Jo gjithë faji është i Bashës

Sep 16, 2017 | 14:50
SHPËRNDAJE

gjekmarkaj

AGRON GJEKMARKAJ

Lulzim Basha është një njeri në hall të madh. Nga të gjitha anët “anija” që i fali Sali Berisha i fut ujë me gurgullime. Vrimat i ka hapur me gozhdët e veta me shpresën se do të gjente të lumen qetësi.

Tek akti i dhurimit fillon problemi i PD, tek mundësia e trajtimit të një partie politike si plaçkë. E kemi thënë shpesh që PD nuk ka pasur kurrë demokraci të brendshme, ndonëse ishte bijë e demokracisë. Më saktë ka pasur një lider të fortë e karizmatik, Sali Berishën. Ai nën yryshin e ambicies personale triumfoi mbi çdo mendim ndryshe. Shumë deshën t’i zinin vendin por ky fakt bëri që atyre të mos u zinin këmbët dhe. Në nder të së vërtetës duhet thënë se ndër vite qarkulloi shumë njerëz. Afroi dhe krijoi disa figura politike me peshë në skenën kombëtare. Gjithsecili prej tyre e ka filluar nga poshtë, është provuar në opozitë dhe më vonë në pushtet. Ata kanë bërë një jetë partie.u2_agrongjekmarkaj

Autoriteti i Sali Berishës e më vonë edhe i familjarëve të tij ishte më i rëndësishëm se çdo normë e statutit dhe pandehmë e opinionit publik. Kriteri i besnikërisë dhe njohjes direkte zë fill qysh aso kohe. Kështu me këso garancish u shfaq në politikë Lulzim Basha. Me vete në valixhe solli kostumet ministeriale pak muaj para pushtetit për të marrë menjëherë pas fitores në 2005 një pjesë shumë të rëndësishme të tij. Deri asokohe askush s’e njihte. La shije të mirë si rishtar. U ftua për t’u bërë “demokrat” dhe Basha e pranoi ftesën. U ftua të bëhet deputet dhe nuk hezitoi. U ftua të bëhet tre herë ministër dhe nuk ia theu zemrën ftuesit me refuzim. U ftua të bëhej kryetar bashkie, ku vërtet bëri një fushatë shumë të mirë dhe përsëri u bind. Në fund u ftua të pranonte një dhuratë: Partinë Demokratike dhe e mori gjithë qejf. Për të gjithë këtë trajektore kishte mjaftuar veç një garanci.

Pra, Basha nuk pat rast të ishte asnjëherë demokrat pa pushtet. U bë demokrat për të marrë pushtet. Ndoshta pa të mund të bëhet përsëri avokat pa bindje politike. Ndërkohë për kolegët e tij, bashkëpunëtorët e djeshëm të Berishës, të cilët i largoi nga PD, ofroi bujarisht sentencën…mund të jenë demokratë edhe pa qenë deputetë. Vetë se pat kurrë këtë mundësi për të shuar kuriozitetin personal. Ndoshta Bashës i është dhuruar PD duke menduar se mirënjohja e tij do jetë e përjetshme dhe po e tillë edhe bindja ndaj “dhuruesit”. Basha duke menduar se partia tani është e veta, e trajtoi vërtet si bahçen e tij. Beri ç’deshi me të. Familjen Berisha e zëvendësoi me Familjen Basha pa djersën e të parit. Problemi më i madh është pikërisht ky mentalitet. Kryetari është padron dhe bën çfarë t’i teket. Këtë mentalitet Basha e gjeti. Falë tij bëri prokopi. Ky është mësimi themelor që jep shkolla politike shqiptare qysh në vitin 1912.

Kur i erdhi radha, ai mendoi të bëhej Sali Berishë për 24 orë pa betejat, lodhjen, rëniet dhe ngritjet e këtij të fundit. Berisha në intervistën e vet tha disa të vërteta. Arsyet i darovit koha. Ai foli për këshilltarë mizerabël të Kryetarit aktual. Staturës së tij do i kishte hije të rrëfehej në mënyrë emancipuese. Ai mund të kërkonte falje për një mentalitet mizerabël që mbjell shërbëtorë dhe rrit batakçinj, ujit servilë dhe lulëzon të korruptuar në këmbim të heshtjes apo të “besnikërisë”, këtij koncepti fuqiplotë në shoqëritë ku sundon uni dhe jo ligji.

Këtë mentalitet Basha nuk e solli me vete, e gjeti aty dhe e pa si thesar. Por ai harroi se vartësit e Berishës kishin krijuar një autoritet të vetin, të cilin ai e goditi për interesa krejt personale. E goditi se e shikonte si rrezik për karrigen e tij dhe jo për parime. Ndaj “kutia e pandorës” i shpërtheu në dorë dukee spërkatuar atë parti, sepse Basha nuk është produkt i përfaqësimit, i konkurrencës, por i garancive.

PD pas disfatës së vitit 2013, kishte nevojë për ndryshime dhe jo për goditje përvetë- suese. PD kishte nevojë të ushqehej me personalitete dhe ide elitare dhe jo me idiotë që shkulën parlamentin me të qeshura. Mbi 10 deputetë të opozitës tronditën votuesit e PD dhe qytetarët e zakonshëm me fraza, gjeste e mendime që Konica do t’i klasifikonte si “gomarerira”. Atyre gjindve nuk u beson dot as një tufë me dhi. Kjo atmosferë e bëri Berishën të distancohej dhe të shfaqte përbuzje. Një rrëshqitje kësisoj në banalitet të thellë është e pazakontë dhe ajo u bë me vetëdije nga Basha për t’u shndërruar në padronin dhe heroin i tyre. Ky është një imitim në formë i Sali Berishës. Vërtet ky i fundit ka pasur çirakët e tij, por sot ata duken intelektualë të mëdhenj…kandidatë për në Akademi përballë deputetëve të Bashës. Në paraqitjen e fundit televizive Lulzim Basha dukej i pazoti për të arsyetuar, i pazoti për të thënë të vërteta, i pazoti për të kërkuar ndjesë dhe shtrirë dorën e bashkimit të PD-së. Ai u mund dukshëm nga gazetarët, megjithëse ata ishin dashamirës e të dhimbsur me të. Basha ka nevojë të tejkalojë momentin. Po e bën në mënyrën më të keqe, me retorikë të cekët pa vjega ku varen shpresa. Basha është i mërzitur, por mërzia e tij ka të bëjë me goditjet që mori në imazh për projektin e tij mbi tapinë e re të PD-së. Asaj me gjasë do t’ia gjejë anën dhe do shërohet. Mërzisë publike për mungesën e Opozitës do duhet kohë t’i gjendet melhemi. Po ashtu problem transversal mbetet mentaliteti i çimentuar në dekada në të gjitha partitë.

Ata që Basha largoi në emër të kësaj tradite kurrë nuk guxuan të ngrihen kundër saj, kurrë nuk e ngritën zërin për të mbrojtur një vlerë që nuk ishte në sintoni me liderin. Në 23 vjet ata kanë parë me dhjetëra raste dëbimesh e “demaskimesh”. Për ta lideri kishte gjithmonë të drejtë në shporrjen e “armiqve”. E shikonin në sy dhe përpiqeshin të thoshin çfarë i pëlqen atij. E shikonin në sy dhe kuptonin se heshtja të nxjerr në selamet. Lexonin deklarata me tak fap pa iu dridhur qerpiku se po recitonin gjepura. Rasti i Mark Markut dhe Selami Xhepës, dy intelektualë me integritet, të cilët u larguan pa asnjë sqarim dhe askush në ato mbledhje forumesh nuk pyeti pse. Ata në asnjë rast as synonin, as kërkonin karrigen e Berishës.

Tani u bë zhurmë se Basha largoi dy të tretat e establishmentit mbi të njëjtin parim: atë të bezdisë, frikës, rrezikut dhe ndëshkimit personal. Sigurisht, Basha s’kishte distancë autoriteti, ndershmërie e legjitimiteti me të larguarit dhe ky fakt e bëri copash imazhin e “themeluesit” të Republikës së re. Pra, gjithë faji nuk është i Bashës. Ai thjesht u tregua tahmaqar më shumë se ç’i zë stomaku, por ama konsekuent me traditën e PD-së dhe politikës shqiptare. Ndoshta ky është zhgënjimi më i madh ndaj Bashës dhe jo vetëm arsyet që shpesh kemi përmendur së paku për gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura