Analiza e Rrumbullakut: Kryendeshjen Partizani-Kukësi e vendos mbrojtja, ja pse nuk firmosa me Dinamon e Bukureshtit

Oct 27, 2019 | 18:41
SHPËRNDAJE

Kukësi do të përballet nesër me rivalin kryesor për titull. Si gjithmonë, gara me Partizanin ka qenë shumë e fortë. Por, Kukësi ka një mbështetës ekstra për këtë takim, Simon Rrumbullakun. Për “Panorama Sport” ish-mbrojtësi analizon sfidën, ku thekson se do të jetë një takim i fortë dhe skuadra që do të bëjë më pak gabime do të fitojë. Ai pohon se diferencën do ta bëjë mbrojtja.

simon rrumbullaku

Rrumbullaku u largua me dëshirën e tij nga Kukësi për një aventurë të re, por që për disa arsye ajo nuk u realizua dhe 27-vjeçari është në pritje. Sakaq, ai tregon bisedimet me Dinamon e Bukureshtit dhe pse transferimi nuk u krye.

Simon, tashmë që jeni larg, a e keni ndjekur Kukësin dhe si ju duket?

Sigurisht që e ndjek, madje e kam parë në çdo takim. Kam marrëdhënie shumë të mira me ish-shokët, pa harruar që jam tifoz i Kukësit. Më bëhet qejfi që të ecin sa më mirë. 3 vite të kaluara te Kukësi nuk janë pak, aq më tepër që kemi zhvilluar e fituar shumë beteja e trofe. Në fazën e parë Kukësi ka zhvilluar lojëra të mira, por edhe ka gabuar në pak raste. Ka një ekip mjaft të mirë dhe me shumë kualitet. Ndaj Luftëtarit treguan se kanë karakter dhe shumë shpejt kapin kreun.

Jeni larguar me dëshirë nga ky klub. A ju mungon Kukësi?

Ishte dëshira ime të largohesha nga Kukësi në verë, pasi pata arsye të miat dhe për këtë dua të falënderoj presidentin Gjici, me të cilin kam marrëdhënie shumë të mira, drejtorin Nexhipi gjithashtu. Më mungon shoqëria që kam pasur aty dhe grupi që krijuam për disa vite.

Si e shikoni garën për titull në Superiore dhe cilët janë rivalët?

Deri tani duket një kampionat i fortë dhe do të vijojë të jetë i tillë deri në fund. Ekipet nuk kanë shumë diferencë mes tyre. Surprizë e bukur deri tani janë Bylisi dhe Vllaznia, por Kukësi, Tirana dhe Partizani janë ekipet që do të shkojnë deri në fund, por nuk mund të neglizhohen Laçi, Teuta e Skënderbeu. Tirana ka lojtarë mjaft të mirë në aspektin teknik dhe emrat, por duhet parë ecuria. Një garë e fortë dhe me pak diferenca, por do të krijohen diferencat dhe shkëputjet.

Kukësi luan kundër Partizanit. Cili mendoni se është favorit?

Besoj se do të jetë një ndeshje mjaft e fortë. Partizani ka avantazh që luan në shtëpi dhe ka tifozërinë e vet, pasi ky element është shumë domethënës. Partizani besoj se edhe me një barazim është i kënaqur, ndërsa Kukësit i bën punë vetëm fitorja. Do të jetë takim i fortë, por shpresoj që Kukësi të marrë tri pikët. Edhe kur unë kam luajtur kundër Partizanit si pjesë e Kukësit kemi pasur rivalitet.

Kush mendoni se do ta bëjë diferencën në këtë takim?

Lojtarët janë protagonistë. Të dyja ekipet kanë lojtarë me teknikë të lartë dhe shpejtësi që mund të bëjnë diferencën. Mendoj që duelin do ta fitojë ekipi që do të bëjë më pak gabime dhe do ta ketë mbrojtjen solide.

Ju akoma nuk keni firmosur për një ekip. Pse?

Gjërat nuk shkuan ashtu siç i planifikuam. Dëshira ime ishte që të largohesha nga Kukësi për një kampionat më të mirë, por fatkeqësisht për mua opsionet më të mira nuk u realizuan për arsye të shumta, që nuk dua t’i trajtoj. Nuk jam demoralizuar aspak, po stërvitem me ritme të larta, jam në kontakte me agjentë për të gjetur opsionin e duhur. Sigurisht, situata nuk është e këndshme, por mund t’i ndodhë gjithkujt. Kam besim se do të shkojë gjithçka mirë dhe shpejt do të kem ekipin e ri.

rrumbullaku

Çfarë pengese doli që nuk firmosët me Dinamon e Bukureshtit?

Diskutimet me Dinamon e Bukureshtit ishin shumë të ngrohta, ishte një ofertë shumë interesante për mua, sepse të gjithë e dimë që është një emër i njohur në Europë dhe çdo lojtar do të donte të bëhej pjesë e tyre. Arsyeja që nuk u realizua ishte një keqkuptim mes agjentëve që do të kryenin transferimin. Kjo më mërziti, por nuk kemi çfarë të bëjmë.

Keni pasur kontakte me drejtues të Kukësit dhe a ju kanë ofruar që t’i ribashkoheni ekipit? Nëse do të keni ofertë, do ta pranoni?

Kontakte normalisht që kemi pasur, sepse e thashë se kam marrëdhënie shumë të mira me klubin. Nuk kemi diskutuar për një rikthim të mundshëm. Nuk është momenti i duhur të përgjigjem për këtë pyetje, por në jetë dhe në futboll kurrë nuk i dihet çfarë mund të ndodhë.

Keni ndonjë peng nga karriera juaj apo koha që qëndruat te Kukësi?

Jam munduar gjithmonë të jap maksimumin tim, kudo që kam luajtur. Jam krenar për çfarë kam dhënë në fushë dhe në aspektin njerëzor me shokët e kolegët. Nuk kam pengje, ndoshta në ndonjë rast mund të kisha vepruar më mirë. Kam pasur shumë oferta dhe kur kam luajtur me Kukësin, sidomos nga ekipet turke, por që për arsye të ndryshme nuk u realizuan.

Gjithsesi, ecim përpara me shpresë dhe besim për të ardhmen. Vazhdoj të punoj fort në Athinë, stërvitem shumë, jam gati për t’u rikthyer më i fortë. Shumë specialistë futbolli dhe trajnerë i dinë cilësitë e mia, thjesht unë pres të marr vendimin e duhur.

Skerdilaid Sulozeqi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura