Ju përqafoj nga larg

Mar 15, 2020 | 11:05
SHPËRNDAJE

EdmondTupja

Nga Edmond Tupja

Të enjten që shkoi, ndoqa me shumë interesim në emisionin “Opinion” intervistën e Blendi Fevziut me kryeministrin Rama dhe, fill pas atij, atë me kryeopozitarin Basha.

Edi Rama u orvat të na bindte se qeveria e tij po punonte shumë mirë, pse jo, shkëlqyeshëm, se në vendin tonë gjithçka ishte nën kontroll, se të gjitha masat ishin marrë nga institucionet shtetërore kompetente në mënyrë që pandemia të frenohej dhe se tashmë ecuria e situatës varej prej zbatimit të përpiktë të udhëzimeve të mjekëve nga popullsia e ndërgjegjësuar.

Më tej, ai përsëriti këshillat e rastit, tamam siç vepron një baba i mirë me fëmijët e vet, çka më kujtoi sms-në që më kishte mbërritur nga ana e tij jo vetëm mua, por edhe shumë e shumë të tjerëve, të cilën nuk po e rishkruaj fjalë për fjalë, por ku më bëri përshtypje fillimi i prerë, gati-gati kategorik (“Edi jam!”, a thua se në Shqipëri ka vetëm një Edi); pastaj u befasova nga mënyra urdhërore e foljeve (laj duart, mos lëviz, hap dritaret, ruaju nga, mos ki, bëj, merr 127); ndërsa tek i drejtohej çdo shqiptari, nuk u habita nga përdorimi i përemrit “ti” në vend të atij “ju” (në fakt, përvoja e këtyre tri dekadave, ka dëshmuar se çdo kryetar partie tek ne, me t’u bërë kryeministër, harron përfundimisht t’u flasë me “ju” bashkëfolësve, edhe kur këta janë më të moshuar se ai!

Mungesë edukate kjo dukuri, të paktën sipas rregullave më elementare të mirësjelljes qytetare në nivel kryeministrash europianë kur këta u drejtohen të panjohurve. Kurse fundi i kësaj sms-je (“Të përqafoj nga larg!”) shpaloste njëfarë ngjyrimi melodramatik që nuk arriti të më hiqte ndjesinë e zhgënjimit. Gjithashtu, më bëri përshtypje fakti që, ndërsa Blendi Fevziu i drejtohej kryeministrit Rama me “ju”, me “Zoti Rama” ose me “Zoti kryeministër”, përsëri ky i fundit ia kthente pa më të voglin ngurrim me “ti” ose me “Blendi”.

Me sa duket, kjo mungesë respekti përbëka një sindromë për tërë kryeministrat tanë të periudhës postkomuniste, por, me shumë gjasë, të trashëguar nga anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, si edhe nga kryeministrat e qeverive të asaj periudhe.

Nga ana tjetër, kur Blendi Fevziu i kujtoi kryeministrit Rama maskat e skaduara të ardhura në vendin tonë, ky i fundit i kundërvuri atij një “argument” që, fatkeqësisht, s’kishte asgjë prej argumenti: Sipas atij, çështja e maskave të skaduara na qenka si puna e parfumeve, të cilët, edhe pasi u ka kaluar afati i përdorimit, prapëseprapë vijnë erë, pra mund të përdoren (çka, në Shqipëri, mund të thuhet për shumë artikuj, si për shembull, kontraceptivët dhe prezervativët, veçse, ndoshta, me pasoja fort të padëshirueshme për përdorueset dhe përdoruesit e tyre!)

Sa keq më vjen për kryeministrin tonë! Përse e bëri këtë krahasim! Më detyron kështu t’i kujtoj (apo t’i mësoj?) që tashmë në shekullin XVII filozofi frëng Blaise Pascal shkruante se “comparaison n’est pas raison”, çka mund të shqipërohet me togfjalëshat “krahasimi nuk është arsyetim”, “të krahasosh nuk do të thotë të arsyetosh”, “kush krahason, nuk arsyeton” ose “krahasimi vetëm arsyetim nuk është”.

Në parantezë, do t’iu lutem lexueseve dhe lexuesve të rregullt e te çrregullt të kësaj rubrike të përjavshme të më besojnë se ta shesësh krahasimin për arsyetim është gati po aq karakteristike për kryeministrin Rama sa edhe ta shesësh batutën për argument; kështu, nga fundi i intervistës së tij, kur Blendi Fevziu i kërkoi Edi Ramës përgjigje lidhur me dy çështje konkrete, ky i fundit iu shmang me një qesëndi thuasje patologjike tek i tha pak a shumë “… Këtë le të ta thotë ai që do të të vijë pas meje!” duke e hedhur kështu fjalën te kryeopozitari Basha.
Meqë ra fjala te Lulzim Basha, jam i mendimit se, ndryshe nga Edi Rama, ai reagoi më racionalisht duke iu përgjigjur me qetësi pyetjeve të Blendi Fevziut (të cilit i drejtohej me “ju”), duke e vënë gishtin veçanërisht tek ato mangësi serioze të qeverisë Rama në administrimin e ngutshëm të situatës së rënduar dhe, së pari e para së gjithash, tek vonesa e pafalshme e të parashikuarit të problemeve që do të shfaqeshin dhe, për rrjedhojë, e të reaguarit të menjëhershëm ndaj atyre.

Në këtë pikë, duke u renditur modestisht përkrah kryeopozitarit Basha, po i lejoj vetes t’i kujtoj (apo t’i mësoj?) kryeministrit Rama se Emile de Girardin, publicist dhe politikan francez, i cili në vitin 1836 nxori të parën gazetën me çmim të ulët për publikun e gjerë, duke u cilësuar kështu si krijuesi i shtypit modern, thoshte se “gouverner c’est prévoir”, pra, “të qeverisësh do të thotë të parashikosh”, gjë që, mjerisht, kryeministri Rama nuk e bëri kur koronavirusi u shfaq kërcënueshëm në Italinë fqinjë ku jetojnë e punojnë disa qindra mijëra nga bashkatdhetarët tanë, vajtje-ardhjet e të cilëve midis dy vendeve ishin lehtësisht të parashikueshme, prandaj vonesa në ndalimin e fluturimeve nga aeroporti i Rinasit si edhe në përforcimin e kontrolleve në tërë pikat kufitare të territorit shqiptar e në portet e tij, është krejtësisht e pafalshme. Për ta mbyllur, o lexuese dhe lexues të nderuar të këtij shkrimi, lejomëni t’i kthehem shkurtimisht fjalisë së fundit të sms-së së lartpërmendur të kryeministrit Rama “Të përqafoj nga larg!”:

A nuk do të kishte qenë më e hijshme, më e ngrohtë, më njerëzore për gjithë ata të karantinuar, pra praktikisht të “ngujuar”, që kryeministri Rama të mos i kishte shkruar fjalët “nga larg”, të cilat, dashur pa dashur, theksojnë, nënvizojnë, nxjerrin në pah e vënë në dukje së tepërmi veçimin e tyre të trishtuar, por të kishte shkruar thjesht “Të përqafoj” ose, më saktë, “Ju përqafoj!”, sepse, sigurisht që do ta ketë pasur tejet të vështirë të shtonte pas fjalëve “Të përqafoj” të paktën vetëm fjalët “me zemër”. Çështje empatie, siç do të thoshin psikologët në këtë rast./ Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura