ANALIZA/ Profesori i UT: Braktiseni demagogjinë politike, të shmangim katastrofën ekonomike

Oct 5, 2021 | 18:00
SHPËRNDAJE

NGA SHERIF BUNDOsherifbundo

Para dy ditësh u bë pub lik një lajm për një rritje ekonomike shumë të lartë, 17,89% në tremujorin e dytë të vitit 2021. Kjo deklaratë u bë objekt konferencash për shtyp të politikanëve më të lartë të qeverisë shqiptare.

A e meriton, në fakt, ajo të tërheqë vëmendjen dhe të krijojë përshtypjen se tani gjithçka po rrjedh e do rrjedhë si në vaj? A janë të mjaftueshme këto “kafshata mjerane” për të ushqyer trupin e drobitur të ekonomisë shqiptare? Për këtë pyetje do kthehem e rikthehem në vijim me këtë cikël shkrimesh për ekonominë. Është folur dhe shkruar mjaft për gjendjen, në të cilën ndodhet ekonomia dhe shoqëria shqiptare. Jetojmë, në trekatër vitet e fundit, një situatë shumë të rënduar, e cila sa vjen dhe bëhet më komplekse. Shpresojmë dhe lutim të bëhet më mirë ,por përjetojmë çdo ditë dhe më keq. Vendi luan me nocione dhe koncepte demokratike, por drejtohet me praktikë diktatoriale dhe me mendësi primitive.

Jetojmë kohën e një demokracie të shëmtuar, të një shteti të kapur, të një përfaqësimi mediokër dhe në vend që të reflektojmë thellë dhe të ngrihemi mbi veten tonë për interesa dhe shpresa të mëdha, qëndrojmë të mbërthyer nga gozhdët e vrasjes së pamëshirshme të perspektivës dhe të zhgënjimit të rinisë. Ëndërrojmë dhe predikojmë të vërtetën dhe progresin dhe na ka mbytur mashtrimi dhe gënjeshtra, korrupsioni dhe injoranca. Ndërkohë që përpiqemi të edukojmë një brez të ri të motivuar pas dijes dhe meritës, pas punës dhe meritokracisë, rrimë dhe bëjmë sehir se si ngrihet maja e piramidës administrative dhe politike e mbushur dëng me të paditur, me horra dhe kopukë, me injorantë dhe të paaftë.

Ndërkohë, të gjithë pranojmë nën zë se “nuk mund të vazhdojmë gjatë kështu”. Jo, duhet të shqyejmë prangat e ngathtësisë dhe të heshtjes, të nënshtrimit dhe të pranimit duke ulur kurrizin. Jo, duhet të ngremë zërin dhe të bërtasim me gjithë fuqinë e shpirtit dhe të mendjes se duhet të ndryshojmë. Kush nuk e kupton nevojën e një ndryshimi të tillë, ka probleme serioze me aparatin e të menduarit, ndërsa kush nuk reagon në kërkim të një shoqërie më të mirë, do të thotë se është rritur në një mjedis të dhunshëm ku mund të ketë pasur gjithçka, veç lirisë.

SË PARI DHE MBI TË GJITHA EKONOMIA

Ekonomia është dimensioni i dytë i jetës njerëzore, mbas dimensionit biologjik. E goditur rëndë nga dy fatkeqësi natyrore, tërmeti i vitit 2019 dhe nga pandemia, ekonomia e vendit tonë, ashtu sikurse pritej, ka bërë poshtë e më poshtë. Njerëz të paaftë, por edhe politikanë në thelb të dështuar, e përdorin faktin e fatkeqësive natyrore si një faktor të pamenaxhueshëm dhe që, sipas tyre, vendit tonë nuk i ngelet gjë tjetër veçse ta lëshojë makinën ekonomike pa frena. Në fakt, pa frena dhe pa shofer në timon për shumicën, por me frena të forta dhe me një shofer të kujdesshëm për një numër rigorozisht të reduktuar biznesesh, njerëzish dhe rrethi preferencash.

T’i lëmë mënjanë metaforat dhe të flasim më shkoqur. Në pamundësi për të rrokur gamën shumë të gjerë të ekonomisë, po përqendrohem te disa sektorë dhe mekanizma të aftë për të realizuar atë që presim të gjithë, por që nuk po vjen kurrë: transformimin ekonomik dhe progresin shoqëror. Borxhi publik, u theksua në një deklaratë të Bankës së Shqipërisë, llogaritet të ketë kaluar 85%. Në fakt, është e para herë që në deklaratat zyrtare të institucioneve shtetërore pranohet që borxhi publik kapërcen kufirin 80%. Ka dy vjet që studiuesit e ekonomisë tërheqin vëmendjen për shifra të frikshme të borxhit dhe për një situatë që mund të dalë jashtë kontrollit. Përdorimi i huamarrjes shtetërore për të nxitur dinamizmin e ekonomisë së vendit tonë të goditur nga fatkeqësitë ishte një lloj zgjidhjeje konsensuale dhe një sugjerim apo zgjidhje e rekomanduar si e vetmja rrugë edhe prej institucioneve financiare ndërkombëtare.

Edhe vendet e zhvilluara e përdorën në masë të gjerë huamarrjen publike, por problem për to është përse dhe si përdoret huaja? Qeveria jonë e përdori huan jo për nxitje të ekonomisë, jo për të inkurajuar bizneset e goditura prej pandemisë, jo për ta përdorur atë si karburant që të vinte në lëvizje makinën ekonomike, por për të mbështetur dhe financuar shpenzimet qeveritare, të cilat në një vit elektoral dhe në një Kuvend pa prezencën e opozitës prodhuan më shumë vota dhe financuan rritjen artificiale të administratës, e cila u fry artificialisht me mbi 24%. Një pjesë tjetër e borxhit publik shkoi për të financuar këstet e përvitshme që rriten të partneriteteve publike dhe private, investime këto me kosto tmerrësisht të larta.

Por, le të shohim pak më thellë në këtë analizë: A është realisht vetëm 85% niveli i borxhit publik të shtetit tonë? A është kjo shifër tavani apo nesër dhe pasnesër mund të bëhen publike shifra dhe skenarë akoma më të zymtë? Po të përfshijmë në këtë detyrim të shtetit shqiptar, që kapërcen 13 miliardë euro, edhe detyrimin prej afërsisht 350 milionë euro për faturat e palikuiduara nga buxheti i shtetit për punët publike të realizuara prej kompanive dhe subjekteve private, vendase dhe të huaja, punime të cilat janë raportuar sitë kryera, por të pafinancuara për mungesë të aftësisë paguese të buxhetit (gjatë vitit elektoral një pjesë e tyre u stimulua artificialisht), po të shtojmë këtu edhe një masë të shtuar të detyrimeve financiare të palikuiduara, stoku i të cilave është rritur dhe po rritet përsëri frikshëm, të institucioneve shtetërore si detyrime ndaj operatorëve të shpërndarjes së energjisë apo ndaj kompanive të furnizimit me ujë, po t’i shtojmë këtij borxhi edhe detyrimet zyrtare që llogariten në rreth 340 milionë euro dhe që shpreh gjobat dhe penalitetet që shteti shqiptar ka marrë prej arbitrazheve ndërkombëtare (kujtoni rastin Bechetti), po t’i shtojmë këtij detyrimi të buxhetit edhe këstin vjetor të principalit që rritet nga viti në vit prej partneriteteve publike private, dhe edhe të disa detyrimeve të tjera në shuma më të vogla, atëherë borxhi publik i vendit tonë kalon nivelin 100%.

A përbën kjo shifër një prag shqetësues? A nuk jemi në këto shifra në prag të një skenari të ngjashëm me krizën financiare greke të para një dekade, krizë e cila shkaktoi shqetësime serioze për BE, për Bankën Qendrore Europiane dhe për FMN-në? A do të na mjaftojë justifikimi që qeveria u soll në mënyrë të papërgjegjshme dhe se vendit i munguan institucionet legjitime? A nuk është tani koha për të reaguar në mënyrë të përgjegjshme? Nuk mjaftojnë kalimet nga një post në një tjetër të ministrave memecë të financave për t’u ngushëlluar prej kësaj situate komplekse dhe për të qetësuar shpirtin dhe barrën e krizës, për të cilën mund të themi se e ardhmja është më e keqe.

I bëj shpesh pyetjen vetes: Kush, cili individ, grup individësh, grup specialistësh apo ekspertësh të financave publike ka autorësinë e hartimit dhe të ekzekutimit të politikave të tilla në fushën e financave publike, me të cilët të mund të debatojmë, të mund të shprehim një shqetësim apo të japim një mendim me përgjegjësinë dhe shqetësimin qytetar? Nuk do të na vinte mirë që nesër, këta drejtues të lartë politikë të kopjojnë ish-kolegët e tyre dhe të justifikohen pa u skuqur duke thënë që ne nuk e parashikuam dot një skenar të tillë, por as nuk pati ndonjë institucion, publik (që le të flasë po ka kurajë të provojë inatin dhe hakmarrjen qeveritare) apo privat që të na paralajmëronte. A ka në Këshillin e Ministrave ndonjë ministër apo funksionar të lartë që e njeh ekonominë dhe ka kurajën të thotë me zë të lartë të vërtetën për financat tona publike, edhe kur kjo e vërtetë është e helmatisur?

A mund të hartohen politika ekonomike për ekonominë e vendit tonë me shpirt dhe shqetësim njerëzor? Unë mendoj se po, por vetëm nëse politikëbërësit do të kishin sensin e shërbimit me përulësi ndaj publikut. Ky nuk është luks. Mënyrat e përdorimit të poshtër të financave publike për të mbajtur me çdo kusht pushtetin kushtojnë aq shumë sa përvoja gjetkë ka provuar se kjo mjafton për t’i eksploduar këto financa.

LOJË MASHTRUESE ME RRITJEN EKONOMIKE

Lajmi i fundit: Tremujori i dytë i vitit 2021 pati një rritje të paparë, 17,89% krahasuar me tremujorin e dytë të një viti më parë. Ekonomia pritet të rritet me 5% përgjatë vitit 2021. Si duhet t’i interpretojmë këto shifra dhe si qëndron e vërteta? Kjo është prognoza e programit qeveritar dhe me komente dhe shifra të tilla të godasin me grusht në fytyrë politikanët gjoksfryrë dhe qeveritarët mendjelehtë. Njerëzit e thjeshtë pyesin: Çudi! Ekonomia jonë rritet përditë dhe ne jetojmë përditë dhe në varfëri më të madhe! Dihet botërisht se numri i të varfërve gjatë këtyre dy viteve është rritur me të shpejtë. Ku është kjo rritje ekonomike? Ata nuk kanë grada dhe tituj shkencorë që të futen në analiza qoftë edhe të thjeshta, të studiojnë burimet e rritjes, të vështrojnë apo të analizojnë ekonominë kombëtare në tërësi, degët, sektorët, raportet, ritmet.

Përballë këtyre shifrave, pllakos akoma më shumë një pesimizëm edhe më dëshpërues dhe i pashpresë. Kur ekonomia rritet kaq shumë në një tremujor të vetëm, ne qenkemi akoma më të dënuar të vuajmë braktisjen në të cilën gjendemi, shprehen ata. Por si është e vërteta e rritjes ekonomike? E para publiku duhet të mirëinformohet që krahasimet po bëhen me periudhën më të keqe të mundshme në këta 20 vitet e fundit, me tremujorin përgjatë të cilit jo vetëm që nuk kishte rritje ekonomike, por një rënie të frikshme prej afërsisht 14%, duke nënvizuar se në disa sektorë, sikurse ishte sektori i ndërtimit dhe i turizmit rënia ishte akoma më e frikshme.

Nga një analizë e kujdesshme rezulton se prodhimi i përgjithshëm bruto i tremujorit të dytë të vitit 2021 ka kapur afërsisht nivelin e vitit 2019. Rritja ekonomike na pëlqen, por kur shpresat dhe hovi ekonomik janë të vërtetë dhe të shtrirë në gjithë ekonominë. Pse nuk dolën në konferencë për shtyp për të informuar publikun me këtë të vërtetë, diktuar edhe nga kufizimet prej pandemisë? E njëjta panoramë është edhe me rritjen e pritshme për vitin 2021. Në krahasim me një vit më parë, prodhimi i përgjithshëm bruto gjatë vitit 2021 pritet të rritet vërtet. Kjo është jo vetëm dëshira jonë, e të gjithëve, por edhe një mundësi. Njerëzit punojnë kudo ku janë, përpiqen dhe kërkojnë përditë dhe më shumë e më mirë. Por, të mos harrojmë, edhe sikur ta pranojmë për të vërtetë rritjen ekonomike të pritur prej 5% të vitit 2021, kjo është një rritje në krahasim me prodhimin e përgjithshëm bruto të një viti më parë.

Rritja kështu përcaktohet dhe llogaritet: viti vijues krahasuar me një vit më parë. Si ishte rritja ekonomike e vitit të kaluar? Si ishte, pra, PPB e vitit 2020? Viti 2020 u mbyll me rënie të prodhimit të përgjithshëm bruto gati 4,6%. Kjo do të thotë se ekonomia e vitit 2021 do të jetë afërsisht sa niveli i ekonomisë së vitit 2019. Pra, nuk kapim dot nivelin ekonomik të periudhës para Covid. Disa media u shërbejnë me zell të madh mashtrimeve të tilla, duke i transmetuar intervistat dhe deklaratat e politikanëve dhe ministrave nga disa herë në ditë. Publiku dhunohet psikologjikisht me të pavërteta. Sa e poshtër që është loja me të vërtetën! Secili kërkon që të këtë pushtet mbi të vërtetën. Kërkon që të ketë pronësi mbi të. Por e vërteta është një e vetme dhe nuk mund të tjetërsohet. Nuk më ngelet gjë tjetër veçse t’i bëj thirrje vullnetit, shpirtit dhe formimit profesional të gazetarëve të vërtetë dhe të përkushtuar: Thellohuni pak në ato që transmetoni, reflektoni, fusni veten në kronikat tuaja që të ndiheni profesionalisht të vlerësuar dhe të respektuar. Respektoj maksimalisht mendimin e pavarur dhe zërin e intelektualëve, si të atyre që mendojnë dhe besojnë se qeveria punon mirë dhe se ajo është duke bërë realitet mendimet e tyre progresive dhe idetë apo reformat e sugjeruara nga ata.

Por respektoj edhe ata intelektualë që kanë kurajën dhe kritikojnë fort qeverinë dhe qeveritë, të cilat sado mirë që të punojnë janë akoma 30-40 vite mbrapa këtij mendimi të përparuar intelektual. Por, nuk mund të vazhdoj të respektoj më intelektualët e grupit të parë kur kafshojnë gjuhën, kur zhgënjehen, kur justifikohen se jo nuk e prisnim kështu, se mungon profesionalizmi, se nuk qeveriset me teatrin e kukullave dhe vazhdojnë të heshtin. Heshtja është duartrokitje. Heshtja është vrastare. Pak më shumë respekt për veten. Atëherë, respektoni një thënie të bukur dhe shumë të zgjuar të popullit: nëse nuk ia zgjidh dot hallin një njeriu apo një komuniteti, qaja hallin të paktën, merr pjesë në fatkeqësinë që e ka pllakosur dhe thuaje një fjalë, solidarizohu me të. Ja kjo është e gjitha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura