ANALIZA/ Mero Baze: Nekrofili që jeton me vdekjet e të tjerëve

Dec 26, 2021 | 16:30
SHPËRNDAJE

Nga Mero Baze

mero berishaKa disa ditë që Sali Berisha po përflet vdekjen e një qytetareje vetëm pse aty kanë shkuar për ngushëllime disa politikanë të qeverisë dhe Lulzim Basha. Bëhet fjala për nënen e një botuesi. Me një këmbëngulje prej nekrofili, ka një javë që e thotë herë me gjysmë zëri e pastaj me “detaje” të plota se si Lulzim Basha, Erion Veliaj dhe Taulant Balla kanë shkuar bashkë për ngushëllime në një vdekje dhe aty pastaj kanë vendosur të publikojnë dhe listën e pagave të gjithë Shqipërisë.

Nuk është se bën kujdes të ketë ndonjë lidhje logjike ajo që shpik, por i intereson të përshkruajë një darkë mes armikut të tij të ri dhe armiqve të tij të vjetër, për ta demonizuar atë.

Në fakt ka plot mënyra për ta demonizuar Lulzim Bashën dhe Sali Berishës nuk i mungon fantazia për gjëra të tilla. Por ai ka një kënaqësi perverse të poshtërojë të vdekurit dhe ceremonitë mortore, kur ato janë pjesë të fatkeqësive të njerëzve që nuk janë me të.

Viktima këtë radhë është një botues që ngjan të jetë më afër Bashës se sa Berishës, në debatin mes tyre. Dhe kaq ka mjaftuar që ai t’i shkojë deri tek varri i nënës, me idenë se po hakmerret dhe po e poshtëron.

Kjo është një traditë mizore e tij qyshkurse ka hyrë në politikë. Fatos Nanon e liroi nga burgu me vonesë kur i vdiq nëna dhe i vuri gjithë SHIK ta përgjonte, kë takoi, a e takoi gruan, a fjeti me të, dhe pastaj shpiku histori pa fund rreth asaj se çfarë udhëzimesh dha ai në vdekjen e nënës kundër “armiqve” të partisë. Fantazia e tij kur ka një arkivol përpara i ngjan fantazie së njeriut me dëshira të ndezura nga nekrofolia.

Të njëjtën gjë bëri me Dritan Hoxhën, pronarin e Top Channel-it, ndërsa ai vdiq në aksident me një bashkëpunëtore të tij. Nuk e zinte gjumi dhe nuk ngopej me vdekjen e tij, pa e poshtëruar viktimën tjetër, madje duke i dërguar dhe një zëvendësministre në shtëpi për ngushëllime, vetëm për të ekspozuar nekrofilinë e tij.

Të njëjtën gjë ka një javë që bën. Nuk e zë gjumi nga emocionet e një nekrofili vetëm pse ka vdekur prindi i një botuesi që nuk e konsideron më mik të tij dhe shpik histori duke e lidhur me gjithë armiqtë e tij. Të gjithë armiqtë e tij i përfytyron rrotull një arkivoli. Kohët e fundit kjo fantazi lidhet me Lulzim Bashën.

Askush tjetër në politikën shqiptare nuk e ka bërë këtë. As kur zyrtarë të lartë të PD apo deputetë të saj kanë pas vdekje aksidentale të përfolura. Pasi të gjithë kanë një kod nderimi për vdekjen, përveç këtij njeriu që nekrofilinë e ka identitet të tij dhe të vetmin përfytyrim që ka për kundërshtarët, është arkivoli. Por jo arkivoli i mbyllur, por ky sipër arkivolit duke e poshtëruar. /Tema/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura