ANALIZA/ “Pse opozita nuk duhet të tërhiqet nga dorëheqja e Ramës”- Prec Zogaj: Një qasje për negociatat mund të jetë…

Oct 27, 2019 | 10:29
SHPËRNDAJE

Prec-ZogajPreç Zogaj

Për shumë e shumë arsye që lidhen me historinë e saj, me një  lloj kujdestarie dhe trashëgimie  të dorës së parë  ndaj ëndrrës  perëndimore  të Shqipërisë  dhe për  identifikimin  e  veçantë që ka një  parti e qendrës së djathtë  me vlerat e  nderit, kombit dhe atdheut, Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj u ka shkuar dhe u shkon të sillen me çështjet e integrimit si të ishin në qeveri. Domethënë të mos kufizohen t’i shohin ato  në optikën e ndarjeve dhe interesave partiake  brenda vendit, por në optikën  e një interesi shumë me të gjerë  popullor e kombëtar.

Kundërshtimi  i Francës  për t’i hapur negociatat Shqipërisë  dhe  Maqedonisë së  Veriut  në datë 18 tetor  ishte dhe është një  rast i përshtatshëm  që opozita jonë të merrej me argumentet që përdori publikisht Presidenti Macron dhe, më tej, me pasojat gjeopolitike që do të kishte për Shqipërinë dhe rajonin ngadalësimi me lloj-lloj arsyesh e alibish apo ndalimi de fakto i zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë pikë opozita mund të jetë e duhet te jetë më e avancuar se qeveria.

Kësisoj  do bëhej zëdhënëse e  një shumicë dërmuese europianiste në  Shqipëri, shumicë e cila  nuk i sheh sukseset apo dështimet në procesin e integrimit si bonuse të palëve dhe di të dallojë pak a shumë qartë kur dështojmë për fajin e qeverive tona dhe kur na refuzojnë për arsye të tjera.  Ndaj e ka përjetuar keq, me zhgënjim dhe hidhërim, veton e Francës.

Duke mbajtur këtë qëndrim  opozita bën figurë të mirë dhe rrit reputacionin e saj në Uashington, në Berlin, në kryeqytetet e tjerë të Europës dhe në Bruksel, ku refuzimi i Shqipërisë nga Franca  dhe dy vende të tjera prapa saj (konkretisht Holanda dhe Danimarka, sipas citimit të bërë  në rezolutën e Parlamentit Europian), është konsideruar gabim strategjik që duhet korrigjuar.

PD ka përvojë të madhe  në çështjet  e integrimit. Ajo e ka artikuluar e shërbyer e para ëndrrën euroatlantike. Ajo ka vulën e saj në të gjitha arritjet e deritanishme në  këtë proces. Ajo e di mirë se marrja e lejekalimit nga një stacion në tjetrin  në këtë rrugë të gjatë  ngërthen ndërthurjen e  kritereve që vendos BE për periudhën e dhënë me konjukturat politike brenda familjes europiane e me gjerë.

Opozita  për vetë gjendjen ku ndodhet pas djegies se mandateve dhe mospjesëmarrjet në zgjedhjet vendore e  ka të domosdoshme të dalë nga rutina dhe shabllonizmi që janë shumë të dëmshme për çdo kauzë politike, të befasojë, të jetë  krijuese,  të ketë si  kriter të çdo qëndrimi  rritjen e dakordësisë, simpatisë dhe mbështetjes popullore e ndërkombëtare. Duke mbajtur  refrenin e dorëheqjes së Ramës , opozita  mund të përshtatë për çështjen e negociatave një  miksim  të qëndrimit  amerikan, gjerman dhe të Parlamentit Europian.

Çfarë thotë qëndrimi amerikan? Thotë  “jemi të zhgënjyer që Këshilli Evropian nuk njohu përpjekjet për reformat e forta të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur tani negociatat për anëtarësim”. Ajo që shton është akoma më e fortë:  “ Një vendim pozitiv…do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik”. SHBA kanë vëne re ndërkaq një gjë tjetër që nuk ka dalë  në pah aq sa duhet në diskutimet e debatet që po zhvillohen në Shqipëri. “Këshilli   Europian   nuk  i tha   “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Evropian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor majin e vitit të ardhshëm”, nënvizon deklarata e Departamentit të Shtetit, duke lënë hapur e duke nxitur një vendim pozitiv për dy vendet .

Gjermania ka folur shumë me “po”-në e saj me kushte dhe me lobimin e saj evident.  Po flet me qëndrimet e saj pas asaj që  ndodhi.  Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, i mirënjohuri, David McAllister, e ka quajtur  gabim historik vendosjen e vetos nga  Franca  duke bërë përgjegjës Presidentin Macron. Nuk duhet të harrojmë  se “po”-ja gjermane me kushte u votua në Bundestang dhe  Macron  rrëzoi me veton e tij  një vendim të parlamentit gjerman.

Parlamenti Europian u mblodh ndërkaq  me urgjencë dhe miratoi të enjten një rezolutë  për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku 412 euro deputetë nga 578 të pranishëm në seancë votuan për  hapjen e  negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Deputetët  e konsideruan një gabim strategjik mosmarrjen e një  vendimi nga liderit e  BE-së.

“Kjo dëmton besueshmërinë e unionit dhe dërgon mesazhe negative të shtetet e tjera kandidate të mundshme”, thanë ata duke shtuar njëlloj si partnerët amerikanë se kjo “do të lejojë aktorë të tjerë të huaj, aktiviteti i të cilëve nuk përputhet me vlerat dhe interesat e BE, që të angazhohen më shumë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut”.  Më  qartë se kaq!

Ne duhet të jemi në një zë me  këto vende dhe  institucione, pse jo para tyre,  për të  kërkuar  hapjen e negociatave. Integrimi dhe problemet e brendshme nuk janë e njëjta gjë. Ne do të përballemi me probleme  të shumta, me përplasje dhe kriza politike edhe kur të jemi në BE. Siç u ndodh  sot shumë vendeve anëtare.  Gjëja më e lehtë dhe më e lirë  është   konsiderimi i “jo”-se si dështim i  Ramës  duke e shtuar këtë  “jo” në  ngarkesën e  kërkesës për largimin e  tij nga  drejtimi i qeverisë. Kjo kërkesë disavjeçare  ka formuar aksionin dhe qëndrimet  politike  të opozitës,  protestat , bojkotet, zhvillimet brenda saj, marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Partitë e opozitës  janë sot jashtë parlamentit dhe pushtetit vendor sepse e ngritën betejën në formën  “ose i Rama jashtë qeverisë , ose ne jashtë  institucioneve”. Nuk ke ku ti shtrish më shumë skajet e litarit. Të cilët, dy taborë ia hedhin  njëri tjetrit, siç do të thoshte Migjeni.

Për shkak të bindjeve dhe  sakrificave opozita nuk do të  tërhiqej nga kërkesa për largimin  e Ramës edhe sikur Shqipëria të kishte çelur negociatat, apo qeveria  të kishte  shënuar rezultate  të prekshme në ekonomi dhe fusha të tjera. Aq me e pakuptueshme do të ishte tërheqja në kushtet e “jo”-së dhe përkeqësimit të gjendjes. Por siç e cekëm  më lart, për të shpresuar suksesin opozita, edhe  për shkak të situatës ku ndodhet, duhet të jetë shumë elektorale dhe shumë profesionale në gjithë qëndrimet  e saj.  Popullzimi as ndez, as vlen për gjë posaqë edhe është konsumuar  si i tillë.  Amatorizmi i shfaqur si shabllonizëm vetëm dëmton dhe përqeshet. Konstuktivizmi  dhe profesionalizmi kanë shanse. Dhe kjo  manifestohet me njësimin e qëndrimit me vendet mike për negociatat, me marrjen e flamurit për t’ia dalë me sukses në  samitin e  ardhshëm.  Një sjellje  që  e befason pozitivisht publikun  e gjerë, sidomos  sot  që “jo”-ja franceze bëri të valëviten gjithandej flamujt e melankolisë, i bën mirë opozitës  dhe vendit./Gazeta Liberale

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura