Kush qëndron pas puçit

Jul 17, 2016 | 11:00
SHPËRNDAJE

ezgi besaranEZGI BASARAN

Që nga themelimi, Republika e Turqisë ka njohur ndërhyrje të shpeshta të ushtrisë në politikë, dhe që nga ajo kohë ka njohur katër puçe ushtarake.

Dy prej tyre çuan në ndryshimin e qeverisë, por pa përmbysje të drejtpërdrejtë. Të gjitha këto kanë patur pasoja të mëdha, duke marrë jetë njerëzish. Por asgjë nuk ka të krahasuar me atë që kemi parë natën e 15 korrikut 2016.

A e prisnim ne një puç? Jo. Edhe pse ka patur zëra pakënaqësish në radhët e mesme të ushtrisë ndaj Presidentit Erdogan dhe politikave të tij, puçi nuk shihej si rrezik.

Dhe për këtë ka një sërë arsyesh. Së pari, partia qeverisëse ka bërë hapa të mëdha vitet e fundit për të miminizuar ndërhyrjen e ushtrisë në politikë.

Në vitin 2007, shefi i FA-ve, Gen Yasaj Buyukanit kundërshtoi Abdullah Gulin për t’u bërë President – një nga themeluesit e AKP-së dhe mik i ngushtë i Erdogan.

AKP-ja dhe Parlamenti e injoruan Buyukanitin dhe Gul u zgjodh President. Por ndërhyrja e gjeneralit në punët e qeverisë paralajmëronte konflikt me AKP-së dhe ushtrisë.

Dhe kjo bëri që AKP-së t’i rritej mbështetja. Një muaj pas ndërhyrjes së Buykunatit në punët e qeverisë, pati një hetim të madh ndaj Ergenekonit, një prej të cilësuarve si terrorist dhe pjesë e fraksioneve nacionaliste në Turqi.

Ai akuzohej se kishte planifikuar shumë komplote dhe atentate me bomba për të dobësuar qeverinë turke dhe ka ndikuar jo pak në sferën politike turke.

Gjithashtu, hetimi i madh përfshiu edhe ish-shefin e ushtrisë, Gen Ilker Basbug. Në vitin 2010 pati një tjetër operacion të madh hetimi që u finalizua me arrestimin e 300 zyrtarëve të lartë të ushtrisë.

Ata u vunë nën akuzë për planifikimin e një grushti shteti në vitin 2003, që synonte rrëzimin e qeverisë së AKP-së.

Mirëpo, rezultoi se pjesa më e madhe e provave ishin fabrikuar. Të gjithë të akuzuarit u liruan më pas nga gjykatat.

Tashmë, thuhet se gjyqet ndaj tyre u orkestruan nga ndjekës të Gulenit në ushtri, inteligjencë, polici dhe drejtësi.

Guleni është një klerik islamik mjaft me influencë dhe jeton në Pensilvani të SHBA-ve prej vitit 1999.

Partia e Erdoganit u përqendrua shumë te ushtria, për ta pastruar nga elementë të Gulenit. Por dështimi i gjyqeve e diferencoi disi ushtrinë, qoftë nga Guleni, qoftë nga Erdogani.

Nga ana tjetër, ky i fundit vendosi që ta pastronte vendin, nga ajo që e quante si “shteti paralel terrorist”.

Deri më tani, ka qenë e qartë që Erdogani ka marrëdhënie të mira me zyrtarët më të lartë ushtarakë.

Ajo që vihet re, është se grushti i 15 korrikut, është planifikuar më së shumti nga xhandamëria dhe personeli i Forcave Ajrore.

Shumë zyrtarë të ushtrisë e dënuan grushtin e shtetit. Shefi i FA-ve dhe dy gjeneralë të flotës janë marrë peng nga junta ushtarake.

Edhe pse raportohet se shefi i FA-ve është liruar, fati i dy admiralëve nuk dihet. Ka shumë teori se kush mund të fshihet pas grushtit të dështuar të shtetit.

Një teori thotë se ishte një skenar fals i Erdoganit për të qëndruar në pushtet dhe për të fituar më shumë mbështetje.

Por arsyeja të thotë se për nga mënyra se si shkuan gjërat, nuk duket si skenar i tij.

Një tjetër teori e nxjerrë nga ndjekësit e Ataturkut, thotë se puçin e organizuan Gulenistët e ushtrisë.

Një tjetër teori që vjen nga Policia, thotë se qeveria e Erdoganit kishte planifikuar të arrestonte ndjekësit e Gulenit në ushtri ditën e sotme, por operacioni u dekonspirua dhe ata sulmuan të parët.

Presidenti Erdogan dhe ministrat e tij akuzojnë lëvizjen e Gulenit për puçin. Ai mund të ketë të drejtë, por ka diçka që nuk shkon.

Përdorimi i dhunës nuk është arma e fortë e lëvizjes së Gulenit. Gjithashtu, deklarata e juntës ushtarake i ngjante më shumë ligjërimeve të Ataturkut kur i drejtohej rinisë.

Gjithashtu, puçistët e quanin veten “Paqja në Këshillin e Brendshëm”, e cila derivon nga shprehja e famshme e Ataturkut: “Paqe në Shtëpi, Paqe në Botë”.

Megjithatë, asgjë nuk është e qartë tani. Por puçi ushtarak është gjëja e fundit që Turqia ka nevojë, ndërkohë që po përballet me rebelimin në Siri dhe kërcënimet e ISIS-it, po aq sa edhe sulmet sporadike të kurdëve.

BBC11:30:33

Përgatiti: Erald Deliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura