Analiza/ “Ndrenika u shtri para Veliajt dhe Avniut të Teatrit ju shkref para ministres, si u zbythën artistët”

Feb 22, 2018 | 9:40
SHPËRNDAJE

ILIR DEMALIA

demalia

Në debatin e filluar për prishjen e Teatrit Kombëtar, duhet të ishte hapur kohë më parë një debat më i gjerë, përtej artistëve dhe njerëzve të artit, një debat qytetar, dhe pse jo, me një kërkesë dhe presion qeverisë nga qytetarët e Tiranës deri në bllokimin e qeverisë, për një referendum për Tiranën për përcaktimin e objekteve dhe shesheve si vlera të trashëgimisë historike dhe kulturore dhe mostjetërsimin, apo dhe më keq, prishjen e tyre.

Flaka e kashtës, nisur nga artistët, për prishjen e teatrit, do të ishte mirë të ishte pikënisje për ndalimin e marrëzisë Rama, i cili, me narcizmin e tij është kthyer në një ortek të së keqes, jo vetëm sociale, por edhe fizike në shkatërrimin dhe rrënimin e vlerave historike e kulturore dhe katastrofike urbane të kryeqytetit.

Rama ka si qëllim të zhdukë çdo gjurmë të kryeqytetit për të ndërtuar ERËN Rama. Ai e ka kryer një pjesë të madhe të saj. U shkatërruan Blloku me vilat në Tiranë, u shkatërruan kinematë “17 Nëntori”, “Republika”, ku për këtë të fundit u shpenzuan miliona dollarë për ta rikonstruktuar dhe pastaj për ta shembur dhe ngritur kulla. U shkatërrua dhe u la të rrënohej, jo vetëm nga Rama, por edhe paraardhësi tij Berisha me qeverinë e tij, jo pa qëllim, Hotel Dajti, një nga vlerat e rralla si arkitekturë-luksoze, jo vetëm e Tiranës, por Ballkanit, për kohën kur u ndërtua. Ky njeri, që pretendon se është artist dhe ka qenë edhe sportist, shkatërroi jo vetëm historinë e futbollit shqiptar, por edhe vlerën dhe bukurinë funksionale dhe pamore të gjësë më të bukur të stadiumit “Qemal Stafa”. Duke i vënë dinamitin stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, ka bërë jo më pak se Enver Hoxha me hedhjen në erë me dinamit të Kishës Katolike të Vaut Dejës, ku ishte martuar Skënderbeu, në portën e së cilës ishte e shkruar: “N’amen t’atit, t’birt e t’shenjtit, Amen!

Qytetarët e Tiranës (në qoftë se kanë ngelur të tillë) duhet të kenë më shumë respekt dhe dashuri për qytetin e tyre dhe kujtesën historike. Tirana duhet të protestojë dhe detyrojë, por edhe të largojë sa më parë këtë Kryeministër si urryes i Tiranës historisë dhe vlerave të tyre, njerëzillëkut, bujarisë dhe bukurisë së këtij qyteti, që i hapi portën gjithkujt me dashuri dhe respekt. Qytetarët e Tiranës duhet të shpëtojnë urgjentisht duke ndaluar dhe larguar këtë Kryeministër, shkatërrimin e mëtejshëm të Tiranës.

Jemi shtet që nuk e kemi shtëpinë ku është kryer akti i Pavarësisë, nuk kemi as flamurin që u ngrit në shpalljen e aktit të Pavarësisë, e kështu nuk kemi as dokumentin origjinal, Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Tri elementet e themelit-shtetit na mungojnë. Gjë që tregon shumë për kulturën dhe ruajtjen e vlerave të historisë së shqiptarëve si trashëgimi dhe fakt historik. E kemi shkatërruar atë për ta falsifikuar në funksion të ideologjive apo regjimit sundues të radhës, siç po bën dhe Rama sot.

Nuk kemi tempullin e parë demokratik, Parlamentin. Nuk e kemi, se Hoxha e bëri teatër kukullash, kukullat i futi në atë godinë që quhet Parlament, që edhe sot vazhdon i mbushur me kukulla, banditë, vrasës, trafikantë, injorante dhe grabitës të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ky është teatri i kukullave sot, që shqiptarët ndjekin në TVtë si shërbim kukullash, për të grabitur së bashku me kukullat duke ngritur ERËN Rama dhe duke shkatërruar Tiranën dhe Shqipërinë në funksion të pasurimit të tyre kriminal.

Nuk ka Tirana sot godinën e pare të Bashkisë së qytetit, nuk ka rrugët e pazarin ku u themelua ky qytet dhe flasim për turizëm! Për një të huaj, qyteti i Tiranës i ka fillimet me pallatet e Shallvareve të Spiro Kolekës, me Piramidën e Enver Hoxhës dhe me betonin e Edi Ramës si varrosje e së tërës. Pra, nuk kemi ato simbole, të cilat bota i ruan me fanatizëm, që lidhen me krijimin e shtetit dhe kryeqytetit të vendit si trashëgimi kulturore dhe historike dhe si identitet.

Uroj që të jem i gabuar, por ky Kryeministër do ta realizojë deri në fund delirin e tij për ERËN Rama. Do ta realizojë edhe prishjen e Teatrit Kombëtar. E kjo, pse e ka bërë me kinema “17 Nëntorin”, “Republikën”, me stadiumin kombëtar, me sheshin e Tiranës, një tjetër shëmtirë pas shëmtirës së Bashës. Kurrkush nuk jep llogari për miliona dollarë abuzime me klientët e tyre të shkatërrimit të Tiranës, si abuzim dhe vjedhje për t’u pasuruar me paranë publike. Rama e di se banuesit e Tiranës janë të pandjeshëm, të paaftë, të pafuqishëm për ta ndaluar. Ai tashmë nuk ndalet në marrëzinë e tij edhe për atë, se nuk mund të ndalet, e kjo edhe pse nuk do të ndalet! Kjo, ngaqë nuk e lejojnë të ndalet nga obsesioni i tij për të qenë i pushtetshëm që po shkatërron jo vetëm Tiranën, por gjithë Shqipërinë, tashmë të rrënuar prej politikës kriminale dhe makutërisë së klasës politike të këtij postkomunizmi-komunist.

Rama do ta çojë deri në fund edhe për atë, se çdo “protestë” e grupimeve të ndryshme si në rastin e artistëve për teatrin, ato ndizen e fiken si flake kashte. Kjo sepse nuk kanë vendosmëri dhe moral, forcë dhe bindje, që të jenë qëndrestarë, por kanë nevojë për pak ledhatim dhe ndonjë kockë të hedhur si projekt për ndonjë përfitim-abuzim nga pushteti. Ky është qëndrimi i përgjithshëm i artistëve, intelektualëve, jo vetëm gjatë regjimit diktatorial, por edhe gjatë këtij tranzicionit postdiktatorial në rrumpallën demo(n)kratike.

A ka bërë ndokush ndonjë transparencë apo kërkuar llogari se sa para janë hedhur deri më sot nga buxheti i shtetit për Alba filmin? Ja po ua them unë, mbi 100 milion dollarë. Ku janë filmat? Vlera e këtyre filmave sa kanë kushtuar? Ku janë ndarë paratë? Çfarë vlerash kulturore- artistike na kanë lënë këto filma? E njëjta gjë mund të thuhet e kërkohet për teatrin! Për të mos folur pastaj për ndonjë shkrimtar të preferuar të të gjitha regjimeve, të cilit i jepen qindra mijëra dollarë për botimin e librave të tij jashtë, siç ka bërë qeveria Berisha në 1995, apo siç bëjnë rilindësit e sotëm, duke i ngritur shtëpinë e tij muze dhe të tjera e të tjera të padukshme në dukjen e madhe të komprometimit me të keqen, si dje dhe sot.

Edi Rama nuk erdhi këtu nga hiçi, ai gjeti bazamentet e ngritura të kësaj lloj rrumpalle grabitqarësh nga qeverisja e Berishës si model vulgariteti dhe shteti klanor, pasuar nga Nano i papërgjegjshëm ,që e ktheu shtetin në një tavolinë pokeri dhe tashmë Rama e ka rrugën e hapur për zhvillimin e kullave të betonit, si betonim i krimit në shtetin shqiptar.

Por nuk mund të jenë as këta përgjegjësit kryesorë për këtë gjendje, në të cilën ka ardhur vendi, me ta janë bashkëpunëtorët e tyre, janë intelektualët, artistët, në qoftë se mund të flitet për të tillë… janë populli i qullosur dhe i pajtuar duke bashkëpunuar me të keqen, duke u treguar të vegjël dhe pa dashuri për vendin dhe të ardhmen e vendit dhe brezave që do vijnë.

Konica na shkruante rreth 85 vjet më parë: Një veçori tepër fatkeqe e shqiptarëve dhe që bie shumë në sy, është mungesa e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq lehtë për vogëlsira, është e padëgjuar të vdesësh për një ideal apo për një çështje. Kjo shpjegon pse Shqipëria nuk e fitoi lirinë…”.

Edhe sot, shqiptarët vriten për një pasqyrë makine apo për gjëra nga më ordineret. Megjithëse kanë kaluar 100 vjet, gjendja bëhet dhe më e rëndë dhe e pashpresë! Kjo edhe për faktin se shqiptarët nuk janë treguar të aftë për të ngritur elita intelektuale-shtetformuese për shtet të së drejtës, elitë kulturore për të krijuar një frymë qytetarie dhe lirie, integriteti dhe dinjiteti. E kështu për të formuar dhe vënë në funksionim shtetin e së drejtës me demokraciliberale. Kjo, edhe pse, këto të vetëquajtura elita i kanë shërbyer ose i janë nënshtruar së keqes së pushteteve të radhës duke u bërë pjesë e së keqes apo duke u zbythur.

Zbythja, zbythja, zbythja! E patë si u zbyth Avni Rustemi, kur u takua me ministren e Kulturës Kumbaro? Pasi u përqafua, ai që kishte recituar me patetizëm dhe mallkuar politikanët dhe qeveritarët deri te fëmijët një ditë më parë, i tha: – Zonja ministre, unë kam respekt për ju, se unë jam mik dhe me vëllain tuaj Benin…. Avniu e nxori revolen dhe qëlloi mbi Esat Pashën, por Avniu i teatrit Asqeriu, e ngrefi, po ju shkref para ministres. Kujdes thepin Asqeri!

E patë si u shtri Ndrenika, jo në skenën e teatrit siç tha, se do të vdiste aty bashkë me teatrin! Jo, dje u shtri në këmbët e Veliajt me një kafe dhe ranë dakord të mos shtrihet më në teatër.

Në mbyllje po citoj një pjesë të një eseje të Pater Anton Harapit për leskër kulturë me titull, “Tue kërkue ta bajm jetë sa ma të lehtë, shvleftësuem jetën vetë”, e kjo ka ndodhur e vazhdon të ndodhë me elitat si shërbim me të keqen e pushteteve të radhës për ta bërë jetën e tyre sa më të lehtë, duke rrënuar jetën e një shoqërie të tëre.

“Vallë, pse tash tridhetë e sa vjet të pamvarësisë, me të gjitha përpjekjet për kulturë, erdhëm e u vorfnuem shpirtnisht? Ky problem i madh, për mue, ka nji shkak të vetëm, nji spjegim të thjeshtë: rreziku i ynë pse vumë leskër kulture d.m.th. nuk morëm kulturën vetë, por morëm format e përftimet e kulturës dhe i përshtatëm; shndërruem vlerat objektive me vlerat relative; përparuem për dukë, ndërsa realisht në shpirt borëm shumë, mbetëm mbrapa; u dhamë randësi të parë mjeteve e harruem qëllimin; tue kërkue ta bajm jetë sa ma të lehtë, shvleftësuem jetën vetë. Lavrimi i mendjes, trajtimin e vullndesës, ndiesitë e nalta shpirtnore i qitëm e i lamë në vend të dytë e të tretë. Faktori shpirtnor nuk pati vendin e vet, vendin e parë. Ja, sot në Shqipni nuk të pyetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don të dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë. Nuk po lypet të jesh i dijshëm, as i aftë, mjaft të dijsh me u mbajtë dhe me u dukë i tillë.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura