ANALIZA/ Pse tensioni mes Turqisë dhe Rusisë ishte i paralajmëruar

Nov 25, 2015 | 21:49
SHPËRNDAJE

Rrëzimi i avionit rus në afërsi të qytezës së Jamadit, në veriperëndim të kufirit sirian ditën e martë shënon kulmin e tensioneve dymujore mes Rusisë dhe Turqisë, shkruan analisti David Barchard* për “Middle East Eye”.

Russia.Turkey.AA_.24Nov2015Tensionet mes dy vendeve nisën qëkurse trupat ruse lëvizën drejt Sirisë, në fund të shtatorit të këtij viti. Që nga ai muaj, Turqia vazhdimisht ka denoncuar avionët rusë se kanë shkelur hapësirën ajrore të saj.

Për këtë ajo ka bërë disa herë notë-proteste te zyrtarët rusë. Dhe denoncimi më i fundit ishte ai i gjashtë ditëve më parë, më 19 nëntor.

Turqia i dërgoi një notë-proteste ambasadorit rus në Ankara dhe atasheut ushtarak, me argumentin se bombarduesit rusë kishin goditur vendbanime të minoritetit turk në Siri, të cilët janë rebelë dhe luftojnë kundër regjimit të Asadit.

Që nga ajo kohë, Rusia dhe Turqia kanë njohur tensione të distancë, të cilat paralajmëruan incidentin që ndodhi ditën e martë.

Rrëzimi i avionit rus erdhi pikërisht pak ditë para takimit që ishte planifikuar mes dy ministrave të Jashtëm të vendeve respektive në Stamboll.

Ndërkohë që Rusia vazhdimisht ka hedhur poshtë çdo pretendim se avionët e saj kanë shkelur hapësirën ajrore të Turqisë, kjo e fundit është e mendimit se zyrtarët në Moskë, kanë nxitur në një farë mënyrë që veprime të tilla, si hyrja në territorin turk, të perceptohen si gjeste heroike në radhët e ushtrisë ruse.

Pas rrëzimit të avionit rus, në orën 9:20 me orën lokale ditën e martë, Shtabi i Ushtrisë Turke deklaroi se pilotët rusë ishin paralajmëruar të paktën 10 herë që të largoheshin nga hapësira ajrore turke.

Nga ana tjetër, reagimi i Rusisë ishte i ashpër pas rrëzimit të avionit, dhe akoma më i ashpër pas lajmit se njëri prej pilotëve të parashutuar ishte vrarë nga rebelët turq të Sirisë.

Rusia nga ana e saj nuk e pranon pretendimin për shkelje të hapësirës hajrore turke dhe ka kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë në OKB.

Turqia dhe Rusia, armike historike përpara fundshekullit XX, kur Carët e atëhershëm e shihnin Turqinë si një copëz të lehtë për t’u aneksuar me shembjen e Perandorisë Osmane, në kohët e sotme kanë patur lidhje të ngushta ekonomike – sidomos në fushën e energjetikës.

Prishja e këtyre lidhjeve do të ishte e dhimbshme për të dyja vendet, por më gjatë dhimbjen do ta ndjejë Turqia që gjysmën e kërkesave për gaz e plotëson me ofertat ruse.

Por thyerja e barrierave ka të ngjarë të jetë e vështirë me politikat e dy vendeve në Siri. Gjithashtu edhe ndryshimi i kursit për secilën prej tyre.

Kohët e fundit, ka patur shumë zëra se Erdogani ndihmonte ISIS-in në Siri për të rrëzuar Asadin. Por ai vetë e ka bërë të qartë se është kundër ISIS-it.

Është e qartë se axhenda e Turqisë nuk do të ndryshojë. Ajo ka pesë vjet që kërkon rrëzimin e Asadit, dhe tashmë që ka 2.3 milionë refugjatë buzë kufirit të saj kërkon përshpejtim në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, Rusia mbështet Asadin dhe kjo është shumë e vështirë për t’u kapërdirë nga Turqia.

Gjithashtu, ajo është e shqetësuar për pjesëmarrjen e Rusisë në këtë fushatë, pasi prezenca e trupave ruse në kufi me Turqinë përbën kërcënim për Ankaranë.

Në kontrast me Turqinë, Rusia duket se po luan më me kujdes. Në shtator, ajo priti në një vizitë zyrtare Presidentin Erdogan, vetëm pak ditë para se t’i bashkohej koalicionit kundër ISIS-it.

Mirëpo, Rusia u tregua e rezervuar me Turqinë dhe nuk i tregoi asaj se kishte ndërmend të merrte pjesë në këtë fushatë.

Rusia kishte një surprizë të pakëndshme, qoftë për Turqinë qoftë për SHBA-të. Vetëm pak ditë më pas, Putini takoi krerët e lartë të Iranit dhe hyri në luftë kundër ISIS-it.

Turqia tashmë e ka edhe me aleatët e saj që pranuan Rusinë në koalicion. Pasi thirri ambasadorin rus për shpjegime në Ministrinë e Jashtme të saj, ajo tashmë kërkon edhe atë të SHBA-ve, Britanisë apo edhe të Kinës.

Turqia nuk ndihet e mbështetur nga aleatët, por nga ana tjetër, NATO ka qëndruar gjithnjë në krah të saj.

Në këtë pikë, qeveritë perëndimore duhet të maten para se të reagojnë për këtë ‘gërvishtje’ mes Turqisë dhe Rusisë, pasi Siria mund të bëhet një mollë sherri botëror.

Ndërkohë që Turqia dhe Rusia vazhdojnë luftën ‘diplomatike’ mes tyre, vizita e ministrit të Jashtëm rus në Stamboll është anuluar.

Qytetarët rusë janë porositur që të mos udhëtojnë në Turqi, pasi ka rrezik të lartë të bien viktima të terrorizmit.

Duket qartë se dialogu mes Rusisë dhe Turqisë, edhe në prapaskenë, është disi i acaruar dhe po arrin një pikë kulmore. Gjithsesi, duket qartë se Turqia nuk është në humor për t’u tërhequr.

*Titulli origjinal: Turqia nuk është në humor për t’u tërhequr

*Autori, David Barchard ka punuar në Turqi si gazetar, këshilltar i jashtëm dhe pedagog në universitete. Ai shkruan rregullisht për shoqërinë, politikën dhe historinë e Turqisë. Aktualisht është duke botuar librin “Perandoria Osmane në shekullin XIX.

Përgatiti: Erald Deliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura