Faktorizmi i opozitës dhe kompleksiteti i çështjes Xhafaj!

May 16, 2018 | 11:45
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ/ 

gjekmarkaj

Pas shtatorit 2017 e këndej, muajt njëri pas tjetrit nuk kanë qenë të mbrothtë si të përhimë erdhën ata për Qeverinë. Nga shiu në breshër, paçka se ia doli t’i merrte krejt për vete të gjitha pushtetet në Shqipëri, Edi Rama s’po gjen qeti. Njëfarësoj maxhoranca po korr të mbjellat e veta dhe pa mëshirë shfaq dekadencën e saj si portal çudish!

Jo shumë kohë më parë, njerëzit me rekorde kriminale i futi në Parlament, pastaj në pushtetin lokal duke kapur Everestin e befasisë me dy ministrat e Brendshëm, njëri pas tjetrit, të akuzuar për trafik droge e lidhje me krimin. Të bësh politikë me krimin, nuk vonon dita kur krimi bën politikë me ty e të shndërron në buratin të vetin.

Njëri ministër, tanimë ish, është në arrest shtëpiak, tjetri në zyrë, por nën arrest psikologjik, ku i kërkohet dorëheqja nga opozita pas dosjes së bujshme dhe zërit të të vëllait, teksa i mirëpritet ajo nga partia e vet. Këta muaj ngarkuar më keq se gomari i Nastradinit me ngjarje kësodore, duhet të ishin të mirë për opozitën, po të tillë nuk qenë. Lulzim Basha çdo sjellje publike apo opozitare, protesta, agresivitet në Parlament, miell, vezë, mosbindje të bindur civile i ka pasur të kushtëzuara nga preokupimi për fatin e vet dhe konsolidimin e pozicionit të tij në parti.

Atyre sjelljeve shpesh u ka munguar koherenca dhe besueshmëria sepse lexohej qartë përpjekja për të zhurmuar zërat kundërshtarë dhe mbuluar kufomën e demokracisë së brendshme të vrarë nga “njësiti gueril”! Kësisoj edhe çështja Tahiri, një nga skandalet më të mëdha politike të të gjithë tranzicionit, u keqmenaxhua nga opozita me këtë qasje pa marrë “frytet” publike që të ofron një “ortek” kaq rrokullisës. Basha, pas kongresit të vazhdimësisë, tani e ka situatën nën kontroll dhe mund të hajë akullore me vanilje çdo pasdite, i patrazuar nga “Facebook”-u tym e flakë i kundërshtarëve!

Për mënyrën sesi e ka menaxhuar informacionin mbi Xhafajn dhe shndërruar atë në çështje apo skandal politik, meriton përgëzime! Ky është momenti i parë gjatë këtyre muajve plot maraz, ku PD dhe Basha ndërtojnë një aksion opozitar serioz dhe inteligjent me impakt të madh ndaj opinionit.

Me një strategji, e cila u ngjan bombave me plasje të vonuar, ditë pas dite kanë ndërtuar një kurth-imazhi për ministrin e Brendshëm dhe qeverinë e Edi Ramës. Gërshetimi i dokumenteve, akuzave dhe pyetjeve të përditshme retorike të mbetura pa përgjigje nga Xhafaj dhe Rama deri tek audio-përgjimi i ditës së hënë, për herë të parë e kanë spostuar rëndesën politike të vendit te selia opozitare. Veprimet e saj, nëse nuk i tradhton pritshmëritë që ka ngritur, priten me interes.

PD ka ndërtuar një kauzë bindëse në pak ditë. I zënë në befasi apo në vetëdije, Kryeministri, kësaj here, ka gjuajtur me fishekë manovër me duart e Taulant Ballës, deklarata e të cilit e lëshoi përgjysmë Xhafajn si pre në gojën e opozitës. Ai po udhëton nëpër Europë jo fort i mërzitur për atë që shfaqet si gjëmë për nga kostot. Në Tiranë, kazanit i kërcen kapaku në hava nga zierja. Me gjasë, ndonjë keqardhje njerëzore për më të rëndë- sishmin e ministrave të vet, dukshëm në hall nuk ndihen. Të shumtë janë zërat, të cilët pohojnë se marrëdhënia mes tyre i ngjan dy të divorcuarve që jetojnë në një shtëpi prej hallit, por që para se të flenë i urojnë njëritjetrit “vdeksh ishallah”.

Xhafaj, në televizion, me dinjitet ka insistuar gjithmonë se me Kryeministrin ka marrëdhënie institucionale, pa shfaqur ndonjë mirënjohje, besnikëri apo ledhatim të posaçëm siç është zakoni kësaj ane. T’ia njohim si meritë. Pohime kaq të ftohta të bëjnë me mendue se Xhafaj nuk është zgjedhur nga Rama, por është pranuar prej tij për të kënaqur ambasadoret Lu e Vlahutin, të cilët e patën Fatmir Xhafajn dollibash të procesit gjatë Reformës në drejtësi. Ata janë mbyllur në heshtje, megjithëse Rama i thirri në kauzë sapo “kutia e Pandorës” u hap. Kjo veçori e bën disi me komplekse dhe trazuese këtë vaki të re në kampin socialist ku anetë gjerbin kafe të hidhur e shohin filxhan.

Edhe ambasadorët e nderuar do ta kenë të vështirë të heshtin gjatë nëse akuzat vërtetohen. Imponimi dhe etika duhet të plotësojnë njëra-tjetrën edhe në një vend të vogël si yni, ku dinjiteti njerëzor ka të njëjtin çmim si kudo tjetër. Gjithsesi, kemi të bëjmë me një ministër të Edi Ramës dhe jo të SHBA-ve apo BE-së dhe përgjegjësia nuk mbetet tek ata, sado sponsorë të kenë qenë!

Rama të krijon përshtypjen që është gati të paguajë koston publike që sjell përlyerja e Xhafajt për të rivendosur kështu autoritetin dhe rifituar sigurinë brenda gardhit të vet. Pas kësaj historie, Xhafaj nuk është më një rival dhe një rrezik për Edi Ramën. Në çdo rast, tanimë ai është i dobësuar. Kryeministri ka paralajmëruar sot se do flasë për këtë çështje. Përtej propagandës, ai ka vetëm një mundësi: Të shkarkojë ministrin e Brendshëm ose të pranojë dorëheqjen e tij. Çdo film tjetër është i njohur dhe do jetë kosto e madhe për të vetë.

Moralisht, Xhafaj është një ministër i rënë edhe për kaq sa dimë. Kësaj here opinioni përtej faktit voton majtas apo djathtas ngjan t’i besojë opozitës, e cila është faktorizuar. Duhet thënë se denoncimet janë gjithmonë të rëndësishme, sidomos kur bindin dhe nuk përgënjeshtrohen. PD në këto pesë vite opozitë ka bërë shumë sosh disa të vërteta e disa jo edhe aq. Me ato ka fituar kauza tejet të rëndësishme, me vlerë shoqërore si dekriminalizimi. Denoncimet nuk mjaftojnë për të ardhur në pushtet. Vërtet ato zbulojnë anën e keqe të kundërshtarit, po nuk të bëjnë më të mirë ty. Ato nuk i mjaftuan për t’u kthyer në pushtet dhe as do t’i mjaftojnë. PD ende nuk ka një ekip dhe alternativë të besueshme për të bërë diferencën dhe bindur qytetarët.

Dashësit syndezur e buzëlëpirë për karrige, armiq të kulturës dhe shkrimit të etur “për të bo noj lek”, shumë shumë bindin prindërit, gratë, fëmijët e tyre dhe ndonjë shok a bojalleshë, që s’ka gjë për të humbur, por jo shoqërinë. Betejën e banalitetit me Qeverinë opozita e humbi frikshëm më 25 qershor. Këto ditë ka fituar një betejë morale e politike me Fatmir Xhafajn dhe Edi Ramën, por është ende shumë larg të qenit frymëzim dhe frymëzuese për të gjithë ata që duan ndryshim. Kjo do të ndodhë veç atëherë kur Basha ta kuptojë dhe pranojë çfarë duan qytetarët përtej egos dhe nevojës së tij të çastit për shërbëtorë me pagetyrë!

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura