ANALIZA SATIRIKE/ “Mejtime e gëzime nga Kongresi i Rilindjes, parada e ministrave nga Gentiani te Etilda. Pse shoku Sandër këtë herë ishte më i kursyer”

| 15:50
SHPËRNDAJE

Kongresi i PS-Mejtime-Gjekmarkaj

NGA AGRON GJEKMARKAJ

Ndonëse ditët po fshihen pas njëra tjetrës jehu i kongresit të Rilindjes rri mbi opinionin publik si yll i pashuar !  Ne mëtime të mëdha na shtiu e me gëzim qerasi gjithë njerëzinë ajo zyrna politike!  Me qetë dhe kuajt e pushtetit  lidhen kohen  shqiptare pas qerres për tu kthyer në vitin 1974 ! Lideri dhe Liderushja zaptuan hapësirën dhe vëmendjen ! Dita e parë që e gjitha për gratë të cilat u magjepsen nga fjalimet e ngrohta të Edit dhe Lindës duke u ndjere krejt si pjesë e familjes ! Pushteti në Shqipëri është çështje familjare!

Në Gurëz një fshat i Kurbinit kur fshatrave u tufëzuan lopët njëri u ngrit në një mbledhje popullore e tha, “tani që na tufëzuat lopët mos do na tufëzoni edhe gratë” e dënuan nja 10 vjet të mira gojëprishurin ! Po ç‘dreqin na duhet ky krahasim që nuk rri aspak !

Kur nusja e Kryetarit hyri në skenë e foli e foli e foli, e tha e tha, një ofshamë e madhe lumturie shndërrohej në buçimë rrezik me e shkunde binanë e Pallatit të Kongreseve ! Tanimë familja , partia, kongresi dhe pushteti janë një me të bashkuara se kurrë sa çdo sy i keq pëlcet pa i bërë gjë! Pastaj Ati  u llafos siç di ai kur e rrethojnë hanëmet, krejt si bandill e jaran me xhanin plot vesë ! Me ojna e lezet, me qyfyre e bereqet, me llaftari e dashuri, hukama e piskama aqësa shume burrave të Rilindjes u vinte e ëmbël dëshira të kaloni  ylberin e të bëheshin gra socialiste për t’ju ikur mërive !

Kjo qe dita e parë e vetë, mezeja e atij takimi mbushur me çudi e shpresë! E dyta, ditë, pati mjaft momente kulmore! Vetëkuptohet që ligjerata e Ramës ishte çatia me tjegulla, rruga dhe e vërteta, historia dhe e ardhmja, mjeti e qëllimi, etika dhe morali, qortimi dhe mësimi ! E tha qartë me mua i vogli shtrin viganin , i pamunduri arrin të mundurën, i sëmuri shërohet , sakati behet atlet, pastaj këmbët e lehta dhe faqja e bardhë  !

Mullar i renditi sukseset , copash i bëri kundërshtaret, por kritikoi edhe të tijët! Hija e vdekjes ra në sallë kur u tha që ca nga  ju si kanë punët mire dhe do ta hanē! Fytyra e tyre u bë tel dhe teli therte mijëra shpirtra që lyheshin me dhimbje! Pastaj thirri në plate djaloshin rilindas, sigurimsin Qerim, 100 vjeçar i cili tek ngjitej e çapitej me hap sportisti mërmëriste “lavdi djalit tënë dhe partisë tënë” ! E puthi në ballë , e bekoi dhe i dha urdhër sallës të ngrihej e ta nderonte, ta duartrokiste e adhuronte! Ashtu u bë! Qerimi mendoi, as Enveri nuk kishte të tillë kurajo! Pastaj siç pritej fjalën e morën apostujt , ministrat e tij ! Ministrushi i vogëlith Gentian Cakaj ishte i qartë e elekuent qoftë kur i ngrinte qoftë kur i ulte sytë e skuqur po kaq i thahej e njomej gjuha ! Ai përvijohej mistik teksa thontë “nga Kryeministri Edi Rama, e Kryeministrit Edi Rama, për Kryeministrin Edi Rama, prej Kryeministrit Edi Rama”!

Qe i paimitueshem dhe arriti pikun në elekuencë, dinjitet e dije! Pastaj ministrushja Elise ! Në mëngjes kishte lexuar tre herë para pasqyrës fjalimin, kishte tundur kishtin e kokën, ngritur tonalitetin e zërit , pastaj kishte vënë kasetën dhe parë Lajen tek Kullë e Barit, mjaftueshëm u murretyre në fytyrën ezmere për ta çuar kumtin anembanë vatanit mbushur me derte! Por kësaj here nuk e arriti dot Gentianin megjithëse mjaltë derdhi nga goja e qypit për liderin dhe zift te valuar për armiqtë e tij ! Hygerta e mjekësisë me rrëshqiti pa e dëgjuar po me gjase pos sukseseve ka folur për masat për te bere zap atë horr koronavirus ndaj te cilit ne Durrës sipër Velierës Dako vigjelon, në kufijtë jugor roje bën Alket Hyseni, ndërsa në Rinas me pushke model 56 vete Pipero!
Ahmetaj  si Ametaj gjithmonë qerrata, sojli e gaztor,  tashme ai i di mirë punët e Dovletit. Etilda (Nepi) kësaj here pa fustanin me pika, desh qau nga tranimet e idhnimet që i kanë bërë armiqtë e Reformës në Drejtësi me Presidentin në Krye por e mbajti veten !

Me mbështetjen e Liderit ajo tha se edhe njëqind herë të tjera po të vihej në provë po kaq herë do i këpuste vargonjtë e tundimit për tu kthyer  pas! Sukseset e saj ja dedikoi te gjitha atij ! Të gjithë e kanë të qartë se çdo ishin pa atë !!! Shoku Sandër i la të gjithë me gisht në gojë kur pritej të konkurronte Gentianin , Elisen dhe Besën në admirim për liderin befas u shfaq më i kursyer! Ku i dihet ndokush i ka treguar me mirë vonë se kurrë se mirditoret edhe ku bënin mercenarin me pagëtyrë motit ruanin krenarinë! Shoku Erjon Braçe mungoi i hatërmbetur dhe çuditërisht askush nuk u mërzit në atë sallë! Shoku Klosi pasi tha qe kurrë s’do të pijë me kafe me Fahron renditi dhe bëri mur sekset e mëdha në turizëm !

Shoku Ditmir kishte bërë kërkese për fjalim-autokritike po nuk ja pranuan gjithsesi ne krah të Lal Erit shfaqej i perdëllyer dhe i gëzuar e herë pas here pllaquriste duart plot zulmë e vetmohim! Thonë që autokritiken e tij e kishte lexuar veç Blerina Gjylameti së cilës dy lot si smerald kishin marre rrugën e zemrës dhe ishin rrokullisur mollezave me uturimë e zali!! Kur pa efektin tek Blerina nuk i beri zemra t’ja lexonte Sadriut, Ulsiut , Anila Felajt dhe Klodiana Ferhatit! Shoqja Kumbaro u pikas si e mërzitur në një qosh! Eh ! Mbase i vërtitej në çetele të kujtimit vakti kur i llamburisnin sytë nga fjalimet e zjarrta ne kongreset që vanë! Eh ç’kohëra! Shikimi i liderit nuk ra mbi te dhe ajo berr sa ftohte ndjeu dhe u ngrys !! Dita e tretë  ishte nur paradizi siç thoshte Koçi tek Zonja nga qyteti! I nxorri delegatet te merrnin fryme në ajër të pastër ndanë Presidencës ogurzezë ! Aty dha porositë e fundit, maksimat dhe postulatet ku i cimbisi të gjithë me kamxhikun e tij retorik drejt fitorjeve te reja! Na gëzoi shume ai kongres, Lideri dhe nocionet e tij plot pjalm e shend, inteligjenca e diskurseve, dinjiteti individual, rebelimi intelektual, fitoret qe vendi ka korrur si bar arave të progresit stine pas stine e te tjera qe do të korre nën Rilindjen ! Qe Kongresi i Motit të Madh ! Na zhyti në mëtime e gezim i uruari na zhyti….!

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.