ANALIZA/ Artur Zheji: Pse sot, vetëm Basha mund të mbrojë (të shpëtojë) Partinë Demokratike?

May 25, 2021 | 21:52
SHPËRNDAJE

Artur Zheji-1-3Nga Artur ZHEJI

Ndoshta e kishte parashikuar “misionin” e tij. Ndoshta jo. Ndoshta vetëm e kishte shkruar si një libër elektoral dhe kaq. Dhe ndoshta nuk e besonte deri në fund as edhe vetë, që do ti duhej një ditë të afërt dhe plot re të murme: “të shpëtonte Partinë Demokratike!” nga shumë lloj kthetrash.

Pikërisht ai, zoti “brishtësia” që mbijeton në xhungël, zoti “qytetaria”, që ruan vështirësisht klasin në rrumpallhanën shqiptare, pikërisht ai, i “përkëdheluri” i Doktorit, gjë e cila ka shkaktuar shumë frustacione në PD.

(Po a është faji i Bashës për këtë?! Apo mos vallë Doktori, është po aq i mençur dhe djallëzor, edhe në rastin e përzgjedhjes së Bashës, për cilësira që ai i njeh dhe të tjerët nuk i njohin?)

Lulëzim Basha pra, politikani i buzëqeshur dhe me finesë të palodhshme, ka sot një barrë të rëndë!

“Hollandezi” që nuk e prish kurrë gojën e vet, me ndyrësirat e zhargonit të fëlliqur të politikbërjes shqiptare, duhet të mbrojë sot Partinë Demokratike nga sulmi më i rreptë, që kjo parti ka pësuar ndonjëherë…

Sepse gjërat u rrokullisën në mënyrë të paparashikueshme! Amerikanët e “snajperuan” rëndë dhe ballazi Sali Berishën dhe kjo rrethanë e “dobëson” në dukje të parë Lulëzim Bashën. Nuhatur kjo rrethanë, sulmet ndaj tij janë shumëfishuar dhe janë supersponsorizuar nga Shumica në pushtet…

Ëndra legjitime e Marshallit është që pas Zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, pas Presidencës që është nën bombardim, të “fusë në dorë” edhe partinë e frikshme Opozitare, Partinë Demokratike.

Lulëzim Basha duhet të realizojë sëpaku tre detyra sipërore:

  1. Të kontestojë në formë legale Zgjedhjet politike të kaluara
  2. Të fitojë Zgjedhjet në PD
  3. Të integrojë “rivalët” në sistemin e brendshëm drejtues të Partisë Demokratike.

Porse, në 13 Qershorin e ardhshëm, kur demokratët do të votojnë, dhe sigurisht në betejat e ardhshme politike të Opozitës, demokratët dhe tanimë edhe shumica e shqiptarëve, kanë nevojë për Lulëzim Bashën.

Pasiqë objektivisht dhe pa mëdyshje mund të them, se çdo “rival” tjetër që kërkon postin e tij (tanimë një post luftimi), do të bjerrte kohë të dobishme dhe do të krijonte dobi për Partinë Socialiste dhe jo për Partinë Demokratike, e cila do të prapsonte ndjeshëm…/360grade.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura