Qeverisja si qendër zhurmimi e kauzave të drejta

SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ/prec-zogaj

Qeveria mund të mos marrë në konsideratë asnjë propozim të opozitës. Vetë opozita nuk e pretendon këtë. Ajo propozon për t’u dëgjuar nga qytetarët në radhë të parë, me qëllim që të rrisë mbështetjen e tyre.

Qeveria, ndërkaq, është në të drejtën e saj të kundërshtojë, të hedhë poshtë, madje të kundërdenoncojë çdo akuzë që konsideron të pabazuar, spekulim, shpifje.

T’i kërkosh qeverisë të bëjë të mirën apo të duruarën, edhe kur i bien në qafë, është pseudokristiane, e dëmshme. Sikurse opozitarizmi ndihmon mbajtjen në binarë të qeverisjes, edhe qeverisja e ndihmon opozitarizmin të mbështetet në fakte bindëse të pakundërshtueshme.

Të gjitha këto janë të njohura në dinamikën e marrëdhënieve normale midis qeverisë dhe opozitës në demokraci.

Por qeverisja e Ramës nuk qëndron në këtë kornizë, nuk mjaftohet të kundërshtojë flakë për flakë akuzat dhe denoncimet e opozitës. Ajo ka shkuar shumë më larg. Ajo funksionon prej kohësh si një qendër e madhe zhurmimi e çdo fakti të qartë si drita e diellit që nuk përgënjeshtrohet dot si e tillë. Ajo ka ngritur në këmbë një industri dhe një inxhiniering të çmendur të deformimit të ideve, zgjidhjeve apo paketave të opozitës që nxjerrin lakuriq modus vivendin korruptiv të qeverisë.

Një shembull ilustrues, tipik dhe i freskët, është qëndrimi i Kryeministrit Edi Rama, i ministrave dhe deputetëve të tij kundër asaj që PD dhe kryetari i saj, Lulzim Basha, e kanë quajtur ‘Paketa Antimafia’. Duke lënë mënjanë termat dhe emërtimet që janë një e drejtë e autorëve, në thelb kjo paketë mbështetet në një shqetësim të madh që nuk është vetëm i opozitës, por i mbarë opinionit të shëndoshë publik. Shqetësimi është ky. Qeveria “Rama” ka dorë shumë të rëndë. Projektet e investuara prej saj në përgjithësi kanë kosto jashtëzakonisht të lartë. Marrin një shembull: Projektin një miliard euro që po zbatohet nëpërmjet PPP-ve të famshme (Partneritetit Publik-Privat). Rrugët e këtij projekti kushtojmë shumë më shtrenjtë se mesatarja e ndërtimit në Shqipëri dhe në Europë. Kostoja për një kilometër e rrugëve fushore Milot-Balldren apo Thumanë-Kashar, për të përmendur dy prej PPP-ve në fjalë, ka dalë dukshëm më e lartë se kostoja për kilometër e rrugës Thirrë-Kalimash, pjesë e Rrugës së Kombit, ndërtuar nga hiçi duke zhbërë malet. Dhjetë deri në dymbëdhjetë milionë euro për kilometër kushtojnë rrugët e fushës që janë të bëra 40 për qind (në to udhëtohet që nga koha e qeverisë “Nano”) Shatë presje pesë deri në tetë presje pesë milionë euro për kilometër ka kushtuar segmenti malor dhe supermalor RrëshEn- Kalimash. Kushdo mund ta bëjë krahasimin. Pra, nuk është problemi se PPP-të janë konsideruar skema korruptive në vetvete, janë borxh i fshehtë dhe prandaj janë shkëshilluar nga Banka Botërore, SHBA, BE, e tjerë. Si të mos mjaftonte e gjithë kjo për të hequr dorë prej tyre, tani na del se janë super të shtrenjta. Kryeministri për çfarë nuk flet dhe duket shumë i lumtur të fokusohet me batutat dhe stilin e tij në tema opinioni apo në çështje evazive që nganjëherë ia nxjerr në shteg vetë opozita. Por, për kostot e këtyre PPP-vë që nuk bindin as të majtë, as të djathtë, nuk është dëgjuar të thotë ndonjë fjalë.

E njëjta situatë është në shumicën e koncesioneve dhe tenderëve, të mëdhenj e të vegjël, që jepen pa garë apo me garë fiktive, pikërisht për të vjelë prej tyre në ortakëri me fituesit e paracaktuar paratë shtesë të korrupsionit. Norma shumë e lartë e mbikostos dhe mbinormës normale të fitimit është “standardi” i investimeve dhe projekteve të qeverisë së Edi Ramës.

Cili qytetar që paguan taksa dhe tarifa për buxhetin e shtetit, mund të qëndrojë indiferent ndaj këtij abuzimi pa precedent, konkret, në dritë të diellit?

Opozita do të bënte vetëvrasje po të mos vepronte. Këtu, edhe paketa e saj ‘Antimafia’, që duke paralajmëruar hetimin e projekteve të dyshuara si korruptive dhe superkorruptive, thotë se do të përfshijë në rrethin e personave përgjegjës jo vetëm zyrtarët, por edhe firmat fituese dhe autorët e këtyre projekteve. Industria qeveritare e zhurmimit dhe deformimit të qëndrimeve të drejta ka shpenzuar e vijon të shpenzojë energji pa fund për ta paraqitur këtë si qëndrim kundër sipërmarrjes së lirë! Sipërmarrja e lirë e di vetë cila qeveri dhe cila parti është më pranë interesave dhe filozofisë së saj me politikat dhe programet për zhvillimin, për taksat, për incentivat, për konkurrencën, për shpenzimet, për liritë ekonomike në tërësi. Por, kjo e PPP-ve nuk ka lidhje me sipërmarrjen dhe sipërmarrësit. Fituesi i PPP-së, ku vlera e projektit porositet dy herë apo tri herë më shtrenjtë nga qeveria, e di shumë mirë se ku rreh kostoja reale e projektit plus norma e fitimit. Ai ftohet dhe i hapet rruga të fitojë ose për të ndarë apo dorëzuar te Rama dhe njerëzit e tij shumën mbi koston dhe normën e fitimit, ose për të rregulluar raporte politike dhe ekonomike të interesit qeveritar me palë të tjera. Me fjalë të tjera, fituesit pranojnë të bëhen komplotistë me qeverinë në një aferë korruptive me paratë e taksapaguesve. Të njëjtën gjë mund të themi për hartuesit e projekteve, për kostoistët. Qeveria ka për detyrë t’i thotë kush janë. Publiku ka nevojë ta dijë kush e ka vënë shumën njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë euro ndërtim dhe dyzet e ca milionë euro mirëmbajtje për rrugën fushore Balldren-Milot, për shembull, që i ka të ndërtuara dy korsi. Në këtë aspekt, në funksion të së vërtetës dhe efikasitetit, opozita mund të bëjë një gjë konkrete qysh tani, pa pritur ardhjen në pushtet. Të krijojë një grup me ekspertë të certifikuar vendës dhe të huaj që pranojnë të nxjerrin koston për kilometër të PPPvë dhe kostot për koncesionet e tjera, duke u dalë zot dhe duke pranuar të përballën publikisht për shifrat e tyre. Kjo do të thotë të kontribuosh që tani, duke e bërë mbrojtjen e parave të publikut një çështje të publikut.

Për të qëndruar te shembulli që sollëm, industria e zhurmimit dhe deformimit ndërmori një fushatë të ethshme për të treguar se paketa ‘Antimafia’ është për të vënë gjoba.

Kësaj fushate i priu Rama dhe e vazhduan deputetët e tij. E kotë t’i pyesësh “nga e dini ju se kanë për gjoba”. (Në kohën që jetojmë, shumë prej njerëzve që po merren me politikë, në qeveri dhe në opozitë, i dinë gjerat sepse ashtu ua jep truri)! Por ata nuk u kujtuan se me ketë “argument” po i fyenin pronarët e kompanive sikur këta paguajnë gjoba po të flasësh kundër tyre si lider politik! Nuk thuhet kot: mendja propagandistike trashet e trashet sa të mos kujtohet për detyrat elementare të mirësjelljes, për logjikën elementare. Në një analiza normale, Basha kapërceu vetveten kur duke folur për PPP-të dhe koncesionet korruptive te qeverisë përmendi pa dallim kompanitë e përfshira, disa prej të cilave kanë qenë ose edhe janë në mbështetje të PD-së. Çdo qasje tjetër, diferencuese, do të ishte e pabesueshme.

Më tej, industria e zhurmimit dhe deformimit të qëndrimeve të drejta e dha goditjen, alogjike edhe këtë, duke vënë në një plan kontratat e punës mes firmave private me njëra-tjetrën me kontratat e qeverisë me firma private që kanë fituar PPP dhe koncesione me koston “Rama” mbi kostot normale. E gjithë kjo për të treguar se kompanitë e Erjon Isufit, që është kunati i Luzim Bashës, ka marrë miliona nga kompanitë që “kanë qenë të mira kur paguanin kunatin, por qenkan të këqija tani që po bëjnë rrugë për popullin”. Është shumë shqetësuese që artikulimi zyrtar qeveritar degradon në këtë shkallë. Nuk po flasim për përdorimin e dy standardeve nga Kryeministri, i cili kur i duhet të mbrojë deputetin Rraja të Fushë-Krujës, thotë se babai nuk mban përgjegjësi për “djalin sa një derr” (në këtë pikë, duke hequr fjalën derr, unë gjykoj si Rama pak a shumë). Por kur i duhet të sulmojë kryetarin e PD-së, ia bën kunatin më të afërt se vëllanë apo fëmijën. Etika minimale kërkon që qeveria të shprehet për akuzat që i bëhen asaj në radhe të parë, pastaj të presë radhën të sulmojë me të njëjtën monedhë. Serioziteti minimal kërkonte që Rama dhe deputetët e angazhuar prej tij, meqenëse e lidhen pa lidhje kunatin e Bashës me paketën ‘Antimafia’, të tregonin publikisht a i paguajnë apo jo taksat kompanitë e Erjon Isufit, a janë paguar konform kontratave apo në të zezë për shërbimet e ofruara. Të tjerat janë pa vlerë.

Fushata intensive e zhurmimit dhe deformimit të paketës ‘Antimafia’ dëshmon se ndryshe nga disa çështje të tjera të pasigurta, me të cilat nuk mund të vihen baste të mëdha nga opozita politike e vendit, kjo e shpenzimeve me dorë të rëndë në projekte që ashiqare kushtojnë shumë më lirë, por që duhen saktësuar me ekspertë, është një temë konkrete dhe kyçe që nuk e lë qeverinë të luajë. Një temë, rreth së cilës mund të mblidhet një mbështetje e madhe popullore.

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.