ANALIZA/ Artur Zheji: Edi (Marshalli), 10 vite më pas, si “Saliu”, shpallin një Grusht shteti nga Presidenti!

Apr 8, 2021 | 20:48
SHPËRNDAJE

Artur-ZHEJI

Pavetëdija, ose inkoshienti, si edhe thirret shkencërisht, ky term vështirësisht i përkthyeshëm, sipas një lloj psikoanalize, vdes në të njejtën kohë me krijesën, të cilës i përket.

Është në të vërtetë instikti mbrojtës më i thellë, apo e thënë, mburoja jonë e brendshme më e thellë, që na nxit, mjaft shpesh në luftë të brendshme me vetëdijen.

Po shpesh e kushtëzon atë dhe, po kjo e ashtëquajtur “Pavetëdije”, na kërcënon dhe na ndalon, kur me veprimet tona, nën drejtimin e arsyes, rrezikojmë Egzistencën tonë fizike…

Ajo që po ndodh me Aeroportin është padyshim një pothuajse çmenduri.

Të vërsulurit e Qeverisë ndaj punonjësve është një agresivitet që buron nga mbilodhja, nga shterrimi i energjive mendore apo nga tërbimi i brendshëm i Marshallit, që po e sheh veten humbës, ditë pas dite.

Në të vërtetë, marrëzia e deklaratave publike të Marshallit, për “grusht shteti”, apo për “sabotim” të punonjësve kontrollorë, është thjesht nxitimi drejt aktit të fundit, që pason në këto raste: “dorëzimi” i plotë i logjikës, nën pushtetin e instiktit apo të Pavetëdijes.

Pa u marrë me shpegimin se përse marrëzia e “deklaratave marshalliane”, është thjeshtë e vetëm marrëzi, (sepse e drejta e kontrollorëve është një e drejtë ligjore dhe kushtetuese e shpalosjes së lirë të vullnetit të tyre), kuptoj se Marshalli po kalon ndërkohë, siklete të mëdha të brëndshme, për ne, ende të panjohura, për Pavetëdijen, siklete shqetësuese.

Kësisoj pra, Pvetëdija, që ka marrë nën kontroll të gjitha pushtetet e Qënies së Edit, kërkon ta nxjerrë Marshallin nga loja e rrezikshme, e këtyre Zgjedhjeve kaq të mundimshme.

Dhe e shtyn atë, Marshallin, në gabime pas gabimesh, që Ay, të humbasë qartë, pastër, bukur!…

Dhe kështu plas lufta me kontrollorët e Aeroportit dhe kryeministri ynë, na flet për një Konspiracion dhe për një Grusht Shteti, të kurdisur nga Presidenti, njësoj si Berisha më 21 Janar 2011, kur Berisha akuzonte Presidentin Topi!!!

Hajde përputhje, hajde!

Sepse, ashtu si të gjithë e dimë, mënyra se si Berisha e menaxhoi tragjedinë e 21 janarit, ishte pikërisht mënyra më e mirë, që e çonte atë, kryeministrin Berisha, drejt humbjes së plotë e të pastër, të Zgjedhjeve që pasuan, 2 vite më vonë…

Kështu  pra, dhe Pavetëdija Rama, po e qorrolleps Marshallin kryeministër, për të shpëtuar nga kolapsi, “njeriun Rama”…

P.S. Paksa e ndërlikuar doli, por ju garantoj që është, (në lexim të dytë), e thjeshtë për t’u kuptuar…

360grade.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura