Analiza e ish-sulmuesit Bespalla: Latif duhet të vrapojë, repartet e Teutës nuk lidhen

Mar 13, 2018 | 19:34
SHPËRNDAJE

Teuta ndodhet në një pozicion tepër të vështirë në klasifikim dhe rrezikon seriozisht qëndrimin në Kategorinë Superiore. Në ndeshjet e fundit, me afrimin e Begejas në stol, situata duket sikur ka filluar të ndryshojë, megjithatë gara është shumë e ashpër me Vllazninë që po merr pikë në çdo ndeshje. Ish-sulmuesi i bregdetarëve, Justin Bespalla, në një intervistë për “Panorama Sport”, analizon ecurinë e bregdetarëve, teksa zbulon “recetën” që ekipi duhet të ndjekë për të siguruar qëndrimin në Superiore. Ish-golashënuesi ka edhe një këshillë për Amadu Latif, për të gjetur golin.

mocka teuta

Ulje dhe ngritje të mëdha, çfarë nuk shkon te kjo Teutë?

Situata është tepër e vështirë. Të gjithë janë para përgjegjësisë. Repartet nuk lidhen ose më saktë nuk ndihmojnë fare njëri-tjetrin. Edhe në kohën time apo të Begejas, ekipi ka qenë në këto pozita në fazën e parë, pasi e kemi marrë qetë. Gjithsesi, jemi mobilizuar më pas së bashku me stafin dhe presidentin dhe në fund të fazës së dytë siguruam pjesë- marrjen në Kupat e Europës, prandaj u bëj thirrje të gjithë futbollistëve të sakrifikojnë çdo gjë që t’ia dalin.

Gara duket se është vetëm me Vllazninë, cila më shumë shanse të qëndrojë?

Nëse bazohemi te renditja, më shumë shanse ka Vllaznia, për momentin…, por kampionati është i gjatë e shpresoj dhe besoj se kjo do të zgjidhet në ndeshjen që do të bëjmë me Vllazninë, ku duhet të marrim fitoren.

Teuta pëson shumë gola, ku qëndron problemi sipas jush?

Pësimi i golave vjen si pasojë e ngërçit psikologjik që po kalon ekipi. Nëse do të ishte në pozita të tjera, nuk do pësonim gola të tillë dhe kjo u vu re edhe në ndeshjen e fundit me Partizanin që humbëm penallti dhe përsëri kjo erdhi si pasojë e gjendjes psikologjike. Nëse do të kishim shënuar të parët, rezultati do fliste ndryshe. Barazimi erdhi pasi djemtë vunë zemrën në fushë për të mos dalë pa pikë nga ky takim. Për të dalë nga kjo situatë, duhet të luajnë të gjithë pa përjashtim si 10 minutat e fundit me Partizanin, që të arrijmë të sigurojmë qëndrim në Superiore.

bespalla

Latif vuan shumë përpara portës, golat e tij janë me pikatore. Aq kualitet ka apo nuk e furnizojnë si duhet me topa?

Latif duhet të vrapojë dhe të sakrifikojë më shumë që të shkojë te goli, por edhe nuk furnizohet siç duhet nga reparti i mesfushës. Ekipi ka shumë nevojë për të dhe ai duhet të marrë më tepër përgjegjësi. Mendoj se në merkaton e janarit duhej të punohej më shumë në afrimin e lojtarëve cilësorë, si në mesfushë, ashtu edhe sulm. Të gjitha shpresat janë te Latifi, ndaj ai duhet t’ua shpërblejë besimin drejtuesve.

Ndeshja me Skënderbeun është shumë e rëndësishme, i ka Teuta mundësitë të dalë me pikë?

Ndeshja me Skënderbeun është shumë e vështirë, por nëse sakrifikojnë dhe e vlerësojnë maksimalisht të gjithë, asgjë nuk është e pamundur. Nëse Teuta jep maksimumin, mund të marrë rezultat pozitiv, pavarësisht kundërshtarit që ka përballë.

Flitet se Skënderbeu mund të dënohet, lajm i mirë apo i keq?

Si ish-futbollist, por edhe si dashamirës i lojës së bukur, nuk do të isha kurrë dakord për dënimin e Skënderbeut. Ky dënim më shumë është justifikim nga UEFA. Nëse duan të dënojnë Skënderbeun, më përpara duhet të merren me treçerekun e ekipeve të Europës, por kjo vjen pasi ne jemi një vendi i vogël dhe mund të bëjnë si të duan me ne. Më e freskët është ndeshja e Mançester Sitit ndaj Bazelit, për mendimin tim duhet t’i dënojnë edhe anglezët, apo atyre nuk u afrohen dot. Gjithsesi, nuk do isha kurrë i kënaqur për penalizimin e Skënderbeut, sepse është i vetmi ekip europian që ne përfaqësohemi në arenat ndërkombëtare si të barabartë me këdo.

Si e shikoni punën që ka bërë Begeja gjatë kësaj periudhe, do t’ia dalë sërish ta shpëtojë ekipin si para dy vitesh?

Begeja ka marrë një detyrë shumë të vështirë, por me egon, pasionin dhe dëshirën që e kanë udhëhequr që kur luanim bashkë, ka arritur ta përcjellë te lojtarët. Kam besim të plotë te miku im, edhe pse ka një mision shumë të vështirë, do t’ia dalë mbanë. Është njeriu i duhur për Teutën tonë, i uroj suksese në këtë detyrë të vështirë që e pret!

Çfarë ka shkuar keq sipas jush? Presidenti Hasanbelliu ka thënë që ky është ekipi më i mirëpaguari në historinë e tij.

Më shumë keq më vjen për presidentin Hasanbelliu, i cili ka sakrifikuar vite e vite për të arritur majat me këtë Teutë. Ka shpenzuar shumë në çdo aspekt që skuadra të jetë aty ku e ka vendin. Është një njeri i përkryer dhe u bëj thirrje edhe çunave të Teutës të sakrifikojnë edhe jashtë mendë- sive të tyre për presidentin e kudondodhur, Edmond Hasanbelliu. Stërviten në kushte të shkëlqyera, pagat i kanë marrë gjithmonë, ndaj duhet ta nxjerrin ekipin nga kjo situatë. Më vjen keq për të gjithë brezat e Teutës, pasi pas kaq kohësh e shikojnë Teutën kaq pranë rënies nga kategoria. Teuta dhe tifozët nuk e meritojnë këtë.

D.Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura