ANALIZA/ Fituesi i finales së Champions-it mund të vijë nga krahët, Ançeloti do duhet të tregojë kujdes nga topat e vdekur të Liverpulit

May 27, 2022 | 22:42
SHPËRNDAJE

Kur Liverpuli mundi Realin e Madridit në finalen e Kupës së Kampioneve në 1981 në Paris, ata e bënë këtë me një gol të mbrojtësit të majtë Alan Kenedi. Katër dekada më pas, stadiumi ndryshon (“Stade de France” dhe jo “Parc des Princes”), megjithatë mbrojtësit e krahut të Liverpulit mund të jenë faktorë kyçë edhe një herë tjetër.

When-is-the-Champions-League-Final-between-Liverpool-and-Real-Madrid

ROLI I ANËSORËVE – Roli sulmues i mbrojtësve të krahut në futbollin e sotëm është mirëdokumentuar dhe nuk ka shembull më të mirë në futbollin europian sesa dyshja e Liverpulit, ArnoldRobertson, të cilët janë vendimtarë në lojën ofensive të skuadrës së tyre. Një vështrim statistikave ofron prova të bollshme të kontributit të tyre në këtë sezon të Champions-it.

Përveç 4 asisteve, Arnold ka bërë më shumë krosime (23) se çdo lojtar tjetër në kompeticion këtë sezon, ndërsa Robertson (2 asiste) renditet i katërti në këtë kategori me 16 harkime. Sa u përket pasimeve kyçe, Robertson ka 19 (më shumë ndër lojtarët e Liverpulit bashkë me Salahun) dhe Arnold 16. Arnold ka bërë më shumë prekje topi se çdo lojtar tjetër i Liverpulit: 853 në 8 ndeshje, vetëm 15 më pak sesa totali i Luka Modriçit në 12 ndeshje për Realin.

Siç e tregon edhe harta e lëvizjes së Arnoldit, ai është gjithnjë e më shumë i përfshirë në gjysmëfushën kundërshtare. Dejvid Xhejms, ish-portieri i Liverpulit dhe vëzhgues teknik i UEFA-s në gjysmëfinalen e parë kundër Vijarealit, në fakt, e vuri në dukje duke thënë se mbrojtësi i djathtë ka një rol relativisht të lirë në korsinë e tij, duke u vendosur në pozicione agresive kur sulmon, madje duke u shfaqur edhe në rolin e numrit 10.

Përpara finales të së shtunës, kjo ngre një pikëpyetje intriguese nëse Reali do të mund të shfrytëzojë hapësirën pas mbrojtësve të krahut, veçanërisht duke parë se krahu i Arnoldit është në të majtën e rivalëve ku operojnë së bashku me shumë efikasitet këtë sezon, Karim Benzema dhe Vinicius Zhunior. Një shembull i rëndësishëm ishte goli i parë i Realit në çerekfinalen kundër Çelsit në “Stamford Bridge”, ndërsa sulmuesi francez u kthye shumë në thellësi për të kombinuar me Toni Krosin dhe pastaj bëri të njëjtën gjë me Viniciusin.

Pasimi i tij i dytë me thembër e dërgoi sulmuesin brazilian në hapësirë të lirë në të majtë, ndërsa Benzema nxitoi të hynte në zonë për të finalizuar me kokë krosimin dhe shënuar një gol të shkëlqyer. Ky ishte një nga katër asistent që Vinicius ka dhënë për Benzemanë, i cili është golashënuesi më i mirë i turneut këtë sezon me 15 gola.

Harta e prekjeve të topit të Benzemasë nënvizon faktin se ai është shumë më tepër sesa një golashënues, një lojtar që do të testojë edhe forcën mbrojtëse të Liverpulit me zakonin e tij për të lëvizur në zona të gjera për krijuar ato trekëndëshet 2 kundra 1 dhe pastaj rikthehet në zonë për të aplikuar cilësitë e tij finalizuese.

0_GettyImages-1251181180

ARMA E KLOPIT

Pas finales së Kupës FA kundër Çelsit, të cilën Liverpuli e fitoi me penallti, duke përsëritur suksesin në duelin e Kupës së Ligës në shkurt, trajneri Jyrgen Klop ia dedikoi atë triumf kompanisë neuroshkencore gjermane, e cila gjatë fazës përgatitore punoi me futbollistët e tij në situatat e goditjeve standarde.

Ajo punë u shpërblye me triumfin në dy kupat kombëtare dhe tani pyetja që ngrihet është nëse ata do të mund të përfitojnë nga aftësitë e tyre me lojën e ndalur në një tjetër finale. Ata kanë rekordin e golave të shënuar me topat e vdekur këtë sezon në Champions (8) dhe ky total përfshin edhe golat nga goditjet e këndit. Që të dy golat e tyre kundër Interit në 1/8-at erdhën nga goditjet standarde. Në raundin pasardhës, Ibrahima Konate tregoi aftësitë e tij kërcënuese në luftën në ajër me gola nga këndoret në të dyja ndeshjet kundër Benfikës.

Duke reflektuar në kërcënimin e tij, Frans Hoek, vëzhguesi teknik i ndeshjes së tyre kundër Interit, tha: “Kur sheh Liverpulin, kupton se sa shumë i rëndësishëm është ekzekutuesi i goditjeve dhe ata kanë shumë lojtarë të shkëlqyer në këtë prizëm dhe pastaj është një kombinim i lëvizjes së duhur në hapësirën e duhur. Ata e bëjnë këtë dhe kanë shumë finalizues të fortë me kokë”. Mbrojtja e Realit nga goditjet standarde në këtë sezon në Europë ka qenë solide, me vetëm 1 gol të pësuar nga goditja e këndit (Rydiger i Çelsit). Megjithatë, ata do bënin mirë që të ishin të përgatitur nesër.

NISJA E SHPEJTË

Mes përmbysjeve dramatike që e kanë sjellë Realin e Madridit deri në këtë finale, ata kanë kërkuar gjithashtu që t’i zgjidhin ndeshjet sa më shpejt. Në shtëpi kundër Parisit, Luka Modriç, Toni Kros dhe Marko Asensio prodhuan një kombinim fantastik në rrethin e mesfushës, që përfundoi me gati asistin e Asensios për Viniciusin. Djemtë e Karlo Ançelotit iu afruan edhe më shumë golit me rinisjen e ndeshjes së tyre në shtëpi kundër Sitit.

Kros finalizoi një shkëmbim pasimesh në rrethin e mesfushës me një top diagonal pas mbrojtjes së Sitit që Karvahali ndoqi dhe krosoi ulët për Viniciusin, i cili duhet të kishte shënuar në shtyllën e dytë. Nëse nuk e morën shpërblimin për shpikjet e tyre në ato dy raste, ata shënuan brenda 10 sekondave pas nisjes së ndeshjes së dytë me Parisin në 1/8-at: tri fanella të bardha u vunë menjëherë në ndjekje të topit ndërsa Parisi e rinisi lojën me rezultatin 2-1.

Ata e fituan atë në një sekondë dhe Benzema kompletoi tripletën. Nëse do të ketë një gol të shpejtë nga secila skuadër (dhe mos harroni se Liverpuli shënoi pas 107 sekondash në finalen e tyre të fundit), një gjë që nuk është në dyshim është aftësia e kundërshtarit për të përmbysur. Në Europë nuk ka dy skuadra me mentalitet më të fortë për momentin sesa Liverpuli dhe Reali. Klop i quajti të tijtë përbindësha mentaliteti pas përmbysjes 3-2 me Vijarealin.

zonat finale

Ndërsa për Realin, përmbysjet me Parisin, Çelsin dhe Sitin shpjegojnë përse vëzhguesi i UEFA-s, Roberto Martinez, vendosi faktorin emocional si pjesën kryesore përse ata kanë shkuar kaq larg këtë sezon: “Është kjo kulturë fitoreje, kur vesh atë fanellë dhe ti pret të fitosh”. Fakti që të dyja skuadrat e kanë këtë bindje, duhet ta bëjë ndeshjen e së shtunës edhe më shumë interesante.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura