Lista, dita e popullit ende larg

Mar 10, 2021 | 13:15
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJPrec-Zogaj

Falë presingut të ambasadores së SHBA, zonjës Yuri Kim, por edhe falë  shembujve  nga zgjedhjet e mëparshme, ku gënjeshtarët i kanë parë sherrin fshehjes së të kaluarës,  gjasat janë që të mos ketë në këto zgjedhje kandidatë, CV-të e të cilëve bien ndesh me ligjin e dekriminalizmit.

Ndërkaq nuk është shumë e qartë çeshtja e kandidimit të personave që mund të jenë në listën e zezë të SHBA-së. Për këtë pikë mund të sqarohemi kur zonja Kim të shprehet për listat në dritën e kërkesave amerikane.

Sidoqoftë, duket qartë se kësaj radhe nuk do të kemi nepër lista kandidatë të dënuar si narkotrafikantë apo të përfshirë në vepra të penale të parashkruara në ligjin e dekriminalzimit. Merr fund kësisoj eksperimenti pa precedent i kryeministrit Rama për promovimin e narkotrafikantëve në politikë. Përtej kësaj arritjeje, tabloja e është pak a shumë si çdo herë tjetër qëkurse Shqipëria  voton me ligjin zgjedhor në fuqi, proporcinal–rajonal me lista të hapura sa vrima e gjilperës, de facto të mbyllura.

Ka deputetë që rikandidohen për të disatën herë, ka anëtarë forumesh apo mbështetës të partisë e kryetarit që kandidohen  për herë të parë fale kontributeve të tyre politike-mediatike; ka  aty këtu  individë pa parti, me shkolla të mira dhe karrerë  të mirë, kandidimi i të cilëve ushqen retorikën e qarkullimit të elitave, kënaq nevojat e kryetarëve  për operacione imazhi dhe lejon nga ana tjetër të “humbasin” në  pyllin e larushive njerëzit  e kupolave  që ndajnë me kryetarët  pushtetin real në partitë tona kryesore.

Fakti është se Shqipëria po shkon sërish në zgjedhje pa trasparencë për njerëzit e këtyre kupolave që janë elita reale politike e vendit. Ata kanë  shkëmbyer nga llogoret respektive  akuzar nga më të rëndat për përfshirje në korrupsion dhe krime  të ndryshme, përfshirë krimet zgjedhore. Kanë depozituar edhe padi në SPAK kundër njëra tjetrës. Kanë qenë gjithashtu subjekt i investigimeve të pavarura nga media dhe gazetarë profesionistë, që kanë publikuar  fakte për përfshirjen e tyre në afera  të dënueshme.

Mjerisht, Shqipëria shkon në zgjedhjet e vitit 2021 pa e venë në punë drejtësinë e re, pa e përuruar dot ditën e saj të parë, që, siç e kemi thënë edhe herë të tjera, do të jetë dita kur një  prokuror i SPAK do të lexojë prentencën e pare dhe një gjyqtari. I Gjykatës së Posaçme do të japë dënimin e parë për korrupsion dhe abuzime ndaj  një zyrtari apo ish-zyrtari të sferave të larta.

Shumë prej zyrtarëve të akuzuar reciprokisht apo nga mediat  vendase e të huaja për abuzime deri kolosale po shkojnë të  rivishen me imunitet parlamentar, falë sistemit me lista faktikisht të mbyllura që nuk u lejon zgjedhesve të mbajnë qendrim ndaj tyre  duke i veçuar nga  partia përkatëse. Në garën  me kohën,   kupolat politike kanë fituar me drejtësinë dhe do të rivotohen pa trasaprencën minimale për akuzat e njohura. Ky, sigurisht është një lajm i hidhur  dhe një bast i humbur për momentin për  mijëra e mijëra qytetarë  që  kanë pritur  me padurim të shohin përpara zgjedhjeve  startin e premtuar të betejës kundër pandëshkueshmërisë në sferat e larta.

Siç e kemi argumentuar edhe herë të tjera, oligarkia politike  plurale dhe konfigurimi elektoral  në vendin tonë nuk mundësojnë ende një ndyshim dhe çlirim  me votë popullore . Është drejtësia që duhet të hapë rrugën. Drejtësia do të veprojë, nuk ka dyshim. Ajo po vjen, anija e saj po të shprehemi në gjuhë figurative,  është drejt portit. Faktin  e shkuarjes në zgjedhje me  kupola të pacënuara e vemë në dukje thjesht për të kuptuar se “ debati” për listat, kështu i tepruar siç  bëhet, ka edhe vlerën e një zhurmimi që duhet tua kursejmë sa të jetë e mundur qytetarëve shqiptarë.

Për shkak të sistemit me lista të mbyllura nuk është e mundur të njihet pesha elektorale e kandidatëve. Shumica dërmuese e tyre nuk janë votuar ndonjëherë. Në pakicë shumë e vogël janë votuar për herë të fundit në vitin 2005. As ata  nuk e  dinë më peshën e tyre elektorale. Në mungësë të një ligji ku deputetët zgjidhen me emër nga zgjedhesit, por jo vetëm për këtë, ka qenë dhe është urgjente që edhe në Shqipëri të gjenden mekanizma e zgjidhje që mundësojnë garën e kandidatëve dhe masin mbeshtetjen e tyre. Konkurenca e kandiatëve në primare (votim nga anëtarësia apo edhe sipatizantët) është një mënyrë  që aplikohet  tashmë gjerësisht në vendet  demokratike. Konkurenca  është  motorri i demokracisë në çdo fushë.

Të heqësh konkurencën  është njëlloj si të fikësh motorrin. Në vendin tonë konkurenca politike është zevendësuar me  qokat, me  shpërblimin për  mbështetjen e qëndrimeve të  kupolave dhe  edhe kur ato rresultojnë  të  gabuara; është zevendësuar me “tabelen e nderit”, kur është fjala për të thirrur në skuadër ndonjë person publik me emër në fushën e tij, që merret më të njëjtën lehtësi  si të fortët dje.  Gjithçka është në subjektivitetin  e kryetarit  dhe kupolës  dhe ky raport deformon vetë funkisonimin  demokratik të partive. Krijon edhe plot telashe të tjera të hatërmbetjes  që nuk do të krijoheshin me një sistem që mat paraprakisht,pak a shumë, peshën elektorale të kandidatëve.

E  gjithë “metodologjia” e listave  vjen në linjë me  filozofinë e  statusquosë  dhe  sundimit kleptokratik. Si përfundim  populli nuk zgjedh dot përfaqësues. Bashkuar me atë  që pandëshkueshmëria  në sferat e larta s’ka pësuar ende një gërvishtje, kjo e listave të kryetarëve na tregon sërish  se dita e popullit në kuptimin e zgjedhjes  së përfaqësuesve të tij,  është  akoma larg.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura