Analiza e Birn: Zgjedhja e Avokatit të Popullit mbetet “peng” i një pakti politik

May 23, 2022 | 16:17
SHPËRNDAJE

Kuvendi i Shqipërisë vendosi të enjten të shtyjë me 30 ditë afatin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, në pritje të një marrëveshje politike mes opozitës dhe mazhorancës.

kuvendi

Vakanca për Avokatin e ri të Popullit u shpall nga Komisioni për Çështjet Ligjore më 30 mars 2022  dhe thirrjes iu përgjigjën 14 kandidatë. Megjithatë, komisioni vendosi ta shtyjë afatin për aplikim deri më 20 qershor.

Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Ligjore, Klotilda Bushka i tha BIRN se shtyrja e afatit ishte bërë me propozim të dy grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

“Ky është proces parlamentar dhe politik,” tha Bushka. E pyetur nëse shtyrja do të shërbejë për negociata mes palëve për gjetjen e një emri konsensual, ajo shtoi se “sipas traditës, po”.

Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike. Kreu i këtij institucioni zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë 5 vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje.

Megjithëse ligji nuk përmend negociata politike për këtë çështje dhe ka përcaktuar kritere ligjore për mënyrën si përzgjidhen kandidatët, në traditën e mëparshme zgjedhja e Avokatit të Popullit është përdorur nga për pakte mes palëve.

Në vitin 2017, pas një marrëveshje politike mes dy partive kryesore iu la opozitës që të propozonte kandidaten fituese, Erinda Ballanca.

Sipas përcaktimeve ligjore, kandidatët shprehin dëshirën për të kandiduar duke dorëzuar dokumentacion pranë Kuvendit dhe Komisioni i Ligjeve cakton një seancë dëgjimore me ta dhe verifikon përmbushjen e kritereve për kandidim.

Në fund të seancave dëgjimore, komisioni miraton një listë me kandidatët dhe vlerësimet përkatëse dhe vetëm emrat që marrin mbështetjen e 28 deputetëve bëhen zyrtarisht kandidatë dhe votohen në seancë plenare./Reporter.al

Kandidatët për Avokat të Popullit:

1-Jordan Daci

2-Evis Fico

3-Erinda Ballanca

4-Bledar Dervishaj

5-Ahmet Premçi

6-Endri Papajorgji

7-Brikena Kasmi

8-Boriana Nikolla

9-Altin Goxhaj

10-Ermir Kapedani

11-Olta Aliaj

12-Jorida Rustemi

13-Drita Avdyli

14-Ledio Braho

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura