Analiza e Lubonjës: PD më zhgënjeu. Marrëveshja me Ramën, pazar!

May 18, 2017 | 17:41
SHPËRNDAJE

Analisti Fatos Lubonja thotë se marrëveshja e arritur mes kreut të mazhorancës Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, krijoi jo pak pakënaqësi.

auto_Fatos_Lubonja1477810771 (1)Në rubrikën “Opinion” në “News24”, analisti Lubonja tha se pas 3 muaj qëndrimi të opozitës në çadrën e protestës, dhe pas deklaratave të kryeopozitarit Basha për krijimin e republikës së re, për qytetarët u ndez një dritë shprese, se diçka do ndryshonte në vend.

Por me këto takime disaorëshe dhe ato që Lubonja i quan “Pazare”, qytetarët u zhgënjyen.

“Gjithmonë kam shprehur dilema a mundet PD të bëjë lëvizjen e re. Kur flet Berisha për revolucion çështja është ndryshe. Dhe Berisha ka folur për revolucion tërë kohës. U ngjall shpresa se mund të ndizej një dinamikë brenda PD për të qenë pak më ndryshe opozita. Por ja që këto takime disaorëshe nuk japin shije të mirë. Basha demaskonte më herët këto takime të Ramës dhe Metës më parë”, u shpreh Lubonja.

Ai tha se qytetarët janë ende në lojën e pushtetit të kastës së vjetër. Sipas Lubonjës, këto situata ku “krizat politike” zgjidhen me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, duhet të mos përsëriten.

“Mendoj se diçka ndryshe vinte nga çadra. Për 3 muaj aty u ftuan persona të profesioneve të ndryshme, edhe intelektualë nga jashtë partisë. E quaj lëvizje idenë që lideri i një partie konsultohet me persona të ndryshëm.

E jo kur mbyllet me Ramën në zyrë, pasi s’ka lënë gjë pa thënë për të. Sigurisht situata u imponua nga të huajt, e janë bërë kalkulime. Po nëse do të bësh republikë të re, siç thonë, atëherë kjo ka dështuar.

Dhe kjo të lë atë zhgënjimin. Patjetër që do të shohim edhe rezultatin e zgjedhjeve, por jemi peng i kastës së vjetër, që tentoi të bëjë një furtunë në një gotë ujë, që me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve u qetësua. Dhe kjo është zhgënjyese, se nuk mund të presim ne që klasa jonë politike të sillet si fëmijë, dhe pastaj vijnë ca ndërkombëtarë dhe u thonë qetësohuni”, tha Lubonja.

Sakaq, ai komentoi edhe lëvizjet e Ben Blushit dhe Bojaxhiut, ndërsa u shpreh se pritet angazhim më i madh i tyre.

“Kjo lëvize e Bashës me çadrën u bë më shumë si përpjekje për të forcuar lidershipin e vet. Deri më tani shoh vetëm Blushin dhe Bojaxhiun më të angazhuar, por nuk i shoh tamam si lëvizje, por më duken si të zbehta.

Duken më shumë si NGO akoma. Duhet t’i shohim në zgjedhje. Do të doja t’i shihja më të angazhuar në këto zgjedhje. LSI që ka qenë dikur, edhe ajo është pak më ndryshe, pasi ka interesin e klientelës së vet, dhe përpiqet ta ruajë atë. E vetmja gjë që shohim është ikja e shqiptarëve nga vendi, kjo me sa duket është shprehja e vetme e tyre”, u shpreh analisti Lubonja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura