ANALIZA/ “Bilanci tragjik i babëzisë, më i madh se bilanci i fatkeqësisë”- Preç Zogaj: Tërmetit të natyrës i duhet dhënë përgjigje me “tërmetin” e ligjit

Dec 1, 2019 | 22:42
SHPËRNDAJE

Prec-Zogaj

Preç  Zogaj/ Në  rendin e  ditëve është përballimi i pasojave të tërmetit- një ndërmarrje e stërmadhe që ka thirrur në kauzë qeverinë  dhe agjencitë e saj, shoqërinë civile, familjet, individët,  opozitën,  vendet mike që po na gjenden pranë.

Të gjithë po bëjnë pjesën e tyre në një përpjekje që sa vjen e koordinohet e vetkoordinohet më mirë brenda  të njëjtit qëllim: si të kalohet tragjedia, si të shpëtohen sa më shumë jetë të rrezikuara, si të shmangen sa të jetë e mundur  tragjedi të tjera, si të  ndihmohen të pastrehët dhe të shokuarit, si të rifillojnë jetën  qytetet  dhe qytezat  e mbërthyera nga frika,  si të ripajtohemi shpirtërisht e mendërisht me tokën tonë,  që ka formën e  pëllëmbës në hartë , siç thoshte poeti i ndjerë Ndoc Gjetja, pëllëmbë e dashur që siç na ka përkëdhelur shumë herë, na ka goditur këtë herë.

Kjo përpjekje epike sa ka nisur. Ajo do të shtrihet gjatë në kohë.

Por  nuk është shpejt të fillojmë të flasim për shkaktarët e  katastrofës.  I pari është vetë tërmeti   që  godet gjithnjë, si një fuqi e verbër, jetët, shtëpitë, pronat. Kalendari shumëshekullor  i tërmeteve është një histori kurbanesh.  Gati-gati nuk quhet termet ai që nuk ka kurbane. Ky i orës katër të mëngjesit  të së martës klasifikohet te tërmetet e mëdha (jo ndër më të mëdhenjtë, ai i 15 prillit të  vitit  1979  ka qenë  një ballë  më  shumë). Por  hyn te ato që nuk do të harrohen kurrë  për shkak të bilancit të viktimave dhe dëmeve të tjera.  Ai goditi si fantazma e një përbindëshi  natën, kur njerëzit ishin në gjumë.  Brenda tridhjetë sekondash  disa ndërtesa  në Durrës dhe Thumanë u shemben, dhjetëra  njerëz përfunduan  nën rrënoja  si në një apokalips, qindra  te tjerë u lënduan, një numër i madh,  ende i  papërcaktuar pallatesh e banesash u bënë të pabanueshme.  Tërmeti ka pjesën e vet në këtë plojë. Mediat tona  i kanë dhënë një vend të dukshëm, jo pa qëllim,  deklaratës  së një sizmologu nga Italia se një termet i tillë mund të kishte  pasur edhe katërqind  të vrarë. Mund të jetë kështu, mund të jetë e kundërta.  Hamendjet janë një festival ektremesh. Përpara kemi faktet që flasin vetë.

Numri i viktimave e  ka kaluar atë  të tërmetit  të tmerrshëm te 15 prillit 1979 që, siç e thamë,  ishte më i fuqishëm se ky  i 26 nëntorit 2019.  Dyzet të vdekur patëm atëherë, dyzet e nëntë kemi tani.  Të plagosur e të lënduar janë  mbi nëntëqind persona.  Dëmet materiale po llogariten. Edhe ato ngjajnë të jenë shumë të mëdha .

Krahasimet  janë të vetvetishme kur flasim  për këto bilance.  Edhe pse nuk thonë gjithçka,  duke qenë se  bilanci i dëmeve të një tërmeti nuk varet vetëm nga forca e tij. Por krahasimet ndihmojnë ndërkaq për të nxjerrë në pah çfarë i përket fatkeqësisë natyrore dhe çfarë u  përket  neglizhencave, papërgjegjshmërisë, grykësisë dhe babëzisë   njerëzore  në bilancin e dëmeve.

Për ta nisur nga e fundit, ploja e  babëzisë  është ulëritëse në këtë katastrofë. Disa pallate dhe disa hotele në brezit turistik të Durrësit janë shembur  si  të  ishin prej  kartoni  dhe kanë vrarë njerëz të pafajshëm. Po të ishin ndërtuar  brenda parametrave të cilësisë dhe  sigurisë sizmike  nuk do të ishin shembur. Kjo duket shumë e qartë,  pa qenë nevoja e një ekzaminimi profesional. Lajmet për rrafshimin e disa hoteleve janë një gjemë e shtuar në gjëmën që ka pllakosur. Për jetët e pakthyeshme që morën pikësëpari. Për damkën që  i vunë hotelerisë sot dhe në të ardhmen. Për vdekjen e turizmit, pse jo, në  bregdetin e Durrësit. Në fakt hotelet që ranë ashtu janë antireklama më fatale që mund t’i bëhej  turizmit shqiptar.  E njëjta gjë me pallatet  e pabanueshëm  në gjendje nokdauni në  Durrësin e  dashur,  të cilin e kishim  një vitrinë të Adriatikut, por që për 30 sekonda  u  shndërrua në një qytet fantazmë.

Hotelet janë ndërtuar  tani vonë,  në erën  e re të biznesit të turizmit. Presupozohet se do të ishim  më të sigurtët, më komodët.  Pallatet gjithashtu janë ndërtuar në erën e re të nismës së lirë.  Lakmia  për dy lekë më shumë e atyre që i projektuan, i  financuan, i  ndërtuan, i menaxhuan, i shiten- lakmi  e  ngjyer tashmë  me gjak-  është  një krim  që njerëzit  përgjegjës nuk duhet thjesht  ta mbajnë në ndërgjegje, por ta shpaguajnë ligjërisht. Nuk  e di tani a ka  filluar ndonjë hetim  penal për  katastrofën prokuroria e Durrësit apo ajo e Krimeve të Rënda. Sekush duhet të bëjë punën e vet, prokurorët as nxjerrin kufoma  e të mbijetuar nga gërmadhat,  as ngrenë çadra.  Puna e tyre është të hetojnë dhe çojnë në gjykatë peronat që kanë përgjegjësi penale  në këtë  tragjedi.  Ligji duhet t’u qepet e t’i gjeje kudo ku janë kriminelet  me kollare  të 26 nëntorit: në zyrat e bashkive ku jepen lejet e ndërtimit, në  zyrat  e tjera të pushtetit  vendor e qendror ku ndërtimet  duhet të kontrollohen  e certifikohen para përdorimit, në zyrat e qeverisë  ku  mosveprimi sipas ligjit i zyrtarëve të lartë të fushës  i ka dhënë një dorë  krimit të madh të abuzimit me ligjshmërinë dhe standardet e ndërtimit, në zyrat e firmave dhe subjekteve  private  që  kanë ngritur këto ndërtesa duke “kursyer” në  parametrat e cilësisë dhe sasisë së materialeve të ndërtimit, apo duke  eliminuar  kolonat mbajtëse për të  fituar sa më shumë sipërfaqe  të shfrytëzueshme.   Botës nuk do t’i mungojnë kurrë  lakmitarët e pacipë, xhambazët me shpirt të prishur,  të verbuarit nga etja për tu pasuruar  në rrugë të paligjshme. Për ketë është shteti, autoriteti publik, qeveria, bashkia, agjencitë e kontrollit. Për të frenuar e mbajtur  në kanalet e ligjit këto tundime  vrastare. Babëzia  e privatëve  akuzon  qeveritë. Neglizhencat në verifikimin e ndërtesave të vjetra si ato në Thumanë akuzojnë pushtetin  vendor dhe qendror. Vdekjet e paralajmëruara  akuzojnë gjithë një piramidë zyrtarësh nga një qeveri në tjetrën. Disa prej të cilëve janë paguan nën dorë për të dhënë  leje ndërtimi e leje shfrytëzimi  symbyllur.

Bilanci  tragjik i  babëzisë dhe papërgjegjshmërisë është më i madh se bilanci i fatkeqësisë.  Mund të duket e rëndë ta themi por duhet ta themi : tërmeti i 26 nëntorit u ngrit vrullshëm nga thellësia e nëntokës sonë dhe bëri “ kontrollin” e munguar të ndërtimeve në rajonin e Durrësit,  Thumanës, Laçit, Lezhës  dhe Tiranës gjithashtu. “Kontrollin” që duhej  të  kishin bërë autoritetet. Fatmirësisht pallatet e reja në Tiranë  dhe shumë syresh në Durrës, Laç dhe Lezhë  u qëndruam goditjeve. Nuk e kishim  këtë verifikim. Së paku për një termet të magnitudës  6,4 të shkallës  Rihter. Dhe gjithë sa jemi banorë  në këto qytete-  më shumë se një milion- dhe   bashkatdhetarët  tanë brenda  dhe jashtë vendit kemi falënderuar  këto ditë me dorë në zemër  arkitektët, inxhinierët, sizmologët , ndërtuesit  dhe sipërmarrësit privatë që respektuan  parametrat dhe menduan për jetët tona pa na njohur e pa i njohur,  edhe kur mund të mos i kishin respektuar ato parametra, siç kanë bërë të papërgjegjshmit  lakmitarë.  Në verbërinë e vet,  teksa u mund nga  ndërtesat e forta,  tërmeti i se martës  fshiu ndërkaq  nga faqja e dheut apo vuri buzë greminës  gjithçka që nuk i rezistoi provës dhe mbolli vdekje  e lëndime më shumë se paraardhësit e njëqind viteve të fundit.  Kjo ishte hakmarrja e ligjësive . Ky ishte çmimi i lartë që paguan familjet e goditura dhe mbarë vendi. Çmim që nuk është fiksuar akoma. Që do të jetë akoma më i lartë se sa e dimë tani. Që nuk duhet lënë  për asnjë arsye në havanë e anonimes,  ku  askush s’jep llogari para ligjit. Tërmetit të natyrës i duhet dhënë përgjigje me “tërmetin” e ligjit  për pjesën ku fajin e kanë njerëzit.  /Gazeta Liberale

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura