Analiza e “Panorama Sport” / Çfarë nuk shkon në Shkodër…

Feb 6, 2018 | 20:40
SHPËRNDAJE

Që Vllaznia po kalon një moment kritik si klub, qoftë nga ana sportive dhe ajo administrative, u bë thuajse shtatë vite. Dorëheqja e ish-presidentit Valter Fushaj dhe, më pas, administrimi i klubit nga Bashkia e Shkodrës ka konfirmuar sezon pas sezoni një Vllazni që përpëlitet dhe lë me dorën në zemër tifozët shkodranë për mbijetesën.

download

Një klub që ka 1.4 miliardë lekë borxhe ka dështuar pa nisur ende gara, por ama, kur buxheti i vendosur në dispozicion nga bashkia krahasohet pa frikë me skuadrat me potencial më të madh ekonomik në Superiore, atëherë gishti drejtohet te keqmenaxhimi i situatës nga drejtuesit.

Kohët e fundit është vënë re një presion gjithnjë e në rritje ndaj ekipit, e për më tepër trajnerit Ernest Gjoka. Rezultatet nuk i japin të drejtë këtij të fundit, pasi mori një skuadër që ishte në vendin e tetë dhe tashmë pas 18 javëve pozicionohet aty ku je i detyruar të zbresësh nga Superiorja nëse sot mbyllet kampionati. Trajneri, nga ana e tij, ka bërë jo pak “autogola” në daljet e fundit publike. Vërtet kërkon durim nga tifozët, por nuk mund t’i imponojë medias pse publikon rrogën e tij apo lojtarëve.

vllazniakukesi

Në çdo klub europian asgjë nuk fshihet, madje rrogat janë të parat që komunikohen pas transferimeve që bëhen. Nuk ka pse kjo t’i duket unike Gjokës, pasi nga Vllaznia paguhet edhe për të mbajtur dhe menaxhuar më së miri këtë presion që ndoshta në Shkodër është asfiksues më shumë se në çdo qytet tjetër. Sigurisht, gazetarët do të bëjnë shpesh pyetje provokuese, por trajneri duhet të dijë se vetëm përgjigje mund të ketë të gabuara dhe jo pyetje.

vLLAZNIA

Edhe pse mund të ndihet i provokuar, sërish me sjelljen e tij duhet të tregojë se jo më kot Bashkia Shkodër i ka vendosur atë pagë. Pastaj, ana tjetër e “medaljes” është fakti se opinioni në Shkodër me sa duket nuk e ka kuptuar ende se në dy ndeshjet e para të vitit kishte përballë skuadrat më të mira të Superiores: Kukësi dhe Skënderbeu. Natyrisht ata duan që Vllaznia e tyre të jetë si e barabartë në fushë ndaj kryesuesve, por së pari duhet të jenë të ndërgjegjshëm për ekipin që kanë dhe kohën që duhet t’i lënë. Tifozët kanë gjithnjë të drejtë, por në Shkodër ka edhe ekzagjerime që ndoshta i kalojnë të gjitha limitet.

J.M.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura