ANALIZA/ “Pse Edi Rama i do të gjithë përkrah pas tërmetit, çfarë fshihet pas thirrjeve të vazhdueshme për Lulzim Bashën”

Dec 10, 2019 | 11:40
SHPËRNDAJE

Ervis-IljazajNga Ervis Iljazaj

Edi Rama  ka bërë disa herë thirrje që Lulzim Basha të ulet në tryezë me të për të bashkuar forcat  dhe për të përballuar fatkeqësinë natyrore të tërmetit dhe dëmet që ai la pas, të cilat kanë një kosto të madhe ekonomike, por mbi të gjitha shoqërore. E në këtë kuptim, Rama do të ndajë peshën politike të vendimeve jo pak të lehta që do të duhet të marrë.  Vendimet që do të duhet të marrë do të jenë sigurisht vendime me fatura të mëdha financiare që mund të kenë një ndikim negativ në ekonominë shqiptare. Prandaj, riskun politik nuk do që ta ketë i vetëm në këtë situate, ku shteti shqiptar dhe qeveria e tij e ka shumë të vështirë për ta përballuar.

Pikërisht për këtë arsye, Edi Rama në këtë situatë do ti ketë të gjithë përkrah, edhe liderin e opozitës Lulzim Basha. Por problemi qëndron se në thirrjen e tij ndaj Lulzim Bashës nuk ka si qëllim bashkimin e forcave, sepse opozita në këto raste nuk ka asnjë gjë në dorë, përveçse sjelljes së përgjegjshme të saj. Dhe sa për sjelljen, Lulzim Basha deri më tani ka qenë politikisht korrekt. E vetmja gjë që ka bërë në këto ditë, është vizita te banorët e dëmtuar nga tërmeti për të denoncuar mangësinë e shtetit dhe problemet e tyre.

Por, pikërisht ky është problemi, prandaj edhe Edi Rama e do në krah Lulzim Bashën, për të qetësuar sadopak oponionin publik dhe për të dhënë idenë  se për të mirën e Shqipërisë bashkëpunon edhe me opozitën. Në fakt, nëse ka një institucion që me qetësi dhe përgjegjshmëri po denoncon ato probleme që ekzistojnë në këto momente emergjencë, të cilat janë normale për hir të vërtetës, ai është vetëm institucioni i liderit të opozitës.

Edi Rama e di mjaft mirë që tërmeti i 26 nëntorit mund të jetë një kartë elektorale për të, por nëse dështon, mund të ketë një kosto të madhe politike. Është i ndërgjegjshëm edhe për faktin se, nëse do të ketë probleme në menaxhimin e kësaj situate, opozita shqiptare dhe Lulzim Basha nuk do të vashdojë të ketë edhe për shumë kohë një sjellje politike korrekte, dhe nuk ka përse ta ketë.

Kështu që, në këtë situatë delikate për vazhdimësinë e pushtetit të tij, e cila mund të marrë një drejtim apo tjetër, ka bërë çmos që të krijojë një konsensus të gjerë rreth tij dhe vendimeve të tij, Madje, për këtë qëllim, disa propozime të Bashës i ka kthyer në vendime. Aq shumë e kërkon konsensusin në ketë situatë, sa që nuk ka moment të ditës që nuk e shikon nëpër vizita të banorëve të prekur apo në shfaqje me sistemimin e tyre, që ndonjëherë janë  shfaqje edhe në nivel banal.

Edi Rama ka vetëm një synim në të gjithë këtë situatë, të dalë si shpëtimtari i kombit. Për këtë gjë ka drejtuar të gjithë reflektorët rreth tij. Nuk ekziston në këtë moment, asnjë kryetar bashkie , asnjë drejtor emergjence apo ndonjë strukturë shtetërore tjetër që duhet të jetë aktive dhe e ka për detyrë të menaxhojë këtë situatë, përveçse mendimeve dhe vendimeve të tij.

Përpjekja e tij në ketë drejtim, për të fituar të gjithë konsensusin e opinionit publik, ka arritur deri në atë pikë sa që në mbledhjen e komitetit të rindërtimit ka bërë pjesë personazhe të ndryshëm që gëzojnë një popullaritet të madh. E kam fjalën për Elvis Naçin dhe për Arbër Hajdarin, të cilët i mban njërin në krahë të djathtë dhe njërin në krahë të majtë. Me gjithë respektin që kam për këta dy persona, shteti shqiptar nuk është as teokraci dhe as një OJF.  Madje, më bën një impresiono jo fort të mirë kush shikojë njerëz fetar në mbledhje qeverie. Personalisht nuk kam asnjë gjë kundër predikimt fetar dhe lirisë së fesë, përkundrazi respektojë besimin e gjithsecili, por gjithsecili e bën atje ku i takon, sepse shteti shqiptar është laik dhe racional, për këtë arsye i japim nga taksat tona që të jetë i aftë të menaxhojë situata të tilla. Por me sa duket, marrja nga popullariteti i personazheve publike nga ana e Edi Ramës nuk ka kursyer as profesoreshën e nderuar Luljeta Bozdo, të cilën sa po u kthye në një personazh i dashur për shqiptarët nxitoi ta ftonte  në zyrë dhe në mbledhje qeverie. Edi Rama nuk mund ti ketë të gjithë përkrah, artistë, teolog, klerikë, gazetarë, apo drejtues fondacionesh. Për të mirën e Shqipërisë, Lulzim Bashën duhet ta ketë përballë. /Gazeta Liberale

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura