ANALIZA/ “Ai është biri ynë i k..vës!”- Lorenc Vangjeli: Pse Saimiri paguan 20 mijë euro për të rivrarë Tahirin

Feb 4, 2020 | 22:00
SHPËRNDAJE

Lorenc VangjeliNga Lorenc Vangjeli

Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri do të paguajë 20 mijë euro në tre muaj për të bindur amerikanët se është i pafajshëm përballë akuzave penale që i janë bërë në Tiranë. Ai do të tentojë të lobojë të vërtetën e tij në Uashington duke shpjeguar se vendimi i fajësisë për të është i gabuar. Se prokurorët në fillim dhe gjyqtarët në vijim, kanë vendosur të ndikuar nga klima politike në vend, se nuk kanë marë parasysh se një hetim i ngjashëm e ka nxjerrë të pafajshëm në Itali dhe se edhe vetë ambasada amerikane në Tiranë, është një lloj bashkaksionereje në këtë akt jo vetëm juridik. Në mënyrë të pazakontë, Ambasada ka ndjekur jo vetëm dinamikën e gjithë procesit, jo vetëm e ka quajtur vendimin si fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta, por edhe vetë dënimin e ka quajtur shkurajues në raport me peshën e akuzave të prokurorisë.

Besnik ndaj premtimit publik se nuk do të dorëzohet dhe se do të luftojë deri në fund për pafajësinë e tij, Tahiri e ka çuar duelin e tij përtej oqeanit, aty ku realisht është “firmosur” edhe pretenca ndaj tij. Ky është formalisht veprimi i drejtë i një qytetari, por është një gabim në thelb i një politikani. Pikërisht kjo diferencë, mes Saimirit si qytetar dhe Tahirit si politikan, e ndërlikon këtë hap, e paragjykon që në fillim dhe i vë në dyshim edhe realizimin e synimit final. Kur qytetari Saimir kërkon të rikujtojë faktin se Tahiri si politikan, “…ka qenë për një kohë të gjatë një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe burim informacioni për ta, lidhur me qeverinë, politikën dhe biznesin në Shqipëri dhe Ballkan”, ai gabon pikërisht në këtë raport duke mos vlerësuar diferencën mes qytetarit dhe politikanit. Në këtë kuptim, Saimiri nuk ka asnjë pikë kontakti me Tahirin. Veprimet e politikanit, qoftë edhe në këtë rast, nuk janë varur nga vullneti i qytetarit, i cili mund të vendoste në kokën e tij, që të ishte apo jo  “…një partner i besueshëm për SHBA-në”.

Ky është keqkuptimi madhor i gjithë njerëzve që janë marrë me politikë në këtë vend. Të mëdhenj e të fortë në Tiranë, të vegjël dhe periferikë në gjeopolitikë. Që nga Sali Berisha që quante mik cilindo të huaj që i shtrëngonte dorën, tek Edi Rama që pretendon miqësinë me gjithë njerëzit që ndajnë të njëjtin zanat me të. Në perëndim nuk ka dashuri vetjake, por interesa grupi. Nuk mund të ketë miqësi personale, por vetëm llogari vetjake. Asnjë shqiptar, për shkak të pushtetit në Tiranë, nuk mund të jetë mik me Trumpin apo Merkelin sot. Koha ka tallur edhe ata shqiptarë që mendonin dje se ishin miq të Clintonit apo Blerit dje.

Shqipëria është shumë e vogël për të “prodhuar” miqësi  të tilla, edhe pse në thelb të marrëdhënieve të këtij rangu, pavarësisht se çfarë do të thoshte shqiptari nga njëra anë, qoftë Trump e qoftë Merkel, edhe nëse arrijnë të ndikohen një fije nga pjesa njerëzore në këto marëdhënie, nuk lëvizin një gram nga interesi i vendit që përfaqësojnë dhe që është i përcaktuar qartë. Në kohën e sotme miqësi personale mund të afrojnë autokratë si Putini apo Erdogani apo dhe të tjerë nëse shtyhesh gjithmonë e më thellë në Lindje, por nuk gjendet një e tillë në Perëndim.

Në Perëndim, gjendet gjithmonë dikush që të thotë për “mikun” e supozuar shqiptar, siç thoshte dikur Presidenti Regan për Manue Noriega e Panamasë: ai është biri ynë i k..vës! Keqkuptimi i dytë i Saimirit është mënyra e gabuar sesi ai e sheh Tahirin si politikan në raport me akuzën. Ka një të vërtetë të thjeshtë: marëdhënia e një politikani me mëkatin kalon në tre shkallë. Ai mund të jetë fajtor moralisht, politikisht dhe penalisht. Secili prej këtyre tre pragjeve, mund të ketë lidhje shkak – pasojë me njëri –tjetrin ose edhe të jenë të pavarur prej njëri – tjetrit. Nga ky këndvështrim, marëdhënia e një politikani apo personazhi të rëndësishëm publik me mëkatin njerëzor, është i ndryshëm në thelb dhe në formë nga ai i qytetarëve të zakonshëm. Tahiri është politikani i parë që po e provon në shpinën e vet këtë trilemë të ndërlikuar.

Mirë apo keq, drejt apo shtrembër, ai është shpallur fajtor moralisht për atë që quhet cannabis-im i vendit. Edhe pse jo i vetëm në këtë histori groteske me shumë aktorë, sa në politikë, sa në krim dhe sa në shtysën ballkanase që kanë shqiptarët për t’i çuar gjërat në ekstrem, vitet e barit lidhen direkt me emrin e tij dhe fatura është firmosur për të. Të tjerët ose kanë hequr dorë dhe e kanë mohuar, ose duke e gjuajtur me gurë, kanë larë edhe duart me mëkatin vetë.

Mirë apo keq, drejt apo shtrembër, Tahiri është shpallur fajtor politikisht nga vetë partia e tij. PS dhe Edi Rama u distancuan prej tij, e larguan dhe u largua vetë nga gjithë funksionet, e madje, me një gjest vetjak kurajoje, ai u dorëhoq edhe nga mandat i deputetit. Më pas, me një proces që nuk bindi kënd, Tahiri është shpallur fajtor edhe penalisht. Nuk ka pikën e rëndësisë sa dhe si, por e rëndësishme është të dihet se pse u dënua. Sepse Tahiri duhet të konsiderohet si shenjë, si sinjal, si guri i parë i një vargu dominosh që duhet të bien: fillimi i fundit për të pandëshkueshmit! Fiks për këtë arsye, Saimir Tahiri dhe vendimi ndaj tij nuk është personal, por parathënieja se çfarë do të ndodhë nesër.

Përpara tij, me prova bindëse apo edhe pa prova, me të njëjtin kut apo me standarte të ndryshëm, janë larguar nga sistemi i drejtësisë personazhe që deri dje ishin absolutisht njerëzit më të mbrojtur nga ligji dhe tradita në Tiranë. Nesër, me shumë gjasa, këtë fat do të ndjekin shumë njerëz të tjerë me shumë më shumë para sesa pushtet real në Tiranë. Dhe po të kuptohet kjo logjikë, politikanë që akuzojnë dhe analistë që paralajmërojnë thagma me KÇK, mund të gjykojnë më drejt se edhe vetë Edi Rama nuk është më i lirë që të gabojë në Tiranë. Eshtë çështje pushteti.

Tahiri duhet të kuptojë se askush nuk ka asgjë personale me Saimirin. Një paralele e çuditshme mund të hiqet mes ish-ministrit të brendshëm dhe ish-kryetarit të partisë së tij. Ish-kryeministri është rasti paradoksal i dënimit të trefishtë“paradhënie”, edhe moral, edhe politik, edhe penal. Por fati zgjodhi për të t’i kryejë të tre dënimet në sens të kundërt: Fatos Nano në fillim bëri burgun, pastaj kaloi me mendjelehtësi adoleshenti tre pragjet e mëkatit, moral, politik dhe penal. I tërhequr në vetminë e sotme të tij dhe nën peshën e kujtimeve për të shkuarën e lavdishme, Fatosi është pioneri i fatit të mirë, megjithatë.

Ai duhet të jetë edhe shembulli për Saimirin, që të kuptojë se 20 mijë eurot e lobimit, pa hyrë fare tek burimi i krijimit të tyre, mund të ndihmojnë Saimirin si qytetar, por nuk do t’i hyjnë fare në punë Tahirit si politikan. Një ish-prokuror i përgjithshëm dhe të tjerë personazhe shumë më të rëndësishëm se ai, kanë çuar para të kota lobimi në SHBA. Edhe vetë Lulzim Bashës nuk i ka ndodhur ndryshe. Kryetari i Partisë Demokratike ka dy vjet që po kërcen nën ritmet e belasë që gjithashtu e pagoi me shumë më shumë lekë matanë oqeanit./ Javanews

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura