Analiza/ Henri Çili: Ramën e sulmojnë ekstremistë, ziliqarë e intelektualë pa kauzë

Oct 3, 2016 | 12:04
SHPËRNDAJE

“Publiku në shumicën e tij, përtej ekstremeve apo grupeve skajshmërisht të impaktuara apo emocionale, do ta mbështeste një mandat të dytë, me kusht që ai të ishte reformues dhe dobisjellës për të gjithë”.

rama-henir

Në këtë përfudnim mbërrin analisti Henri Çili, në një opinion publikuar në “Mapo”, pasi analizon me radhë reformat e nisura nga kryeministri aktual dhe jep vlerësimin e tij mbi ata që sot i renditen në kritikët e fortë.

“Me gjithë respektin për shpirtin protestues, kontestues, për këdo aktor të shoqërisë shqiptare, duke i quajtur legjitime arsyet e çdokujt nga ato të opozitës politike deri te kredot intelektuale në këtë vend, prozhektorët duhet të orientohen gjetkë: Presion publik Edi Ramës që cikli i tij reformues të kapë të gjithë elementët e jetës së vendit dhe të mbrohet dhe të mos impaktohet nga populizmi. Masat do ta kuptojnë, publiku do ta votonte. Kush e di publikun dritëshkurtër është i gabuar. Publiku në shumicën e tij, përtej ekstremeve apo grupeve skajshmërisht të impaktuara apo emocionale, do ta mbështeste një mandat të dytë, me kusht që ai të ishte reformues dhe dobisjellës për të gjithë”- shkruan ai.

Sipas Çilit, “Edi Rama është investim i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare, të gjithë ata që e kanë mbështetur, madje dhe ata që e kanë kundërshtuar kanë krijuar një figurë politike me fuqi të madhe, bashkuar dhe me ambicien e tij të rëndësishme si individi dhe siç e thekson ai vetë “për të mbetur në histori”. Ky potencial duhet shfrytëzuar në dobi të shoqërisë shqiptare dhe interesit publik dhe si i tillë cikli historik i nisur nga Rama duhet të vazhdojë përtej një mandati”.

Fenomenet që analizon Çili në tre vjet qeverisje 

Fenomeni i parë është se jemi në kulmin e një kundërshtimi laraman ndaj qeverisë dhe ndaj Ramës personalisht, në të cilin mblidhen grupe ekstremiste, ziliqarë, intelektualë të mbetur pa kauzë, të hatërmbetur të çdo lloji dhe moralistë publikë të çdo ngjyre. Dhe kjo krijon përshtypjen sikur është një masë e madhe shoqërore që kundërshton politikat e qeverisë dhe zotin Rama përtej defekteve që ai ka “duke provokuar me stilin e tij komunikativ sentimente që nuk kanë të bëjnë me thelbin por janë qëndrime”.

Fenomeni i dytë është se jemi në kulmin e populizmit, ku aktorë të ndryshëm publikë janë duke adaptuar me shpejtësi kauza populiste që janë sa irracionale aq edhe të dëmshme për shoqërinë. Ata e bëjnë këtë vetëm që të krijojnë një front kundërshtimi ndaj qeverisë dhe kryeministrit pa kapur idenë e një lidhjeje të përbashkët të shumë anëtarëve të këtij fronti. Në këtë kuptim zëra, nga ish-kryeministri Berisha te kryetari i opozitës Basha deri te politikanë të rëndësishëm si Blushi janë duke adaptuar qëndrime, të cilat bëjnë të duken shumë racionale dhe shumë të moderuara qëndrimet e Aleancës Kuq e Zi para vitit 2013.

Fenomeni i tretë dhe më i rrezikshëm është krijimi për herë të parë i premisave për organizimin dhe përfaqësimin politik të ekstremit të majtë në vend, e nxitur edhe nga presioni i retorikave në vendet fqinje, retorikave alla Corbyn, atyre antiglobaliste etj. Në Shqipëri ky rrezik nuk ka ekzistuar asnjëherë në këto 25 vite edhe për shkak të neverisë që ka patur vendi ynë për shkak të komunizmit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura