Analistët: Zaev do të kërkojë zgjedhje të parakohshme për të forcuar pozitën e tij

Oct 16, 2017 | 13:28
SHPËRNDAJE

LSDM-ja e kryeministrit, Zoran Zaev, sipas të dhënave të para jozyrtare të KSHZ-së është fituese absolute e zgjedhjeve lokale të së dielës. Kjo parti ka njoftuar fitoren në 40 nga gjithsej 80 komuna të Maqedonisë, ndërsa thuajse në të gjitha të tjerat do të shkojë në balotazh në rrethin e dytë zgjedhor.

zaev

LSDM-ja, bazuar në të dhënat e përpunuara ka fituara komunat më të mëdha të vendit, thuajse shumicën e dhjetë komunave të Shkupit, si dhe të qyteteve tjera në Manastir, Prilep, Ohër, Strumicë, Shtip e të tjera.

Fitoren në zgjedhje e shpalli Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së dhe njëherësh kryeministër i vendit.

“Populli në këto zgjedhje dha mesazhin, se mbështet politikat e qeverisë së re, i dha mbështetje politikës sonë për një shoqëri për të gjithë, i dha mbështetje rritjes dhe zhvillimit ekonomik”, ka deklaruar Zaev.

Njohësit e rrethanave politike shprehen se tanimë Zoran Zaev i ka të gjitha parakushtet për të kërkuar zgjedhje të parakohëshme parlamentare për të forcuar edhe më shumë pozitën e partisë së tij në Kuvend.

Analisti politik Alajdin Demiri për Zhurnal shprehet se në momentin kur të gjithë mendonin se VMRO do të kërkon zgjedhje të parakohëshme parlamentare, këtë gjë do ta bëjë Zoran Zaev dhe me siguri në pranverën e ardhshme do të zhvillohen zgjedhjet e parakohëshme parlamentare.

“Fakti që në zgjedhjet lokale nxjerri një rezultat jashtëzakonisht të favorshëm për LSDM-në, tregon se në momentin kur gjithë mendonin që VMRO-ja do të kërkon zgjedhje të parakohëshme, tani këtë gjë do ta kërkon Zoran Zaev edhe atë në pranverën e ardhshme do të ketë zgjedhje për një arsye shumë themelore, ajo është koalicioni i brisht në të cilën gjindet dhe fakti që në zgjedhjet e fundit VMRO-ja ishte fituese, Zaev detyrimisht do të kërkoj zgjedhje të parakohëshme për ta verifikuar mandatin e ardhshëm”, ka deklaruar për Zhurnal, analisti politik Alajdin Demiri.

I të njejtit mendim është edhe politologu Xhenis Sulimani. Sipas tij LSDM tashmë i ka të gjitha parakushtet për të nis përgatitjet për zgjedhjet parlamentare për ta forcuar edhe më shumë pozitën e saj në Kuvend dhe Qeveri.

“Numri i favorshëm nga zgjedhjet e fundit, plus edhe përkrahja e parezervë e shqiptarëve ndaj LSDM që rezultoi edhe në lokale, janë bazë që Zoran Zaev të kërkojë zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka deklaruar për Zhurnal, politologu Xhenis Sulimani. /Zhurnal

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura