Kur Ruçi qortonte fshatçe Holandën për vese dje dhe leksioni etik i Ramës sot

Oct 1, 2019 | 14:00
SHPËRNDAJE

gjekmarkajNga Agron Gjekmarkaj

Pak muaj më parë, për çudi të të madhit Zot, Kryetari i Kuvendit, i frymëzuar nga një “krenari kombëtare” izolacioniste si në kohët e vjetra, i qe përveshur Holandës me qortime moraliste. Ishte koha kur një grup faktmbledhës i Parlamentit holandez po merrte kontakte në vend, mbi të cilat do të informonte qeverinë e vet mbi vendimet që ajo duhej të merrte ndaj procesit të integrimit. Gjuha ishte ajo që Partia ku Ruçi pat shërbyer si Sekretar i Parë në Tepelenë, përdorte ndaj shoqërive borgjezo-revizioniste, të krimbura nga droga dhe tahmaqarllëku i grave të përgjithshme, e denjë për rapsodët ideologjikë të Salarisë. U tha, veset i gjetëm në mesin tuaj, kanabisin, krimin e lezetet e mishit. Madje, kur i shqiptoi me zë kumbues, pa nja dy a tri herë në drejtim të kamerës plot zenit si për të thënë, ja se kush ju bën tërbiet ju! Të shumtë ishin ata që pyesnin ky Ruçi që e mban veten për namuzqar e zamani, si nuk e ngriti zërin kur Ati i Rilindjes fshinte profesorët e shkolluar në perëndim dhe në vendin e tyre caktoheshin dordomuzë me precedentë penalë për në Kuvend e bashki, ku bashkë me kumbarë e vëllamë të hurit dhe litarit u punon qindin zgjedhjeve, duke blerë, shitur e dhunuar dinjitetin e qytetarit shqiptar. Po kaq të tjerë, mendueshëm pëshpëritnin pse ishministri i Brendshëm i diktaturës nuk i qortoi pasardhësit të dalë nga organizata e Rilindjes, kur vendi mbushej e mbushet me kanabis, duke u shndërruar në projektin politik më kriminal në historinë e shtetit dhe të Europës?! Ndonjë, pikëllueshëm, pyet pse Kryeparlamentari nuk sokëlliu kundër paralizimit të shtetit të së drejtës, mungesës së gjykatave themelore. Kureshtarët, të cilëve dhembi u shkon te xhepi të murrëtyer, thonë pse shoku Gramoz nuk u ngrit asnjëherë kundër plaçkitjes së ekonomisë, koncesioneve dhe pareve, të cilat rrjedhin e pikojnë prej tyre?! Prej muajsh, vendi është zhytur në më të rënden e krizave. Qeveria, me këmbëngulje despotike, ia ka dalë të detyrojë opozitën të dalë nga sistemi, sepse aty brenda ka vdekur fjala dhe vendin e tij e ka zënë korrupsioni i veshur me kërcenim. Shoku Gramoz, me eksperiencën e gjatë politike, nuk ka dëshmuar asnjë tolerancë, asnjë përpjekje për zbutur gjuhën e urrejtjes e gjetur një zgjidhje.

Përkundrazi, dyfekun me gjalmë, brucen mbi supe dhe në llogore zjarr e helm kundër gjysmës së shqiptarëve së paku. Po ama, kundër Holandës qe hazër xhevap, më trim se këshilltarët e Hekalit para gjermanëve. Holandezët e ngratë, të cilët e kanë të fortë instinktin e institucioneve dhe të demokracisë, të lirisë, që pranon shumë ideologji dhe jo lirinë e ideologjisë së vetme, besimin e kontrollit të shtetit mbi krimin dhe jo të krimit mbi shtetin, që nuk i vjedh zgjedhjet, por i bën ato demokratike, që me gjykata të pavarura jep drejtësi pa urdhër të Kryeministrit, që opozitën nuk e trajton si “armikun e popullit”, por si ndërgjegjen e tij, po i kërkojnë qeverisë shqiptare pikërisht të ndërtojnë mbi këtë tokë diçka minimale, që t’u ngjajë shteteve të tjera të kontinentit. Paskëtaj, t’i thonë aferim hajde t’i hapim negociatat. Çudia s’ka të sosur, Kryeministri vazhdon e thotë sikur bën propagandë në Mbrostar apo Shijak, që nëse holandezët thonë jo, qenka problemi i atyre dhe jo i yni. Ky është leksioni i tij i madh etik i mullixhiut, që bluan kanabisin e Rilindjes ndaj vendit të mullinjve. Një ditë, nëse nuk rebelohen njerëzit ndaj fyerjes së inteligjencës, këtë mund ta bëjnë zhapikët, bullarët, lopët, kuajt etj. Sigurisht, nuk është deklarata hijerëndë e plot zulmë e Ruçit, ajo që i nxit holandezët të jenë kaq qejfprishur e zemërthyer me “po”-në ndaj Shqipërisë, por mënyra si Rama dhe Ruçi me sejmenë e kanë qeverisur, veshur e mbathur vendin së bashku me ciripupët e tyre, të cilët dinë çdo hile dhe urrejnë çdo rregull, teksa dashurojnë çdo përfitim. Pas 9 kushteve turpëruese që vuri Gjermania për Edi Ramën, edhe Holanda duket sikur po hedh ujë në entuziazmin e shoqërisë shqiptare për integrim. Vuajtjet historike të saj e meritojnë hapjen, qeveria aktuale kurrsesi jo. Por në fund qeverisë i intereson propaganda për Europën dhe jo ajo vetë, sepse vetëm kështu dominohet pashallëku, ku pushteti, fitimi dhe korrupsioni mbeten absolut. Integrimi e relativizon absolutizmin, po ne s’ka ç’na duhet Europa, le të na rrojë shoku Gramoz dhe shoku Edi, që hedhin valle në gojë të ujkut. Ata janë fesi i duhur për kokat tona me qoshe.

  *Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura