ANALIZA/ Dështimi i Shqipërisë dhe mëkatet e Kristian Panuçit

Nov 19, 2018 | 19:40
SHPËRNDAJE

Shqipëria e përfundoi edicionin e parë të Ligës së Kombeve jashtë pritshmërive, madje për ta thënë më qartë: Një dështim. Vendi i tretë, vetëm një fitore në 4 ndeshje, 1 gol i shënuar dhe 8 të pësuar. Arsyet e këtij dështimi janë nga më të shumtat: nga dëmtimet e futbollistëve të rëndësishëm te gabimet individuale që kanë kushtuar shumë, te forca e kundërshtarët që nuk duhet injoruar dhe të tjera.

Por në këtë listë të gjatë nuk mund të shpëtojë trajneri Kristian Panuçi. Pa u marrë me gabimet tekniko-taktike, më poshtë janë disa nga arsyet dhe gabimet që bëri ai, të cilat nuk e ndihmuan të formonte një grup.

kristian panuci

KAPITENËT – Kristian Panuçi debutoi në konferencë me një gabim të rëndë, i cili lidhej drejtpërdrejt me kapitenin e skuadrës. Në atë kohë, Ansi Agolli ishte kapiten i Kombëtares dhe kishte trashëguar shiritin si futbollisti më me eksperiencë pas largimit të Lorik Canës. “Do të jetë kapiten ai që ka më shumë ndeshje”, tha Panuçi. Një rregull që në fillim dukej interesant sepse i takonte futbollistit më me shumë eksperiencë në ekip. Por Shqipëria nuk është Italia, as Spanja apo ndonjë kombëtare tjetër që ka Kielinin, Ramosin, të cilët kanë shumë ndeshje në krahasim me të tjerët. Në Kombëtaren tonë lojtarët parakalojnë njëri-tjetrin për ndeshje të luajtura herë pas here dhe shiriti bënte rrotacione të shumta: Roshi, Berisha, Mavraj, Agolli, Hyka, Memushaj etj. Diçka që zbehu figurën dhe vlerat që duhet të përçonte kapiteni në fushën e lojës. Gabimi u korrigjua më vonë kur kapiten u zgjodh Mavraj me votat e skuadrës.

ÇËSHTJA “AGOLLI” – Trajneri italian nuk arriti të menaxhonte mirë një lojtar me shumë eksperiencë në Kombëtare si Ansi Agolli. I përmendte gjithmonë moshën dhe thoshte shpeshherë se do t’i gjente zëvendësuesin. Por i mungoi takti, i mungoi finesa dhe mënyra për ta bërë të kuptonte Agollin që ishte koha për t’u larguar. Por pse duhet të largohej një lojtar që luante në nivele të larta si në Ligën e Kampionëve apo Europa Ligë me Karabakun? A nuk thuhet se mosha në futboll është thjesht një numër? Dhe Agolli shënoi me Lihtenshtejnin dhe tregoi numrin 35. Aq sa mosha e tij. Panuçi dështoi të gjente një zëvendësues për Agollin dhe pak kohë më vonë e ktheu sërish në Kombëtare, por pa i dhënë mundësinë që të luante asnjë minutë. Diçka e tillë mund të bëhet me ndonjë lojtar të ri, jo me dikë që ka mbi shpatulla 73 ndeshje me fanellën kuqezi.

RREGULLA ABSURDE – Panuçi ka shumë të drejtë kur thotë se në Kombëtare duhen rregulla të forta, por për të krijuar një frymë pozitive në grup duhet ndonjëherë që t’i shkelësh këto rregulla. Atëherë kur janë për të mirën e lojtarëve dhe skuadrave ku ata luajnë. Në fund të fundit, aty paguhen dhe marrin rrogën si futbollistë. Dhe Panuçi pati që në start një përplasje me Sokol Cikalleshin, i cili i kërkoi leje të vonohej disa orë sepse do të firmoste kontratën e jetës me Osmanlisporin. Trajneri nuk e lejoi dhe tha se duhet të ishte paraqitur në grumbullim. E përjashtoi dhe e humbi përgjithmonë një sulmues shumë të vlefshëm. E grumbulloi vetëm 1 herë dhe nuk e aktivizoi. E njëjta gjë ndodhi edhe me Mavrajn pak ditë më parë. Mbrojtësi dhe Arisi kërkuan që ai të luante ndeshjen ditën e hënë, ndërsa Panuçi tregoi “muskujt” dhe nuk e pranoi kërkesën e tyre. Por jo vetëm kaq. Rregullat e Panuçit për të mos lejuar lojtarët që të qëndrojnë në ambientet e përbashkëta të rezidencës kuqezi në Durrës apo për të mos takuar tifozët që e ndjekin ekipin në Maqedoni.

TAKIMI ME XHAKËN – Një tjetër moment delikat për trajnerin ishte rikthimi i Xhakës në Kombëtare. Ky i fundit u largua për një moment kur trajner ishte De Biazi dhe Panuçi kishte misionin që ta bindte. Shkoi në Zvicër dhe Xhaka e la të priste. Takimi i parë dështoi dhe krijoi një moment delikat mes të dyve. Diçka që u zgjidh më vonë dhe Xhaka u shndërrua në një lojtar titullar të formacionit të tij.

TË RINJTË – Trajneri i Kombëtares kishte misionin e vështirë që ta mbante ekipin në nivele të larta pas kualifikimit në Europian, por edhe të bënte pak ndryshime mes lojtarëve që tashmë mund të quheshin veteranë. Dhe Panuçi solli futbollistë të ndryshëm si Astrit Ajdareviç, Kamer Qaka, Ivan Balliu, Hysen Memolla, Valon Ahmedi, Herdi Prenga, Egzon Binaku, etj. Por asnjëri prej tyre nuk pati vazhdimësi dhe nuk shkëlqeu me Kombëtaren. Asnjë “bast” i fituar prej tij, me përjashtim të Binakut që e ka grumbulluar vazhdimisht.

LOJTARË PA BY… – Panuçi nuk pati një menaxhim të mirë të marrëdhënies as me Kosovën, e cila u anëtarësua në FIFA dhe tani ishte një rivale për të (për futbollistët me origjinë shqiptare). Ai kontaktoi për Edon Zhegrovën, i cili i premtoi se do të vinte dhe pastaj ndryshoi mendje. Ai e quajti një lojtar pa by…

PA STANDARDE – Meqë jemi te grumbullimet: Kristian Panuçi nuk kishte një standard në përpilimin e listës së futbollistëve. Thoshte në konferencë që ftonte ata që kishin më shumë minuta, por ky ishte thjesht një justifikim. Pastaj papritur grumbullonte Alijin që nuk kishte skuadër dhe thoshte se e mori për ta ndihmuar. Kishte futbollistë që luanin më shumë dhe nuk vinin në Kombëtare dhe nga ata që luanin pak dhe grumbulloheshin.

STAFI, MEDIA – Por Panuçi nuk është ndihmuar sa duhet nga stafi i tij. Mori si zëvendëstrajner ish-shokun e skuadrës te Roma, Kaseti, i cili kishte pak muaj që kishte marrë licencën. Atij në këto momente i duhej një njeri me më shumë eksperiencë që ta korrigjonte në gabimet që bënte. Gjithashtu, pati probleme me median. Fillimisht refuzoi të jepte intervista pas ndeshjes për “SuperSport”, ndërsa përpara Skocisë tha se “Panorama Sport” nuk e vendoste dot në presion.

Gentjan Alinani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura