Lleshaj humbi luftën pavarësisht fitores së betejës. Pse Rama doli i vetëm kundër panikut nga tërmeti

Dec 4, 2019 | 20:15
SHPËRNDAJE

Redi Gjuzi 

rama-rrenoja

Kryeministri Edi Rama është shfaqur kaq shumë në media, edhe ato të kazanit, gjatë periudhës pas tërmetit, saqë sot që nuk ishte, dukej se edhe tërmeti pushoi. Në një rivalitet me çdo godinë të shembur, çdo tullë të thyer, Kryeministri e tejkaloi edhe numrin rekord të lëkundjeve, mbi 1500, që pas tmerrit të 26 nëntorit. Shumë e kritikuan për tejkalim, për mungesë takti në komunikim, për krijimin e një situate absurde, ku dukej se tërmeti dhe Rama po përballeshin në TV kush krijon më shumë lajme. Ndonëse duket absurde, Rama ka pasur të drejtë.

Në dy shfaqje në mungesë të Ramës, dy eksponentë të lartë të qeverisë dhe PS-së bënë gafa të frikshme. Kryebashkiakja e Durrësit u desh të dorëhiqej në mes të krizës, për shkak të deklaratave të saj gati ofenduese për viktimat e tërmetit, edhe pse detyra e saj ishte kryesore për përballimin e situatës në kryeqendrën e tërmetit në Durrës.

Zbulimi i tablosë që krijoi largimi i Ramës nxori në pah edhe një tjetër ministër. Ushtaraku Lleshaj, në postin e ministrit të Brendshëm, i tejkaloi totalisht kompetencat e veta në një debat për dëmtimin e një pallati në Lezhë. Lleshaj dëgjohet me zë e me figurë kur debaton me ton urdhërues me shefin e Urbanistikës së bashkisë. Debati (link) tregon qartë panikun e dy personazheve.

I pari, shefi i Urbanistikës, që me frikën e asaj që kishte konstatuar në kolonat e pallatit kërkonte ndërhyrjen e qeverisë. Dhe i dyti, ministri, që me detyrën e qartë që kishte marrë, “mos përhapni panik”, shpikte matje të tjera të dëmeve dhe vinte në diskutim profesionalizimin e urbanistit. Debati, mes qesharakes dhe ushtarakes, u ndërpre me fitoren e ministrit dhe panikun e shtuar të banorëve të tjerë, që bërtisnin pa marrë përgjigje.

Ajo që la pas debati ndahet në dy pjesë. Një qeveri që ka ministër të Brendshëm një ushtarak, mund të ketë në Lezhë një shef Urbanistike kuzhinier. Dhe këtu, ministri Lleshaj mund të ketë të drejtë. Por ai nuk e tha një gjë të tillë në debat. Ndaj mbetet pjesa e dytë. Në debat u pa vetëm që ministri ushtarak u bë edhe inxhinier ndërtesash të prekura nga tërmeti. Ai, nën urdhrin e komandantit, që për koincidencë ka shkuar në NATO, kishte vetëm një synim. Beteja e Lleshajt ishte kundër panikut dhe pavarësisht kostove, ajo duhej çuar deri në fund.

Vetëm se pavarësisht fitores së betejës, Lleshaj sot humbi luftën. Ai me insistimin e tij antipanik, me shpikjen e xhamave të thyer dhe teorive inxhinierike, qartësoi se politika e vetme e qeverisë nuk është kontrolli i ndërtesave, por ulja e panikut. Lleshaj dje tregoi se meraku i vetëm i ministrave dhe Kryeministrit, që bërtet në më shumë se gjysmën e kohës kundër mediave, që sipas tij shpikin lajme, nuk qenka siguria e banorëve, por mospanikosja e më pas mosrebelimi i tyre.

Lleshaj sot vuri në dyshim të gjithë punën e bashkive, grupeve të kontrollit, që u garantojnë qytetarëve cilësinë e apartamenteve dhe shtëpive pas tërmetit. Në këto kushte, ministri ushtarak e ka tejkaluar me herë lapsusin dorëheqës të kryebashkikes së Durrësit. Spaletat e tij, tashmë vënë në dyshim të gjithë qasjen e qeverisë.

Thirrjet e Kryeministrit kundër medias, arrestimi, shoqërimi, kërcënimi dhe mbyllja e portaleve dhe gazetarëve se përhapin panik, të lidhura me debatin e ministrit dje në Lezhë, të çojnë në një drejtim. Qeveria nuk ka problem kryesor pasojat e tërmetit. Qeveria ka një panik, qytetarët që mund të frikësohen nga paaftësia e saj. Dhe për këtë angazhon edhe ministra, edhe kryebashkikë në një betejë të kotë, në luftën kundër panikut.

Ka dhe një argument, që ia zbërthen xhyben ministrit. Në shtator, një tërmet i madh i lëkundi fort ndërtesat në Tiranë dhe Durrës. Shumë nga ato nuk e duruan lëkundjen e dytë të 26 nëntorit. Dhe ta mendosh që atëherë s’kishte as panik, as gazetarë e qytetarë të arrestuar. Kishte qetësinë, që kërkon sot qeveria e Lleshajt. Pasojat e qetësisë po i shohim përditë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura