Analiza/ Anglia frikë nga Modriç dhe Manxu, por Kejn tmerron Lovrenin

Jul 11, 2018 | 19:58
SHPËRNDAJE

Garet Sauthgejt vazh don të përdorë me toda sa më pak tradicionale për të tërhequr vëmendjen e lojtarëve të tij dhe mbajtur gjallë interesin e tyre. Të martën, përpara gjysmëfinales me Kroacinë, “Tre Luanët” e kanë kryer procesin e nxehmjes duke u përpjekur të shmangin njëri-tjetrin me një pulë llastiku në duar.

anglia

Dikush e mori edhe si provokim për “Gjelat” e Francës, rivalët e mundshëm për finalen e madhe, por nuk ishte asgjë tjetër, veçse një ushtrim për të fituar shpejtësi në lëvizje përpara një ndeshjeje, ku çdo detaj, sado i vogël, do të jetë i rëndësishëm. Garet Sauthgejt e ka shumë të qartë në kokë skuadrën që do të hedhë sot në fushë kundër Kroacisë. Por kjo nuk të thotë se ai nuk ka shqetësimet e tij.

BETEJA NË MESFUSHË – Kroacia pikën e saj të fortë ka qendrën e mesfushës, me dyshen Modriç-Rakitiç. I pari konsiderohet më i miri në botë në rolin e tij, ndërsa kolegu i Barçës mund të jetë vetëm një shkallë më poshtë. Të dy kanë bërë një turne të mirë dhe kanë ndihmuar Kroacinë të mbërrijë deri në katërshe. Për vite me radhë Anglia ka pasur një dyshe po kaq brilante si Xherrard-Lampard, të cilët mendonin më shumë për sulmin sesa mbrojtjen.

Por për punët e “pista” Kroacia ka Brozoviçin ose Kovaçiçin. Çuditërisht, ndaj Rusisë, Daliç nuk preferoi asnjërin dhe kjo është një nga arsyet përse kroatët nuk mundën dot të dominonin siç do donin në mesfushë. Avantazhi i madh i Anglisë është se Sauthgejt përdor një sistem me mesfushorë sulmues, por zgjedh edhe një me tipare mbrojtëse: Henderson qëndron pas dhe dikton lojën, ndërsa Lingard dhe Dele Ali preferojnë të dalin përpara.

As Modriç dhe as Rakitiç nuk i kanë kontrolluar ndeshjet ashtu siç kemi pritur këtë Botëror. Ata duan të dy të bëjnë të njëjtën gjë. Por është e vështirë ta fitosh një ndeshje pa një maratonomak. Dhe ky mund të jetë një avantazh për “Tre Luanët”.

GODITJET STANDARDE  – Njerëzit prisnin nga Kroacia që ndeshjet kundër Danimarkës dhe Rusisë t’i fitonte brenda kohës së rregullt. Por në çerekfinale hasën shumë vështirësi, ndërsa Daliç humbiste lojtar pas lojtari. Si Striniç, ashtu edhe Vrsaljko, dy mbrojtësit e krahut, u zëvendësuan pas dëmtimeve.

Daliç mund të riorganizojë repartin, pasi ky i fundit është në rrezik dhe ky është një problem kundër një ekipi si Anglia, që goditjet standarde i ka pikën e saj më të fortë. Jang dhe Tripier e kanë këmbën e artë dhe nëse ballkanasve u mungon katërshja e tyre e preferuar në mbrojtje, do të kenë probleme.

MANXUKIÇ NË AJËR – Por në sulm kroatët kanë një armë të fortë dhe kërcënuese si Mario Manxukiç. Pak lojtarë ka sot në botë që kanë si cilësinë teknike, ashtu edhe atë të dominimit në luftën në ajër. Sulmuesi i Juventusit përbën një kërcënim edhe në lojën pa top, por edhe kur mbrojtësit kundërshtarë janë në pozicione sulmuese. Fatmirësisht, anglezët kanë një kolos si Herri Meguajër, i cili do të jetë në gjendje të dyluftojë në ajër me veteranin.

Perisiç është gjithashtu i fortë në lojën mbrojtëse, por Kroacisë ai i duhet përpara për të shmangur një tjetër situatë si ajo në ndeshjen kundër Rusisë. Cili do të jetë avantazhi i Tripierit? Fakti i thjeshtë që Kajl Uoker është një mbrojtës i djathtë dhe do ta ndihmojë. Nëse Perisiç qëndron në sulm, kjo i jep Anglisë një shans për ta dërguar Tripierin pas mbrojtjes kroate. Dhe kjo është një nga lëvizjet sulmuese më të rrezikshme të kësaj Anglie.

KEJN KUNDËR LOVREN – Mbrojtësi kroat e ka rindërtuar reputacionin e tij gjatë sezonit të fundit në Angli. Dikur ai shihej si një nga pikat e dobëta të Liverpulit, por që prej transferimit të Van Dajkut, kroati ka qenë i shkëlqyer. Por, pavarësisht, qendërmbrojtësi ka pasur problemet e tij sa herë është përballur me kapitenin e Anglisë, Herri Kejn. Në tetor 2017, ai u zu në befasi në aksionin e golit të parë të Kejnit kur Liverpuli përballej me Spërsat në “Wembley”.

Ai më pas bëri një tjetër gabim, duke gjykuar jo drejt një pasim të Lorisit, duke e lënë Kejnin e lirë për të ndërtuar golin e dytë. Lovren ishte aq i dobët atë ditë, sa Klop e zëvendësoi pas vetëm gjysmë ore. Në ndeshjen e dytë, ai nuk spastroi siç duhej, ndërsa markonte Kejnin, duke shkaktuar një penallti, të cilën Herri e humbi. Çdo lojtar ka një rival që e tmerron dhe Lovren ka thjesht njëfarë Herri Kejn.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura