ANALIZA/ “Përtej teorive konspirative për marrëveshjen e reformës zgjedhore”

Jan 16, 2020 | 22:03
SHPËRNDAJE

Peza

Nëse doni që të thoni të vërtetën në mënyrë që ata që keni përballë ta besojnë, thuajani ashtu siç kanë dëshirë ta dëgjojnë. Por e keqja është se në Shqipërinë e sotme politike dhe mediatike, ky rregull duket se nuk pin më ujë. Për aq kohë sa të gjithë shohin prapa gjithçkaje; një skemë, një skenar, një pazar, një ujdi, një komplot, prapaskenën apo një teorie konspirative.

Përtej të gjitha këtyre, shumëkush nuk është i prirur me sa duket që të besojë sot në këtë vend, se e vërteta e uljes së mazhorancës dhe opozitës shqiptare, në tryezën e dialogut pa kushte për reformën zgjedhore, mund të jetë shumë herë më e thjeshtë sesa mund ta mendojnë. Për aq kohë sa edhe politika jonë, nuk bën përjashtim nga të qenit pjesë e artit të të bërit të së mundshmes, të realizueshme.

Të pakënaqurit, zemërthyerit, kritizerët, skeptikët dhe ata që shohin prapa gjithçkaje shumëçka tjetër përveç asaj që duket, ka patur dhe do të ketë gjithmonë. Edhe në këtë rast. Por fakt është se vetëm 24 orë pas këtij hapi të madh nga ana e opozitës, që shënon rikthimin e saj në sistemin politik e demokratik të vendit, ndihet kudo një klimë e relaksuar sociale në planin e brendshëm. Por, edhe një reagim si kurrë më parë i faktorit më të rëndësishëm ndërkombëtar.

Në Tiranë ishte komisioneri i ri për zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili artikuloi qartë skenarin tejet optimist sipas të cilit po punohet për të nisur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, që në muajin mars, përpara samitit të Zagrebit që mbahet në maj. “Duhet që të gjithë partitë politike në Shqipëri të ndihmojnë procesin e anëtarësimit, pasi pa mbështetjen e të gjithë partive politike, nuk do të jetë e mundur kjo ecuri, si dhe vazhdimi i reformave të ndëmarra”, tha ai.

Ndërkohë që ambasadorja e re e SHBA në Tiranë, Yuri Kim takimin e saj të parë pas betimit për marjen e detyrës, e zhvilloi me Matthew Palmer, të dërguarin e Posaçëm Amerikan për Ballkanin Perendimor. Në njoftimin zyrtar, u tha se një nga dy temat kryesore të diskutimit mes tyre, ka qenë “lajmi pozitiv lidhur me përkushtimin ndërpartiak për të realizuar reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR”.

Kaq mjafton për të kuptuar më mirë e për të parë më qartë, atë se çfarë ka ndodhur jashtë syrit të opinionit publik, që e kanë shtyrë Kryetarin e PD Lulzim Basha dhe aleatët e tij të “Opozitës së Bashkuar” që të ulen në tryezën e Këshillit Politik dhe të bëhen pjesë e diksutimit dhe miratimit me konsensus reformën e re elektorale.

E para, si PD ashtu edhe LSI e aleatët e tyre i eksploruan të gjitha limitet e tyre politike, si brenda dhe jashtë sistemit demokratik të vendit, për ta detyruar mazhorancën e Kryeministrit Edi Rama që tua dorëzonte pushtetin në tavolinë, pa u futur në procesin elektoral dhe pa votën e qytetarëve shqiptarë. Duke qenë se të gjitha rrugët nuk i çuan atje ku synonin, një vit ishte i mjaftueshëm për të kuptuar se e vetmja rrugë që u kishte mbetur për të ndjekur, është ajo që kanë nisur të ndjekin tashmë.

E dyta, fakt është se në situatat normale politike PS, PD dhe LSI zotërojnë rreth 95% të skenës politike shqiptare, e për rrjedhojë edhe të pushtetit që buron nga po aq mandate që ato marin në zgjedhjet e përgjithëshme e ato lokale. Ndaj, përveç kosheincës për peshën dhe rëndësinë e këtij realiteti në jetën e vendit, ato janë të ndërgjegjshëm edhe për interesat e atyre që i votojnë, mbështesin dhe i ndjekin nga pas.

Dhe e treta, si PD ashtu edhe LSI dhe aleatët e tyre të tjerë më të vegjël, e kuptuan se sa më shumë qëndrojnë jashtë lojës së madhe politike brenda sistemit parlamentar dhe demokratik të vendit, aq më shumë i bie pasha dhe rëndësia. Për rrjedhojë, në zgjedhjet e ardhshme të qershorit 2021, nëse ato do të ndiqnin të njëjtën rrugë që ndoqën edhe në 30 qershorin e 2019, atëherë rrezikonin që të tkurreshin dhe herët ose vonë, edhe të dilnin fare nga skena politike e vendit.

Është fare e thjeshtë që të kuptohet se ka qenë pragmatizmi, ai që i ka bërë koshientë liderët e opozitës për tu nisur bashkë me vitin 2020, një fillim të ri politik. Duke u ulur kësisoj në tryezën e Këshillit Politik, ku ka nisur puna për miratimin e reformës së re zgjedhore, deri në 15 mars. Kohë kjo që përkon edhe me atë të mundësisë së çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Kushdo duhet të kuptojë se askush nuk del i humbur nga kjo marrëveshje. Përveç atyre që po qajnë parajsën e humbur, të lulëzimit të tyre veç në kohë ngërçesh, tensionesh e krizash politike, që kemi kaluar përgjatë këtyre 30 viteve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura