Rama në Berlin, për tërmetin apo për Mini- Shengenin?

Jan 27, 2020 | 16:00
SHPËRNDAJE

GENC BURIMI/ genc-burimi-2

Mund të duket një rastësi, por në fakt s’është. Ditën kur Edi Rama ndodhet sot në Berlin, në takim me Merkelin, me një axhendë zyrtare për diskutimin e donacioneve që do të japë BE-ja dhe Gjermania pas tërmetit në Shqipëri, Berlini zyrtar ka një axhendë tjetër për Ballkanin, edhe më të fuqishme. Dialogun Kosovë-Serbi. Është e vështirë ta besosh që Kryeministri i Shqipërisë nuk ka lidhje me këtë axhendë paralele të Gjermanisë, prapa së cilës qëndrojnë SHBA-të. Po pse Rama të mos e pranojë publikisht që po shkon në Berlin jo vetëm për Shqipërinë, por më shumë edhe për Kosovën?

Kaq i traumatizuar është ai nga polemika gjyqësore me Haradinajn, që e ka kritikuar kreun e ekzekutivit në Shqipëri se po i fut si shumë hundët në punët e brendshme të Kosovës dhe në përcaktimin e së ardhmes së Kosovës? Sido që të jetë, mbledhja e sotme e Berlinit për Kosovën është e natyrës të çojë ujë në mullirin e përqasjes së Ramës, si megafon i përqasjes së Uashingtonit, se e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi duhet të kalojë nëpërmjet Mini-Shengenit Ballkanik. Në këtë shkrim, do të analizojmë fillimisht raportin jashtëzakonisht servil të Ramës me administratën amerikane, si garanci për të mbijetuar politikisht në Shqipëri. Dhe në këtë vorbull, do të analizojmë më pas linjën politike të Trump-it ndaj Kosovës, që është pa surpriza, ajo e Edi Ramës, që ndoshta është ftuar (apo thirrur) sot në Berlin më shumë nga ambasadori Riçard Grenell, sesa nga Kancelaria Merkel.

FAKTORI AMERIKAN, SI OMBRELLË E MEGALOMANISË SË EDI RAMËS

Një gjë ka kuptuar Edi Rama shumë shpejt, si shumë pushtetarë, në vende me demokraci të brishta apo gjysmake. Për të pasur jetëgjatësi në pushtet, ka një metodë edhe më të sigurt se vota popullore: leqepeqe me amerikanët. Dhe kjo pa asnjë hezitim, pa më të voglin reflektim, thjesht pa diskutim. Kryeministri i Shqipërisë e filloi kështu që në krye të mandatit të tij të parë me projektin amerikan të groposjes apo asgjësimit të armëve kimike siriane në territorin e Shqipërisë, e vazhdoi me kërkesën tjetër të amerikanëve për shtimin e pranisë së refugjatëve muxhahedinë iranianë në Shqipëri, e deri te përputhja hermetike me pozicionet amerikane në trajtimin e dosjes së Kosovës, sesi mund të arrihet “paqja” e përhershme me Serbinë. Në të gjitha këto raste, Rama krijon shumë të pakënaqur, si brenda dhe jashtë në Kosovë. Ideja këtu nuk është të analizojmë nëse e ka mirë apo keq Edi Rama që vepron kështu. Ideja është të konstatojmë sesi vepron ai dhe sesi veprimet e tij, si të çdo politikani oportunist, nuk udhëhiqen nga mendime autonome, nga bindje, nga opinione, por nga interesi i ngushtë personal i mbajtjes sa më gjatë në pushtet.

Dhe kur të buzëqesh fati, pasi fuqia botërore ndaj së cilës vihesh totalisht në shërbim, është totalisht po ashtu aleat i vendit tënd, me këtë argument prej betoni, Edi Rama mund të abuzojë për të thyer çdo rezistencë opozitare. Ai mund t’i trajtojë si liliputë e të marrë edhe politikanët kundërshtarë vendas, kur këta e akuzojnë si autokrat, por të cilëve ai ua mbyll “sqepin” me një “pyesni amerikanët që m’i njohën të gjitha zgjedhjet”, ashtu si ç’mund të sillet edhe me liderët në Kosovë, kur këta e akuzojnë si tradhtar që shet interesat e Kosovës dhe të cilëve ua kthen me cinizëm “po vëllau amerikan qe ju çliroi, tradhtar është, kur aprovoi edhe idenë e shkëmbimit të territoreve dhe atë të Mini-Shengenit Ballkanik”?

Ka ardhur momenti që Rama të ketë kurajën të pranojë publikisht se vetë nuk ka ndonjë bindje, të paktën në dosjen e Kosovës, nuk prodhon asnjë ide, por bëhet avokat somnambul i tezave të aleatit të fuqishëm, i cili kur ndërron strategji, e nxjerr blof Kryeministrin e Shqipërisë. Këtë do ta analizojmë tani.

NGA SHKËMBIMI I TERRITOREVE, TE MINI-SHENGENI

Duhet besuar pra, se Edi Rama nuk bën asgjë me kokë të tij. Bën çfarë i thotë dajë Sami. Me shpresën se si kompensim, Amerika do t’i mundësojë një mandat të tretë, ashtu siç i “dhuroi” të dytin, edhe kur shërbimet diplomatike e ato të inteligjencës, jo vetëm amerikane, por të mbarë vendeve që na mbikëqyrin, e kishin të qartë se në Shqipëri votoi më shumë droga se popullata.

Në këtë mënyrë, duhet analizuar edhe përkrahja totale nga Rama e projektit dje, të shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, apo ai i Mini-Shengenit Ballkanik sot, që duhet të përfshijë Kosovën me Serbinë.

Për një analizë më të saktë të këtyre dy projekteve, nevojitet një vënie në kontekst e politikës së jashtme amerikane, që prej ardhjes së Donald Trump në pushtet. Me gjithë sukseset e pamohueshme ekonomike në planin e politikave të brendshme, Presidenti amerikan nuk ka regjistruar asnjë “fitore” diplomatike domethënëse në fushën e politikës së jashtme. Trump u mburr fillimisht se do t’ia hiqte kapacitetet bërthamore Koresë së Veriut, por dështoi. Ndërmori aventurën e prishjes së marrëveshjes bërthamore që Obama dhe Perëndimi kishin arritur me Iranin, duke e rritur tensionin me këtë vend si kurrë ndonjëherë, braktisi aleatët kurdë në Siri, duke krijuar tensione me europianët që donin t’i mbronin, por dhe me turqit që donin t’i asgjësonin. Në Siri, Bashar el Assad, falë rusëve, triumfoi dhe Trump nuk arriti të ketë më shumë sukses se Obama. Po ashtu, në konfliktin izraelo-palestinez, Trump ka shkaktuar një ndërlikim të tillë me njohën e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe me miratimin e shtrirjes së kolonive izraelite, saqë nuk është e habitshme që edhe autoriteti palestinez të orientohet për ndihmë nga Moska.

Në këtë kuadër, para zgjedhjeve Trump-it i nevojiten domosdoshmërisht disa suksese në shuarjen e vatrave të tensioneve në botë. Me sa duket, dy vatra të tilla që lëngojnë prej kohësh janë “seleksionuar” për një zgjidhje të shpejtë nga amerikanët. Një projekt i madh i paqes në Lindjen e Mesme, që do të shpallet të mërkurën në Uashington nga vetë Trump, por që palestinezët kanë bërë të ditur se do ta refuzojnë.

Dhe projekti i dytë është shuarja e vatrës më të tensionuar në kontinentin europian, me pasoja për të ardhmen, që vazhdon të mbetet “konflikti” ende i pazgjidhur Kosovë-Serbi. Në të dyja rastet, amerikanët pas një kohë kaq shumë të gjatë të humbur, duan të veprojnë shpejt dhe pa shumë andralla. Që do të thotë të imponojnë planin e tyre, pavarësisht nëse njëra palë apo tjetra, humbet apo fiton më shumë se tjetra. E rëndësishme është që në fund, të dilet me një fotografi shtrëngimi duarsh, Thaçi-Vuçiç, apo Abaz me Kryeministrin e ardhshëm izraelit, për të treguar se Trump arriti atë që asnjë President tjetër nuk e arriti para tij.

Në rastin e Kosovës me Serbinë, dy vende aq të vogla dhe aq larg, jo vetëm për njohuritë e kufizuara gjeografike të Trump, por dhe të shumë amerikanëve, alternativa e shkëmbimit të kufijve kishte avantazhin të ishte më e lehta dhe më e shpejta. Për më tepër që ajo i pëlqente Presidentit serb. Dhe ky fakt ka rëndësinë e tij. Pasi çështja nuk është të binden kosovarët, gjë që Trump mund ta bëjë me një “të rënë të bilbilit”. Çështja është të bindet një President “kamikaz” serb, që të pranojë ta heqë “provincën” e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë. Një President serb e ka po aq të vështirë ta bëjë një gjë të tillë, sa ç’do ta kishte çdo President shqiptar të vërë firmën në një marrëveshje kufijsh detarë me Greqinë, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe interesave të shqiptarëve. Fatmirësisht, për planin e shpejtë të paqes së amerikanëve, Vuçiçit i shkonte për shtat një plan i tillë dhe ai mund ta bindte Parlamentin e tij për të ndryshuar Kushtetutën, sepse Serbia dilte e fituar, sidomos me zonat me pasuri të veçanta natyrore. Këtij plani filluan atëherë t’i fryjnë menjëherë në sinkron Thaçi në Kosovë dhe Rama në Tiranë.

Ky i fundit nuk mund të dyshohet se ishte idiot apo tradhtar, duke e promovuar këtë plan, që madje as nuk mund ta ketë lexuar, as të ketë qenë i interesuar për ta kuptuar. Rama, siç u nënvizua më lart, ka vetëm një plan. Të rizgjidhet sërish me ndihmën e amerikanëve, të cilëve u është mirënjohës që ia njohën menjëherë zgjedhjet e 2017-ës dhe që do të bëjnë të njëjtën gjë edhe vitin e ardhshëm, nëse Kryeministri shqiptar vazhdon të jetë faktor ndihme dhe jo problemesh për ShBA-të në gjeopolitikën rajonale.

FAKTORI MERKEL

Nëse plani i shkëmbimeve të territoreve dështoi, kjo nuk i dedikohet aspak Ramush Haradinajt, por vetëm Angela Merkelit. Sigurisht, edhe ajo, aleatë e fuqishme e ShBA-ve. Por, për arsye ideologjike e historike Merkel nuk mund të lejonte një precedent të dytë shkëmbimesh territoresh dhe popullatash në Europë. I pari që e kishte inauguruar këtë iniciativë famëkeqe për gjermanët, ishte Adolf Hitler, me paktin e famshëm me Stalinin, më 1939-n, që konsistonte në transferimin e popullatave gjermane që ndodheshin në vendet baltike drejt territoreve polake të aneksuara nga Hitleri. Këto transferime popullatash që nisën në fillim të Luftës së Dytë Botërore dhe që vazhduan edhe pas mbarimit të saj, janë si një lloj teme tabu edhe sot në Gjermani. E atillë është shija e hidhur që ka lënë ky episod në kujtesën e gjermanëve. Ndaj, Merkel s’mund ta pranonte që debati me shkëmbime territoresh e popullatash të rihapej sërish. Amerikanet, siç dihet, nuk insistuan më shumë. Rama, si rikosheto, po ashtu, nuk mund ta mburrte më gjatë këtë plan-shkëmbimi territoresh dhe madje ndërmori të kundërtën, ta mohojë se ka qenë ndonjëherë pro një plani të tillë.

FAKTORI GRENELL

Por, me ose pa këtë plan, SHBA-së i nevojitet një tjetër alternativë për paqen midis Serbisë dhe Kosovës. Një alternativë e shpejtë, me qëllimin final që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Me këtë mision, administrata Trump ka ngarkuar ambasadorin “e famshëm” amerikan në Berlin, Richard Grenell. “I famshëm”, pasi ai është thuajse unanimisht i kritikuar nga klasa politike gjermane, që nuk kishte parë kurrë një ambasador të tillë t’i jepte leksione fuqisë ekonomike numër një në Europë. Sapo u emërua në 2018, Grenell e filloi misionin e tij duke shantazhuar Gjermaninë dhe biznesin gjerman të ndërpresë tregtinë me Iranin. Ai bëri të njëjtin presion në mediat gjermane, që të ndalohet projekti me Rusinë Nord stream 2. Dhe ajo që i nxehu më tepër gjermanët ishte fakti kur ambasadori Grenell deklaroi se qëllimi i tij ishte që të promovonte kudo në Europë parti konservatore dhe liderë të rinj konservatorë. Gjë që çoi politikanin e rrahur gjerman, Martin Shulz, të deklarojë se “është e paparë në analet e diplomacisë ç’po bën ky person”. Duke lënë të kuptohet se Merkel duhej ta dëbonte Grenell, ashtu si një ambasador gjerman do të dëbohej menjëherë nga SHBA-ja po të ndërhynte kaq haptazi në punët e brendshme.

Por Grenell dhe Trump u treguan gjermanëve se kush janë bosët e vërtetë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Grenell është caktuar tani nga Trump në Berlin, që të bindë Gjermaninë të punojë krah më krah me SHBA-në në arritjen e paqes përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës.

Javën e kaluar, Grenell zhvilloi misionin e tij të parë në rajon. U takua me kosovarët në Prishtinë, të cilëve u kërkoi si me ultimatum të heqin taksën 100% ndaj Serbisë. Dhe në Beograd, Vuçiçit i kërkoi që të heqë dorë nga fushata për bllokimin e njohjes së Kosovës nga shtetet e tjera. Gjë, të cilën Vuçiç e refuzoi. Grenell nxori atëherë një xhoker tjetër, atë ekonomik. Të njëjtin xhoker që do të përdorë me siguri SHBA-ja dhe të mërkurën për zgjidhjen e konfliktit izraelopalestinez. Për administratën Trump, paqja arrihet vetëm me para, domethënë me promovim, shkëmbime ekonomike midis palëve në konflikt. Te palestinezët dhe izraelitët, Trump do të premtojë sipas të gjitha gjasave 50 miliardë dollarë. Te serbët dhe kosovarët, administrata kërkon të shtyjë projektin e Mini-Shengenit Ballkanik, që të shumëfishohen investimet reciproke dhe që zhvillimi i bizneseve ta bëjë të pamundur rikthimin e luftës. Në këtë Mini-Shengen Ballkanik, që ka si synim real aksin Beograd-Prishtinë, i vetmi “investim” real i amerikanëve me ambasadorin Grenell në këtë moment, është vendosja e një linje ajrore dhe hekurudhore. Serbët nuk janë kundra, por nuk është me këtë masë që ata do të binden ta heqin Kosovën nga Kushtetuta e tyre dhe ta njohin përfundimisht atë. Përkundrazi, Vuçiç guxoi dhe i tha Grenellit në Beograd, se ç’kuptim ka të vendosim trenat me Kosovën, kur mallrat s’mund të qarkullojnë për shkak të taksave kosovare.

Në këtë kontekst të përgjithshëm duhet kuptuar pra, takimi i kësaj të hëne në Berlin. Grenell i ka thirrur aty negociatorët serbë dhe kosovarë që të avancojnë, përndryshe …Është kjo përndryshe që nuk dihet ende se çfarë do të thotë në kokën e ambasadorit Grenell. Por një gjë është e sigurt, ai do t’i kërkojë Gjermanisë në Berlin dhe BE-së në përgjithësi, që të vënë para, shumë para, në tryezën serbo-kosovare, sepse është kjo tani filozofia e re e Trump: paqja fitohet me para dhe jo me shantazhe e aq më pak me luftë.

Po Rama “ynë” në këtë mes, a do të arrijë të marrë ndonjë thërrime për Shqipërinë, apo do të shkojë thjesht për të dëgjuar diskursin e ri amerikan mbi Kosovën dhe ta zbatojë atë me zell? E kaluara ka treguar se Rama s’ka ditur të nxjerrë asnjëherë ndonjë përfitim ekonomik nga ShBA-ja, as në dosjen e armëve kimike siriane, as në dosjen e strehimit të opozitarëve iranianë në Shqipëri dhe aq më pak në dosjen e tërmetit, ku nuk u pa “vëllau” amerikan të presë ndonjë çek. Pak rendësi ka ndoshta kjo për Ramën, i cili merr të paktën dy sadisfaksione personale: opozita në vend le të vazhdoje të llomotisë, pasi SHBA-ja sytë vetëm për liderin aktual të Tiranes i ka; ndërsa “opozitari” i ri i Ramës në Kosove, Albin Kurti, që duket se fryhet si edhe më patriot se Haradinaj, do të shfryhet si tullumbace po të marrë pushtetin, duke u rreshtuar pas vullnetit amerikan të heqjes së taksës me Serbinë. Wait and see, siç thonë përtej Atlantikut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura