Shanset e Shqipërisë në krizë

| 14:39
SHPËRNDAJE

ermal-hasimja

Nga ERMAL HASIMJA

Krizat janë shkatërruese, po aq sa dhe krijuese dhe përmirësuese. Shqipëria duhet të dijë të përfitojë nga mundësitë që do të krijojë situata aktuale.

Dy rreziqet më të mëdha janë pasiviteti dhe marrja e rolit asistencialist të qeverisë, qëndrime që rrezikojnë ta përjetësojnë deri në rrënim situatën e rënduar ekonomike. Le të shohim 2 raste të rëndësishme për të parë shembuj mundësish ekonomike:

Turizmi. Financat e shtresës së mesme europiane do të goditen nga pasojat ekonomike të pandemisë. Por pushimet mund të mos hiqen krejtësisht nga lista e shpenzimeve. Për një pjesë të familjeve europiane zvogëlimi i të ardhurave mund të bëjë që të zëvendësohen destinacionet e parashikuara përpara krizës me destinacione të reja më të lira. Pikërisht tek kostoja Shqipëria ka një përparësi të madhe që mund të jetë një element vendimtar tërheqës. Familje europiane që më përpara mund të kishin për destinacion turizmin cilësor të Francës, Spanjës apo Kroacisë, tashmë mund të hedhin sytë nga ne. Nga ana tjetër, një lëvizje e tillë mund të ndodhë edhe brenda vendit megjithëse me një amplitudë më të ulët. Çmimet shqiptare mund të tingëllojnë të arsyeshme për një familje mesatare franceze apo gjermane, por jo për një familje mesatare shqiptare që me shumë gjasa do të detyrohet t’i harrojë pushimet këtë verë.

Vështirësia kryesore e sektorit të turizmit këtë vit mund të jetë pamundësia për të ndërtuar biznesplane zhvillimore realiste në kushtet e të mosditurit se kur do të mbarojë kriza pandemike si dhe të pamundësisë për të parashikuar vendimmarrjen e klientëve të mundshëm. Rrjedhimisht sektori i turizmit këtë vit do të funksionojë me improvizime. Një nga avantazhet është se kërkesa për punë mund të rritet nisur nga vështirësitë e punësimit të sektorëve të tjerë.

Industria e lehtë dhe sidomos fasonët mund të përfitojnë ndoshta gjithashtu nga situata, pavarësisht se në këtë moment gjithçka duket e errët. Pandemia dhe bllokimi ekonomik që ajo ka shkaktuar kanë nxjerr në pak varësinë e Europës nga Kina dhe vende të tjera aziatike. Politikëbërësit europianë kanë relativisht pak aftësi ndikuese mbi politikat ekonomike të këtyre vendeve gjë që sjell një ndjesi të përhershme varësie të paparashikueshme ekonomike në zinxhirët e prodhimit. Le të kujtojmë, sa për të dhënë një shembull dramatik, se shumica dërrmuese e përbërësve të industrive farmaceutike të Francës e Gjermanisë importohen nga Kina.

Në debatet politike europiane flitet gjithnjë e më shumë për “pavarësimin” e industrive kyç europiane dhe sidomos atyre farmaceutike nga prodhuesit kinezë. Nga ana tjetër për shkak të ngurtësisë së tregut të punës, mbimbrojtjes së punëmarrësve dhe sistemeve fiskale vendet e Bashkimit Europian e kanë të vështirë të bindin prodhuesit vendorë të këtyre sektorëve që investojnë në vendet përkatëse. Mbetet një zgjidhje e mesme: investuesit mund të kenë më tepër interes për ta zhvendosur prodhimin në këta sektorë nga Kina e për ta sjellë më afër Europës. Rajoni i Ballkanit është një zonë e përshtatshme për këtë. Por brenda rajonit Shqipëria ka ende barrën më të lartë tatimore, krah pune të pakualifikuar dhe nivel të lartë korrupsioni: 3 faktorë që na lenë pas konkurrentëve fqinjë. Është momenti kritik që qeveria të rimendojë konkurrueshmërinë e vendit në raport me fqinjët. Ne nuk mund të përmirësojmë brenda 2 muajsh kualifikimin e krahut të punës, por mund të punojmë me inkurajimin e investimeve nga ana fiskale. Kësaj herë nuk bëhet fjalë për thjesht rritje ekonomike, por mbi të gjitha për të garantuar mbijetesën. Niveli i korrupsionit është vështirësisht i luftueshëm përmes ashpërsimit të ligjeve dhe institucioneve të reja. Gjatë viteve të shkuara janë shtuar edhe ligjet edhe institucionet, por korrpusioni është rritur sepse siç tregon praktika botërore nëse nuk dëshiron ta luftosh korrupsionin mjafton të bësh një ligj dhe një institucion të ri. Mjeti më efikas që qeveria mund të përdorë në luftimin e korrupsionit është zvogëlimi i mundësisë së shtetit për të penguar investimet. Pra liberalizim i tregut, më pak licensa, më pak burokraci e red tape, më pak institucione rregulluese. E kotë të lodhesh për të treguar se çfarë mrekullish kanë bërë politika të tilla në vende të ndryshme, por qeveria mund të shohë rastet e superzhvillimit të vendeve si Korea e Jugut, Hong Kongu, Singapori e Tajvani.

Qeveria nuk do të mund të përballojë presionin ekonomik popullor për “solidaritet” ekonomik e asistencë. Nëse do të përpiqet atëherë do të dështojë dhe kësaj radhe dështimi do të shfaqet në rrugë shumë më fuqishëm se çdo manifestim partiak. Por qeveria ka mundësinë për ta zgjidhur problemin në mënyrën më të mirë të mundshme duke krijuar klimë konkurruese për prodhuesit e investitorët që sot i tremben Kinës dhe kanë hedhur sytë në horizonte të tjera. Në vend që të synojë të mbajë me asistencë e paga lufte e pasluftë të paktën 1 milionë shqiptarë, qeveria duhet të synojë t’u sjellë punësim përmes nxitjes së sektorit privat.

Këto janë vetëm dy nga mundësitë që ofron situata aktuale ekonomike. Situata të tilla janë amplifikuese: përforcojnë vendet që duan të përshtaten me ndryshimin dhe dobësojnë ato vende që presin që gjërat të jenë po njësoj si më përpara.

Në vend që të shohë rolin e saj tek mbijetesa, qeveria dhe shoqëria duhet të vrapojnë për të parë mundësitë e reja të zhvillimit të ofron situata.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

1 KOMENT

Comments are closed.