Babëzia shumëpartiake

Mar 21, 2018 | 18:25
SHPËRNDAJE

prec zogajPREÇ ZOGAJ

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, uroi nga Lezha që kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, të dalë i pafajshëm. Ky është zakonisht qëndrimi parimor që mbajnë liderit politikë ndaj akuzave të Prokurorisë kundër bashkëpunëtorëve të tyre. Çdo qëndrim tjetër, sa kohë nuk ka ende prova se akuzat janë të fabrikuara, bie ndesh me parimin e ndarjes demokratike të pushteteve. Urimi që të dalin të pafajshëm u shkon edhe të akuzuarve të tjerë në Lezhë.

Që do të thotë, të mos kenë gisht dhe përgjegjësi ligjore në grabitjen e tokave të ish- pronarëve apo shtetit. Duke dëshiruar këtë, duhet të themi se batërdia me tokat në Lezhë ka ndodhur dhe është nga më të mëdhatë që mund të imagjinohet. Ka nisur herët, por nëse studiohen raportet e botuara të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duket qartë se orekset e zyrtarëve të korruptuar dhe të individëve të botës së krimit të lidhur me ta, kanë marrë hov e kulmuar si një festë autentike e paligjshmërisë dhe babëzisë përgjatë mandatit 2013-2017 të qeverisë së koalicionit PS-LSI.

Hetimet dhe ndalimet e fundit për grabitjen e tokave në Ranën e Hedhur janë bërë në bazë të kallëzimeve penale të dy banorëve dhe ish- pronarëve të zonës. “Rana e hedhur” ngjan të jetë pika e ujit në gotën e mbushur plot.

Më parë, në qershor të vitit 2017, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka pasqyruar në raportin e vet përfundimtar, që referon gjetjet e kontrollit të ushtruar për periudhën 2014-2017, tjetërsimin dhe grabitjen e lagunave të bregdetit të Lezhës, kryesisht të Vainit dhe Kunes. Në një prej paragrafëve të vendimit që ka nxjerrë kryetari i KLSH-së, zoti Bujar Leskaj, për raportin në fjalë, shkruhet: ZVRPP Lezhë në 22 raste ka regjistruar sipas AMTP-ve përkatëse, 33 pasuri në favor të poseduesve të tyre (sipas Aneksi 1″Pasqyra e pasurive te regjistruara me ligjin nr.7501, datë 17.09.1991 bashkëlidhur Raportit Përfundimtar të Auditimit), por në këto raste AMTP-të nuk shërbejnë si Titull Pronësie, pasi pasuritë e regjistruara nuk janë të llojit “tokë bujqësore”, për rrjedhojë në kundërshtim me dispozitat ligjore është tjetërsuar pasuria “shtet” me sipërfaqe totale 521144 m2 , që në regjistrat përkatës deri 1.08.1991 figuron e tillë: lloji “Pyll” 12 pasuri me sipërfaqe totale 238600 m2 , lloji “Ranishte” 11 pasuri me sipërfaqe totale 163025 m2 , lloji “kënetë” 8 pasuri me sipërfaqe totale 69580 m2 , lloji “kullotë”, 1 pasuri me sipërfaqe totale 41439 m2 dhe llojit “kanal” 2 pasuri me sipërfaqe totale 8500 m2 , ndërsa nga punonjësit e ZVRPP-së Lezhë, në të gjitha rastet janë lëshuar certifikata pronësie për tokë arë, veprim në papajtueshmëri me shkronjën “a” neni 25, nenin 45, të ligjit nr. 33, datë 29.04.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, nenin 2, të ligjit nr. 9948, datë 7.07.2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë ligjore të krijimit të Titujve të Pronësisë mbi tokën bujqësore “, nenin 3, të ligjit nr. 8337, datë 30.04.1998 ‘“Për Kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave” dhe nenin 3, të ligjit nr. 7501, datë 17.09.1991 “Për tokën”, të ndryshuar (Trajtuar në faqet 35- 58, të Raportit Përfundimtar të Auditimit)”.

Edhe pse nuk ka për detyrë të bëjë hetim dhe nuk bën hetim penal, Raporti i KLSH-së e tregon qartë skemën e përdorur për të realizuar grabitjen: tjetërsim të pasurisë, duke e kthyer me letra në “ tokë bujqësore”, dhënie të tokës së tjetërsuar pronarëve fiktivë apo pjesërisht fiktivë në bazë të ligjit 7501, regjistrim të pronës së grabitur në hipotekë, përdorim ose nxjerrje në treg të tokës së regjistruar. Në rrugën e finalizimit, operacioni kriminal ka përfshirë një zinxhir institucionesh, që ia kanë përcjellë njëri- tjetrit si stafetë praktikat e paligjshme, por duke u ndierë të gjithë “në rregull me ligjin”. A janë falsifikuar nga fillimi në fund firmat dhe vulat e kryepleqve, të komisioneve, të Ministrisë së Bujqësisë, të kadastrave, të zyrave dhe zyrtarëve të qeverisjes vendore dhe të qarkut, pra, a është krijuar dhe ka funksionuar një lloj shteti paralel i krimit apo jo- këtë duhet ta thonë organet e drejtësisë, që kanë tagrin dhe detyrën të hetojnë në thellësi.

KLSH ka bërë kallëzim penal që në korrik të vitit të kaluar. Fakti është se tokat e përfituara në mënyrë të paligjshme janë regjistruar në hipotekë, fiktivët janë bërë pronarë të ligjshëm, disa prej pronave të përfituara në këtë rrugë u janë shitur të tretëve, të katërve. Duke pritur një Drejtësi që ndëshkon fajtorët dhe lë të lirë të pafajshmit, afera e tokave thërret për reflektime të thella politike nga publiku, por edhe nga partitë për aq sa e ndiejnë se mund të reflektojnë.

E para, pa marrë përsipër të flasim për përgjegjësitë personale të njërit dhe tjetrit që duhet t’i përcaktojë Gjykata, shihet qartë një gjë: përfshirja në babëzinë e tokave është shumëpartiake, ndërpartiake, po të doni. Malavita po ashtu është tre-katër partiake. Kjo në kuptimin e ngjyrave dhe përkatësive politike që reklamojnë përfituesit.

Do të më vinte keq ta besoja, por Lezha mund të jetë një pasqyrë emblematike e degradimit në teatër dhe falsitet të vetë pluralizmit në shkallë kombëtare, ku vijat ndarëse të programeve dhe pasionin e vërtetë politik për kauzat autentike i kanë prishur e zhdukur fare qoftë aleancat e paskrupullta për interesa pushteti, qoftë promovimi progresiv i parimit të përfitimit për vete, qoftë lidhjet e politikës me krimin. Kjo frymë ka mbështjellë kohën dhe vendin. Duke zbritur në bazë, kjo frymë ka zhdukur në shumicën e këshillave bashkiakë çdo shenjë të ndonjë debati a qëndrimi alternativ të palëve. Palët nuk janë më palë. Grinden për të ndarë pjesën, i shkelin syrin njëri -tjetrit kur ka për të gjithë.

Së dyti, nuk është rastësi që abuzimet me pronat, sikurse fenomeni i kanabizimit, që nuk janë të reja, pra, kanë një histori të gjatë nga një qeveri në tjetrën, shpërthyen me një hov të paparë përgjatë qeverisë së Edi Ramës. Me politikën dhe sjelljen e tij, Rama u perceptua si një kushtrim për malavitën e çdo orientimi dhe niveli. Kudo ku kishte dhe ka grupe narkotrafikantësh, grabitës tokash, evazorë të mëdhenj, koncesionarë në vepra dhe shërbime të mbarsura me korrupsion, e tjerë, do të gjesh patjetër miq të tij, të njohur dhe të ftuar të tij, zyrtarë dhe funksionarë të përzgjedhur prej tij. Është një produkt që vjen bashkë me tipin e politikanit dhe shumëfishon vetveten përtej tij, anembanë vendit, duke tërhequr në vorbullën e lakmisë edhe pjesëtarë të partive të tjera të prirur për të grabitur, që fillojnë të mendojnë se u bë deti kos.

Pa Ramën, këto që kanë ndodhur në Lezhë, nuk do të kishin ndodhur. Lezha e disa njerëzve të mëdhenj, që kanë modeluar virtytet dhe zakonet e mira të atij vendi, do t’i kujtojë gjatë, me fytyrën e mbushur me keqardhje dhe zemërim, fyerjet e këtij kryeministri. Pak ditë më parë qeveria mori një vendim për të pezulluar kalimin në pronësi të tokave të vijës bregdetare. Vendimi, për të cilin nuk mund të them a është apo jo kushtetues, i ka të dyja anët e medaljes: edhe reagimin ndaj një abuzimi kolosal me tokat, edhe aspektin propagandistik.

Mirë, le të bëjnë edhe propagandë. Po përgjegjësi a mbajnë? Kjo nuk është një qeveri që erdhi vitin e shkuar dhe papritur zbuloi një masakër, ndaj së cilës po reagon pas një viti. Këtu ka qenë, e ka përcjellë, e ka vulosur si masakër me funksionarët e saj, e ka në bilancin e saj. Në këtë kontekst, duke u kthyer te arrestimet në Lezhë, më bie të citoj- dhe e citoj me kënaqësi- Artan Lamen, drejtorin socialist të ALUIZNI-it që tha një mbrëmje në emisionin “Java” në RTSH: “Gjithnjë ndiejmë keqardhje njerëzore kur arrestohen njerëz. Arrestimet e fundit në Spille dhe Lezhë tregojnë dështimin e shtetit shqiptar. Nëse ky operacion do të kishte filluar më parë, pasojat sociale dhe ekonomike do ishin më të vogla” . Shumë e drejtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura