ANALIZA/ “Basha ka filluar t’i japë formë vizionit të tij për Shqipërinë e nesërme. Rama artikulon copëza idesh politike. Pse ai është konvertuar në një neo-liberal devijant”

Sep 20, 2020 | 20:02
SHPËRNDAJE

basha ramaNGA ALTIN GJETA

Intervista e liderit të opozitës, Lulzim Basha, të enjten mbrëma në Opinion duket se ka kaluar pa vëmendjen e duhur në rrethet e komentariatit politik të Tiranës. Nuk di të them nëse një shpërfillje e tillë ka ardhur nga cektësia e mendimit analitik të vëzhguesve të aktualitetit apo është zgjedhje strategjike për të lënë në hije disa ide thelbësore të cilat me shumë mundësi do të formësojnë Shqipërinë e kësaj dekade që sapo kemi shkelur. Por mundem me thanë lirisht se ndoshta për herë të parë në këto tre dekada, elaborimi politik i Lulzim Bashës sinjalizon nisjen e një procesi transformues në shoqërinë shqiptare.

Ky diskurs i ri politik vjen në krye të tre dekadave tranzicion, periudhë gjatë së cilës Shqipëria ka kaluar nga një regjim Stalinist në një regjim apolitik, të mbyllur, ku sundon një njeri i vetëm. Kjo ka ardhur si rezultat i prevalimit të ‘politikës’ me të cilën studiuesja e teorisë së demokracisë, Chantal Mouffe, kupton dimensionin e brendshëm antagonist (luftarak) të raporteve njerëzore, mbi ‘politikat’, tërësinë e praktikave, diskurseve dhe institucioneve që synojnë krijimin e kushteve për bashkëekzistencë paqësore mes sistemeve të ndryshme të vlerave dhe koncepteve mbi atë se çfarë është e mirë apo e moralshme në një shoqëri pluraliste. Hapësirën e ‘politikave’ në jetën publike post-komuniste shqiptare e ka zënë diskursi antipolitik i lidershpit i cili nuk ka synuar mobilizimin e qytetarëve rreth alternativave reale, të majta apo të djathta, por rreth konstruktimit imagjinar të kundërshtarit politik si armik, qesharak dhe të rrezikshëm me të cilin asesi nuk mund të bashkëpunohet dhe se në instancë të fundit duhet të eliminohet tërësisht nga skena politike.

Edi Rama është mishërimi i plotë i këtij modeli, i cili me anë të makinerisë së tij propagandistike ka synuar ç’veshjen e shoqërisë shqiptare nga çdo lloj pike reference ideore dhe sistemi vlerash. Për Ramën pushteti nuk ka qenë asnjëherë mjet, por qëllim në vetvete.

Që në krye të herës, me marrjen e drejtimit të PS-së, Rama e konstruktoi veten në publik si një qenie apolitik, një mesia i kohëve të reja i cili premtonte të largonte tregtarët (armiqt) nga tempulli. Në pamundësi për të ndërtuar një fabul elektorale, ai në fillim përqafoi rrugën e tretë të ish-kryeministrit britanik Tony Blair, bazuar në idenë e sociologut Anthony Giddens, ‘përtej të majtës dhe të djathtës’, një qasje pragmatiste centriste e cila synonte të rigjallëronte të majtën e diskredituar në fillim të viteve 90-të me rënien e regjimeve komuniste në Europën Lindore.

Ndërsa në vitin 2013-të, megjithëse PS-së nuk arriti të merrte asnjë mandat më shumë se në 2009-ën Rama erdhi në pushtet nëpërmjet numrave me LSI-në. Zgjedhjet e vitit 2013-të shënojnë herën e parë dhe të vetme kur Edi Rama artikulon copëza idesh politike, duke përqafuar taksën progresive, një lloj sforcimi ideologjik majtist që rezultoi një fasadë, një fiasko politike dhe ekonomike. Qysh atëbotë, ndërsa Rama predikon socializëm për popullin, p.sh shëndetësi falas, legalizime fala etj, ai në të vërtetë është konvertuar në një neo-liberal devijant duke kandisur një grusht njerëzish me koncesione milionëshe, çka ka monopolizuar ekonominë dhe falimentuar biznesin e ndershëm. Këtij inxhinjerimi politik dhe social banal, Rama i vuri kapak me ofertën e tij të ‘tepsisë dhe timonit’ në 2017-ën.

Ndërkohë që i afrohemi zgjedhjeve të reja parlamentare, kryeministri duket se ka shteruar nga çdo lloj ideje dhe fabule politike. Në mungesë të një bilanci qeverisës, ai kërkon një mandat të tretë nëpërmjet retorikës diversive dhe anti-politike në përpjekje për të konstruktuar një pikë reference boshe, një kurth, një realitet imagjinar, si ‘fajin e ka Saliu, Basha është i paaftë për të fituar, nuk ka më të mirë se unë etj’, nga ku pretendon të mbahet përthnojsh pas pushtetit. Krijimi i një realiteti të tillë virtual antipolitik synon minimin e mobilizimit të qytetarëve rreth platformës ideore të opozitës – duke synuar kështu krijimin e një apatie të përgjithshme tek elektorati që kërkon ndryshim radikal.

Në të kundërt, Lulzim Basha ka filluar ti japë formë vizionit të tij për Shqipërinë e nesërme. Ai ka filluar të flasë për një program ekonomik realist i cili synon zgjerimin e shtresës së mesme nëpërmjet implementimit të taksës së sheshtë 9%, heqjes së burokracive administrative, subvencionimin e fermerëve dhe shkatërrimin e monopoleve. Në artikulimin e Bashës mungon fryma mesianike, përkundrazi ravijëzohet ideja e një projekti i cili ka për qëllim krijimin e një klime të favorshme për sipërmarrjen e lirë dhe respektin për punën.

Kështu, Basha shfaqet si një lider normal që nuk iu flet zemrave por radios së shqiptarëve. Nga ana tjetër, Basha e ka kuptuat së sistemi politik 30 vjeçarë është një ngrehinë e kalbur e cila nëse nuk reformohet në mënyrë radikale rrezikon të na zërë përfundi të gjithëve.

Prandaj, fuqizimin ekonomik të individit ai e lidh ngushtë me fuqizimin politik të tij në funksion të kufizimit të pushtetit si një nga kushtet themelore për ndërtimin e një demokracie funksionale. Ideja radikale e kufizimit të mandatit të kryeministrit në dy term-a jep mesazhin e qartë të qasjes së tij ndaj pushtetit. Shqipëria është një vend me traditë demokratike foshnjërake ose më mirë me thanë inekzistente, me institucione të dobëta dhe të zhbalancuara, kështu që kufizimi i pushtetit të kryeministrit do të ishte një hap pozitiv në frenimin e çimentimit dhe degradimit të pushtetit nga autokrati i radhës dhe nxitjen e qarkullimit të elitave politike.

Kësisoj, artikulimi ideologjik i Bashës, shpalosja e ideve politike në hapësirën publike dekonstrukton narrativën boshe antipolitike të kryeministrit Rama. Platforma e tij ideore e krijon premisat për ndërtimin e një alternative kundër-hegjemonike e cila i shërben interesit publik dhe themelimit të demokracisë pjesëmarrëse. Theksimi i kufijve ideologjik sipas Chantal Mouffe nxit mobilizimin dhe pjesëmarrjen pasi qytetarët shikojnë lindjen alternativave të reja rreth të cilave ato ndihen të përfaqësuara. Andaj, radikalizimi platformës ideore të PD-së bën të mundur krijimi i një vije thyrëse mes hegjemonisë apolike të Ramës dhe shfaqjes së një platforme akomoduese e cila mobilizon qytetarët dhe hap rrugën për transformime politike dhe socio-ekonomike në vend. Në këtë kuptim, artikulimi i Bashës është transformues dhe emokratizues, dhe çfarë është më me rëndësi, krijon frymën e përmbysjes (outvoting) së makinerisë së manipulimit elektoral të pushtetit autokratik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura