ANALIZA/ “Komisioni Tahiri”, prova se Rama është i shantazhuar, ka zgjedhur taktikën tërhiq e mos e këput

May 2, 2018 | 18:32
SHPËRNDAJE

ANDI BUSHATI/ Rreth dhjetë ditë më parë teksa jepte një intervistë gjysmë të shpenguar dhe gjysmë me kunja në “Zonë e Lirë” e Arian Çanit, Saimir Tahiri goditi me një frazë që nuk mori në media vëmendjen që meritonte. Ai përsëriti një shprehje të famshme të ish shefit të tij që vazhdon të jetë ende kryeministër: “Faji nuk është i njeriut, por i sistemit”.

Në kontekstin aktual kjo frazë mund të shpjegohet në kuptimin e saj të parë, atë më të arsyeshëm dhe logjik: Tahiri nuk mund të qe fajtori i vetëm i kanabizimit të mbarë vendit, i korruptimit të pothuajse të gjithë drejtorëve të policisë, i përdorimit të 128 vetëve që bënin pjesë në listën sekrete të hartuar nga ShISh-I, i avionëve të drogës që uleshin si pa të keq në brigjet shqiptare. Ajo donte të thoshte se Rama nuk mund të mos dinte gjë për këtë batërdi të ngritur në sistem, të cilën ai e kishte mohuar dhjetra herë, gjurmët e së cilës ishte investuar personalisht për t’i zhdukur (qoftë në rastin e avionëve mushkonja qoftë në rastin e Dritan Zaganit) madje duke quajtur kazan këdo që guxonte t’a ngrinte zërin.

Andi Bushati
Andi Bushati

Por, nga ana tjetër, theksimi i faktit se pas gjithë kësaj batërdie, nuk mund të qe një njeri i vetëm, qoftë ky edhe ministër i rendit, por një oktapod i tërë, mund të interpretohej lehtë edhe si një shantazh. Mund të merrej si një mesazh i koduar i Tahirit, se nëse kësaj çështjeje do t’i shkohej deri në fund, ai nuk kishte ndërmend të bëhej koka e vetme e turkut të këtij krimi kolektiv.

Në fakt, sa herë Tahiri është shfaqur në media, qoftë duke thënë: “s’keni parë gjë akoma”, qoftë duke lënë të kuptohet se ka plot gjëra që i mban të fshehta, deklaratat e tij janë shoqëruar nga një dyzim i përhershëm: A po i bën ai presion Edi Ramës? Ai ka ai në dorë fakte që e shantazhojnë kryeministrin? Ai di ai më shumë sesa ne për strategjinë e rilindjes për kultivimin dhe eksportimin e drogës?

Sado bindëse të duken këto hipoteza në fund të fundit ato kanë mbetur vetëm supozime. Askush nuk ka në dorë një provë të qartë se ish krahu i tij i djathtë po e tërheq zvarrë Edi Ramën.

Askush nuk shkon më larg sesa interpretimi i mesazheve me dy kuptime dhe gjuhës ambige që ka përdorur Saimir Tahiri.

Vetëm tani, kur ne po shohim live mënyrën se si ushtarët e Edi Ramës po sillen në komisionin parlamentar për Tahirin, ne mund të marrim një përgjigje të qartë për dilëmën, nëse kryeministri ndihet apo jo i shantazhuar.

Qeveria duke vonuar dokumentat që ndihmojnë në zbardhjen e kësaj çështjeje dhe deputetët duke kërkuar që ajo të hetohet që nga fillimi i viteve ’90, nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po shprehin një vullnet të qartë për t’a zvarritur atë.

Në fakt ata nuk po shkojnë më larg sesa qëndrimi i dyfishtë që ka mabjtur vetë Rama duke e quajtur Tahirin edhe “krahun e tij të djathtë” edhe “ministrin e policisë që duam”, por një ohësisht ka hedhur dhe dyshimin se ai mund të jetë “një vemje e padenjë për racën njerzore”.

Ashtu si atëhere edhe tani në komision, Edi Rama, po mundohet të mos ketë qëndrim, nëse Saimir Tahiri është “i miri” apo “i keqi” i filmit që të gjithë kemi parë. Ai e ka të pamundur t’a bëjë këtë.

Në një anë si kryeministër, nuk do të zhgënjejë as ndërkombëtarët dhe as zgjedhësit e tij, duke i dalë në mbrojtje ish ministrit. Nga ana tjetër, si ish bashkëpunëtor i tij, nuk do të zhgënjejë as Tahirin, jo se e do, por me sa duket se i trembet.  Prandaj ai ka zgjedhur taktikën tërhiq e mos e këput që është deri më tani, prova më e fortë se ai ndihet i shantazhuar./Lapsi.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura