ANALIZA/ “Dhurata që po i bën Qeveria lojërave të fatit, pas çdo përralle të rilindjes fshihet një projekt grabitjeje”

Jul 18, 2018 | 15:38
SHPËRNDAJE

ANDI BUSHATI

Kush do të kuptojë realisht atë që po ndodh me Teatrin Kombëtar nuk mund t’a shohë të shkëputur nga dinamika e gjatë e vendimeve të qeverisë dhe nga aktet e saj të fundit. Për ditë më radhë ne jemi ngërthyer në një debat shterpë, nëse duhet ruajtur godina e vjetër, apo duhet një e re, nëse aktorët janë të unifikuar apo të përçarë, nëse ka më tepër rëndësi modernja apo tradicionalia, nëse është më i sinqertë Kastriot Çipi, apo Altin Basha.

Por, të gjitha këto kanë shërbyer vetëm për një gjë: për të fshehur një vjedhje të madhe. Për të mbuluar një biznes me fitim mbi 200 milionë euro në sajë të 6 grataçielave që Fusha do të ngrejë në truallin e teatrit të shembur.

bushati

Për të kuptuar se kjo është kaq e thjeshtë, se nuk ka lidhje me një debat estetik mes të bukurës dhe të shëmtuarës, mes të mirës dhe të keqes, mes moralit dhe mungesës së tij, na shërbën edhe një vendim që qeveria Rama po përgatitet të marrë paralelisht me atë për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Fjala është për dhuratën e re fiskale që qeveria po përgatitet t’i bëjë kazinove, pikave të llotove dhe basteve, pra gjithçkaje ka të bëjë me sportin kombëtar të kumarit.

Po të shohësh paketën e re fiskale që është shpënë për shqyrtim në kuvend dallon me lehtësi se këtej e tutje buxheti i shtetit do të mbledhe më pak para nga pronarët e llotove.Dhe ironia është se kur dy vite më parë atyre iu bënë të tjera lehtësime, arsyetimi ishte diametralisht i kundërt: Ata duhen përkrahur se derdhin shumë para për të cilat buxheti ka nevojë.

Por, kjo histori mashtrimesh të paskrupullta është tejet e gjatë.

Pesë vite më parë në fillimet e qeverisë së tij, Edi Rama, së bashku me krahun e tij të djathtë Saimir Tahirin, nisën një operacion të bujshëm të titulluar “Fundi i marrëzisë”. U mobilizuan mbi 6 mijë policë, u rrethuan pikat e basteve me shirita ku shkruhej “skenë krimi” dhe kryerilindasi shpalli devizën: “ka ardhur dita t’i japim fund këtij fenomeni. Strategjia përbënte një fabul të mrekullueshme: Dërgimin e kazionove drejt hoteleve me 5 yje që do të lulëzonin në erën e re të zhvillimit ekonomik dhe zhdukja e tyre nga qendrat e qyteteve. “Ne nuk mund të pranojmë një ves të neveritshëm që po shkatërron familjet dhe psikikën e qytetarëve” thoshte atëherë me ton prej rilindasi, Rama. Dhe për t’a realizuar këtë objektiv, pas show-t të shtatorit 2013, ai vendosi një datë: shqiptarët do t’i thoshin lamtumirë, kazinove, pikave të basteve dhe makinave elektronike, në dhjetor 2016.

Por kur u afrua kjo datë, pushteti i parasë bëri të vetën. Me argumentin kryesor se taksat e kumarit mbanin buxhetin e shtetit (pra të tij buxheti që po ia zhveshin sot një pjesë të këtyre parave), një grup deputetësh rilindas imponuan shtyrjen edhe me dy vjet të afatit të qëndrimit të pikave të basteve në qendrat e qyteteve.

Kur u pyet nga gazetarët mashtrimi i Ramës ishte epokal: “Unë mbetem për zhdukjen e bixhozit, por në këtë pikë jamë minorancë në PS” (video poshtë). Pra me një fjalë Rama donte, por nuk i bindeshin deputetët. Pra kryeministri tolerant dhe demokrat i përulej vullnetit të shumicës së tij.

Për t’u kthyer sërish te teatri, gënjeshtra e Ramës bëhet edhe më qesharake. I njëjti kryeministër që u fiksua nga kamerat duke i bërë një sherr banal Pandeli Majkos, vota e lirë e të cilit nuk i prishte asnjë punë, në një rast tjetër, bën sikur nuk i binden deputetët. Pra ai do të na lërë të besojmë se ai grup me njerëz pa personalitet që u tregua i gatshëm të ngrinte kartonat për një ligj special grabitjeje, dikur nuk i qenka bindur vullnetit të tij për të mbyllur kazionotë.

Si ky mashtrim banal, po ashtu edhe ai që njëherë i bëhet favor pronarëve të kumarit me pretendimin se ata mbushin buxhetin e shtetit dhe herën tjetër favorizohen duke i rënë në qafë buxhetit, janë të mjafta për të kuptuar se pas çdo përralle të rilindjes fshihet një projekt grabitjeje.

Ashtu sikurse pas shëndetësisë falas fshiheshin koncesionet milionëshe të Check- up, sterilizimit dhe dializës, ashtu sikurse pas pastrimit të qyteteve, fshihej megaafera e inceneratorëve, ashtu si pas teatrit modern fshihet, grabitja e truallit publik, po kështu edhe pas ‘goditjes së kumarit’, fshihej gjoba e majme për pronarët e këtij biznesi me fitime 100 milionë në vit.

Gjashtë vite më parë, Edi Rama erdhi në pushtet me premtimin e madh për t’i dhënë fund marrëzisë që kishte kapluar vendin. Gjashtë vite më pas, ai e ka shfrytëzuar këtë për të ngritur një regjim kleptokratik dhe të marrë. Prandaj, tani është koha t’i jepet fund marrëzisë së tij.

Lapsi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura