të shihni se ka për të pasur më pak konflikte.

Miku im i vjetër hebreu Rafaelo Fellah, ndoshta i vetmi hebre në botë këshilltar i Arafatit palestinez, ndërtonte në Gaza e luftonte papushim për krijimin e një zone të lirë. Dhe palestinezë e izraelitë janë ende me thikë në gojë ndaj njëri-tjetrit ngaqë veç të tjerash, e dëgjuan pak hebreun e vjetër.

Po ka dhe më afër se rasti i përmendur. Në kohën e luftës me Bosnjën, kam parë vetë Karaxhicin kur në përgjigje ndaj gazetarit që e pyeste se ç’do të bënin për ushqime atë vit, iu përgjigj pa iu dridhur qerpiku.

“Po ja, do bëjmë tregti me bosnjakët. Ne do tu japim armë dhe ata grurë…”

Natyrisht që Shqipëria dhe Kosova, duan kohë të shpëtojnë nga patriotizmi fals.

Ndoshta është më mirë se tu mburren militantëve të tyre në podiume, politikanët e dy vendeve duhet t’iu drejtohen Mitrushëve të tyre, që në fakt nuk janë shumë për të mos thënë kanë humbur  fare sot dhe t’i pyesin si i bëhet në këto situata.

Ndryshe Mitrushi i madh i Shqipërisë dhe sivëllai tij Xhaferri, do të lëvizin përmbys mbi varr dhe do thonë:

Lëreni atë patriotizmin fallso dhe drejtohuni atyre që kanë lapsa e penë nëpër duar. Ndryshe do të jeni të pushtuar pa e ditur fare se jeni të pushtuar, megjithëse i mallkoni nga mëngjesi në darkë pushtuesit tuaj.

Apo ndryshe do t’i ngjani Enverit, që tërë ditën broçkulliste kundër Jugosllavisë duke mallëngjyer militantët torollakë dhe tërë natën bënte tregti me të.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura