Lobimi i pasuksesshëm që urojmë të mos dalë edhe i gabuar

Mar 13, 2018 | 21:30
SHPËRNDAJE

prec zogajPREÇ ZOGAJ

Shumica dërrmuese e demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë gëzohen kur politikanët e tyre të djathtë apo të majtë ftohen në SHBA, priten, takohen, bisedojnë me kongresmenë, senatorë, ministra, zyrtarë të lartë të administratës deri në nivelin e zëvendëspresidentit dhe Presidentit. E njëjta gjë, kur këta politikanë janë mikpritës të homologëve apo miqve amerikanë në Tiranë. Kanë abuzuar disa prej tyre ndër vite me miqësinë dhe mbështetjen amerikane – e dimë. E kanë përdorur proamerikanizmin e popullit shqiptar për interesa meskine dhe abuzive; i kanë përdorur kreditet, takimet dhe fotot me zyrtarë amerikanë për t’i rënë me top si shpërdorues të pushtetit, për t’u vënë këmbën nganjëherë rivalëve, kundërshtarëve, gazetarëve kritikë në Shqipërinë tonë të vogël.

Për të gjitha këto kanë mbajtur e mbajnë shënim SHBA-të. Ne këtu në Tiranë i kemi konsideruar abuzimet me vizitat në SHBA dëme anësore të një gjëje shumë më të madhe. Që është miqësia dhe partneriteti strategjik me vendin që ka bërë më shumë dhe na është gjendur si askush në disa prej sfidave më të mëdha të kombit tonë. A t’i numërojmë? Të gjithë i dimë. Proamerikanizmi ka qenë drama e shqiptarëve, kur nuk kanë mundur ta manifestojnë, ta kenë e të gëzojnë. Ai është sot një aset i pazëvendësueshëm në konfigurimin ku na ka vendosur historia dhe koha që jetojmë. Këtu duhet të bëjmë sqarimin se proamerikanizmi shqiptar nuk është një rendje atavike pas të mëdhenjve, siç thuhet e shkruhet nganjëherë, duke pasur parasysh lidhjet e Shqipërisë me ish-Bashkimin Sovjetik deri në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, apo lidhjet me Kinën pas prishjes me sovjetikët.

Këto lidhje i ka pas caktuar regjimi ideologjik i Enver Hoxhës për interesat e tij të pushtetit. Pavarësisht se përgjatë kohës, kur japin e marrin, njerëzit dhe popujt gjejnë gjithnjë gjëra të mira te njeri-tjetri. Proamerikanizmi është një ndjenjë dhe zgjedhje e lirë e shumicës së shqiptarëve. Është një lidhje që buron nga mirënjohja për SHBA-të dhe admirimi për demokracinë amerikane. Është vizion dhe vetëdije për aleancën më të mirë e më të sigurt që kemi për sot dhe për nesër. Proamerikanizmi është një ndjesi e plebishitit të përditshëm, pra, ngjason me një ndjenjë kombëtare. Kjo nuk përjashton mirënjohjen dhe respektin për vendet e BE-së, për Italinë dhe Greqinë, për fqinjët në përgjithësi; nuk përjashton hapjen dhe bashkëpunimin me Rusinë, Kinën dhe vendet e tjera të botës, për aq sa edhe ato kanë interes të bashkëpunojnë me vendin tonë të vogël, duke respektuar interesat e ndërsjella, sensibilitetet e trashëguara nga periudhat e shkëmbimeve të mëdha me këto vende, nderimin për letërsinë, artin dhe kulturën e ndërsjellë.

Në gjithë këtë kontekst, relatat shumë të mira e të ngrohta të kryetarit të ri të PD-së, Lulzim Basha, me administratën e Presidentit Obama, sidomos me zevëndëssekretaren e Shtetit, Viktoria Nuland, janë parë gjithnjë me gëzim të madh nga demokratët dhe euroatlantistët shqiptarë. Vizitat e Bashës si shef i opozitës në SHBA, me një agjendë takimesh të përafërt me atë të një Kryeministri dhe vizitat në selinë e opozitës në Tiranë të zonjës Nuland, të zevëndëspresidentit Joe Biden, gjatë një turi afirmativ të këtij të fundit në vijat e kuqe të euroatlantizmit në rajonin tonë – të gjitha këto dhe sa e sa takime të tjera me zyrtarë të tjerë të rëndësishëm të administratës amerikane, përfshirë ato me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, e afirmuan Bashën si një partner të respektuar dhe janë perceptuar në qarqet politiko-mediatike të Tiranës si tregues entuziastë, pra, më shumë se konstantë, të orientimit perëndimor të opozitës shqiptare.

Falë këtij respekti, ka qenë e natyrshme që Basha të merrte pjesë në konventën e demokratëve me rastin e nominimit të kandidates për Shtëpinë e Bardhë, Hilari Klinton. Në këtë linjë, kryetari i PD-së ka qenë domosdo dyfish i interesuar të krijonte njohje dhe lidhje me administratën e Presidentit të ri, Donald Tramp. Instalimi i Tramp në Shtëpinë e Bardhë, në janar 2017, përkoi në kohë me një vit zgjedhor në Shqipëri. Mbështetja amerikane ishte jetike për opozitën në kushtet e kanabizimit masiv me impakt elektoral të vendit. PD kishte të dhëna se partitë e qeverisë kishin vendosur t’i blinin zgjedhjet me paratë e drogës dhe korrupsionit. Vetë ambasadori Lu kishte dhënë alarmin që në muajin dhjetor se politikanë të korruptuar dhe krimi do të blejnë votat në zgjedhjet e qershorit 2007.

Lobimi i PD-së pranë administratës së re, për të evituar sa të ishte e mundur blerjen e votës, ishte i drejtë, i përligjur. Askush, përveç rrethit të ngushtë të Bashës, nuk e ka ditur atëherë sa para janë dhënë e po jepeshin. Thuhej se Partia po punonte me lobistë të fortë për të sensibilizuar administratën e Presidentit. Në suksesin e kësaj përpjekjeje, nuk mund të mos llogaritej fjalori i rëndë dhe angazhimi i panevojshëm, në zgjedhjet amerikane, i Kryeministrit të Shqipërisë së vogël kundër kandidatit Donald Tramp. Fakti është se lobimi në fjalë rezultoi i pasuksesshëm. Zgjedhjet në Shqipëri u blenë. Ajo që kishte parashikuar ambasadori Lu në janar, ndodhi. Si për të dëshmuar se Presidenti Tramp as e çonte nëpër mend të përdorte pushtetin e madh për të nxjerrë inate të vogla, insultuesi i tij në Shqipëri s’pati asnjë pengesë të bashkonte në një shumore të vetme mandatet e pastra, me të cilat, me gjasë, do të dilte i pari por jo fitues, me mandatat e blera për të bërë shumicën që e lejonte të qeveriste i vetëm.

Një analizë e thellë është dashur të bëhet në kupolën e PD-së për arsyet e dështimit të lobimit në fjalë. Është fyese për arsyen të mendohet ajo që pëshpëritet si legjendë urbane lart e poshtë se amerikanët i kishte kapur dhe madje i mban të kapur Edi Rama! Dështimi i lobimit është pikësëpari dështimi i lobuesve. Nuk janë treguar të zotë, nuk janë zgjedhur ata që duheshin, nuk i kanë justifikuar paratë që kanë marrë, kanë qenë vërtetë “dizastër”, po të huazojmë një fjalë të përdorur nga zoti Berisha. Le të bëhet ky pësim, një mësim i mirë për të gjitha partitë shqiptare. Por nuk është vetëm kjo. Siç e kam thënë edhe herë të tjera, PD bëri një gabim të madh që bashkë me kërkesën për dorëheqjen e Ramës – kërkesë e drejtë – bojkotoi votimin e komisioneve të vetingut.

Kjo e futi çadrën në regjimin e moszgjidhjes dhe mbajti larg saj amerikanët dhe gjermanët, që kishin si përparësi të politikës së tyre në Shqipëri Reformën në Drejtësi, të cilën e kishin edhe fëmijën e tyre. Edi Rama e shfrytëzoi këtë rrethanë për t’u kredituar si flamurtar i reformës dhe për të lejuar apo edhe ndërsyer ndërkohë banditët kundër zgjedhjeve. Ai nuk kishte leje nga kurrkush për ta bërë këtë. Bash për këtë arsye ai, duke qenë partner me partnerët për shkak të postit që mban, nuk ka si të jetë dhe nuk është as i preferuari i Uashingtonit, as Berlinit. Këtë unë nuk e shkruaj si lajm të mirë, por kështu është.

Basha mund të gjejë arsye të tjera pse dështoi lobimi me lobistin Nick Muzin, por analiza duhet bërë. Tani ka dalë në skenë problemi i sasisë dhe origjinës së parave që ka marrë ky Nick Muzin për të lobuar për PD-në në SHBA. Shumë para, 650 mijë dollarë, për hiç punë! Pardje u njoftua se FBI ka nisur një hetim për origjinën e 500 mijë dollarëve që investigimi i revistës “Mother Jons” ia faturon dy firmave ruse. Hetimi nga FBI është gjëja më e mirë që po bëhet, nëse lajmi është i vërtetë. Hipotezat parapëlqejnë akuzat që kanë për destinacion fantazinë dhe bëjnë veç dëme.

Hetimi institucional zbardh të vërtetën. Investigimet dhe hetimet që po zhvillohen në ShBA kanë në fokus influencën ruse në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA dhe, më tej, kontaminimin e personelit dhe politikave të administratës se re nga kjo influencë. “Mother Jons” çon “municionin” e saj kundër presidentit Tramp. Në këtë histori, PD e Shqipërisë është kapur nga vala, si i thonë fjalës. Lobisti e ka futur në telashe, duke i ngecur një shumë me origjinë të errët, të cilën Basha e ka kundërshtuar. Le të urojmë që ky lobist, pasi ka qenë i pasuksesshëm dhe nuk i ka hallall paratë që ka marrë nga PD e Shqipërisë, të mos dalë se ka qenë edhe njeriu i gabuar në këtë histori.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura