ANALIZA/ Rexhinaldo-Shkurtaj dy bomberët e Superiores, Cungu në stres prej… “luksit”

Jan 7, 2019 | 19:39
SHPËRNDAJE

Kukësi afroi në merkaton e janarit Eduart Rrocën e sulmuesin shtatlartë nga Luftëtari, Vasil Shkurtajn. Afrimi i një sulmuesi ishte urgjencë për verilindorët, duke parë që alternativë e vetme ishte Arturo Rexhinaldo. Me largimin e Harbës një muaj më parë, trajneri Cungu mbeti zyrtarisht vetëm me Rexhinaldon si i vetëm në repartin ofensiv, por edhe në momentin që ishte fizikisht prezent Harba, ai nuk preferohej nga trajneri shkodran, ku në 18 javë kampionat, luajti vetëm 2 ndeshje si titullar dhe 2 si zëvendësues.

rexhinaldo

Pra, 29-vjeçari mozambikas ka mbajtur peshën e sulmit i vetëm, duke shënuar 7 gola në 18 takime. Rexhinaldo nuk është një sulmues i mirëfilltë qendre, por duke qenë i vetëm dhe duke u përballur dhe me “tekat” e tij, drejtuesve të klubit iu lindi nevoja për të pasur në skuadër një sulmues të mirëfilltë qendre. Presidenti Gjici udhëhoqi operacionin dhe për 50 mijë euro afroi Vasil Shkurtajn, futbollistin kryesor të Luftëtarit e një nga lojtarët më potentë e të kërkuar në Superiore. Shkurtaj ka shënuar po aq gola sa Rexhinaldo në gjysmën e parë të sezonit, 7 gola në 18 ndeshje.

shkurtaj22

KONKURRENCA, HALL I TRAJNERIT

Mbas shumë përpjekjesh, drejtuesit arritën të bindnin Shkurtajn dhe pse kishin blerë kartonin e tij nga Gjirokastra. Por, çështja është si do menaxhohen dy sulmues, ku asnjëri nuk e pranon stolin? Trajneri Cungu është në dilemë dhe në “hall” të madh për mënyrën sesi do luajë. Tekniku shkodran ndërroi modulin e lojës në 5 javët e fundit, nga 4-4-2, kaloi në 3-4-3, ku me skemën e fundit aktivizonte dy mesfushorë, Çyrbjen dhe Et’hemin të përshtatur si sulmues krahu e me Rexhinaldon pykë.

Për hir të së vërtetës, kjo solli plot 13 pikë nga 15 të mundshmet në 5 javët e fundit. Verilindorët bindën me lojë dhe rezultat me këtë modul, e për trajnerin do jetë paksa e vështirë ta ndërrojë. Por duke pasur dy sulmues, të cilët kërkojnë formacionin, trajneri, i detyruar nga “mbipopullimi”, mund të luajë ndryshe. Ishte Rexhinaldo ai që paralajmëroi nëpërmjet adresës së tij në “Instagram” se pranon të ulet në stol vetëm në shtëpinë e tij… Një “kërcënim” i hapur për stafin teknik. Nëse Rrocës drejtuesit ia bënë vendin direkt në formacion, duke larguar Donjet Shkodrën, të cilit i kishte skaduar kontrata, për Shkurtajn do jetë pak e vështirë. Kështu që hera-herës të pasurit dy sulmues kalibri kthehet në “hall” për trajnerët.

S. SULOZEQI

PANORAMA SPORT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura