Analiza e fortë e Blushit: Asnjë popull nuk vidhet si ne, vuajmë nga varfëria e injoranca

Nov 2, 2015 | 13:03
SHPËRNDAJE

Deputeti socialist Ben Blushi renditi dje një sërë problematikash me të cilat përballen shqiptarët në këtë kohë. Sipas tij, korrupsioni, varfëria, injoranca, por dhe brutaliteti janë disa nga problematikat me të cilat shqiptarët ndeshen çdo ditë, por që ende nuk ka një rezistencë popullore.

Ben Blushi gjatë fjalës së tij në panel
Ben Blushi gjatë fjalës së tij në panel

“Duhej t’i kishim rezistuar më shumë të keqes, kjo do të na forconte identitetin e do të na jepte një shpirt qëndrese, që koha provoi që nuk e kemi në masën që duhet ta kemi. Sot që flasim jemi përballë varfërisë, korrupsionit, brutalitetit, padrejtësisë, pabarazisë, integrimit, emigracionit, injorancës. Dhe nëse ka një popull në Europë që ka arsye mos t’i pëlqejnë shumë gjëra jemi ne, sepse nuk vidhet asnjë popull siç vidhemi ne, është e provuar me fakte”, u shpreh Blushi i ftuar në një panel shkrimtarësh gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “Deti i Bardhë II” organizuar në Tiranë. 

Për deputetin dhe shkrimtarin Blushi, ikja në masë e shqiptarëve për të emigruar në vendet e Bashkimit Europian është e papranueshme, sepse do të shkaktojë braktisjen e vendit.

“Kjo është e papranueshme, sepse nëse 40 mijë veta ikin për 6 muaj, do të thotë që një qytet më i madh se Pogradeci të mos ekzistojë më. Në fakt, tani që jemi në tetor, janë bërë 100 e ca mijë zyrtarisht. Një gjë që kam thënë muaj më parë ishte se a mendojmë ne nëse kjo ikje vazhdon, çfarë perspektive ka ky vend, dhe, në fund të fundit, kush do t’i punojë tokat tona. E beson dot që pas 30 vjetësh, nga 2 milionë që jemi sot këtu të jenë 1 milion?”, u shpreh Blushi në këtë takim.

LIBRI
Pak ditë më parë, Ben Blushi iu prezantua lexuesit me librin e tij të ri “Kandidati”, ku ai satirizon faktin se edhe të vdekur kandidatët që mbështeten nga partitë kryesore mund të fitojnë zgjedhjet në Shqipëri.

Duke folur për herë të parë pas daljes së librit të tij, Blushi tha se kandidatë të tillë ka pasur dhe ka edhe sot në Parlamentin shqiptar, duke e cilësuar atë si “Panairin e kotësive”, duke iu referuar romanit të Uilliam Thekerit.

“Vallë, nuk kemi pasur ne në zgjedhjet e fundit kandidatë politikisht të vdekur?! Kemi pasur pa fund! Për sa kandidatë është folur në zgjedhjet e fundit lokale? Janë përfolur si banditë, kriminelë, të korruptuar, njerëz që s’duhej të zgjidheshin, prapë u zgjodhën. Faji është i atyre që i zgjedhin, këtë kam dashur të them në mënyrë artistike në libër. Pra, a mund të votohet për të vdekurit?! Kjo është çështja! Ne vazhdojmë të zgjedhim akoma njerëz të vdekur që e kanë konsumuar kohën e tyre, jo biologjike, por mendore apo politike. Ju e keni parë Parlamentin e Shqipërisë, po kthehet në një vend qesharak. Këta njerëz nuk mendojnë se aty është një ‘Panair i kotësirave’?! Në një vend që edhe ti vetë tallesh me njerëz të konsumuar, pra, të vdekur politikisht, si kandidati im”, u shpreh Blushi i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” të gazetarit Arian Çani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura