Anaid Kaloti hap kompleks turistik në zonën e Borshit

Jun 29, 2015 | 13:45
SHPËRNDAJE


Është shumë i apasionuar pas bizneseve, kështu që nuk ngurron të guxojë gjithmonë. Anaid Kaloti, fituesi i “Big Brother 6”, këtë periudhë ka punuar për hapjen e një kompleksi turistik në bregdetin e Borshit, të cilin do e inaugurojë në një festë madhështore me VIP-a më 15 korrik.

“E kisha ëndërr të sillja një pjesë nga Ibiza këtu në bregdetin tonë të mrekullueshëm të Jugut, dhe e realizova. Me dy bashkëpunëtorë të tjerë kemi ngritur një kompleks turistik në një sipërfaqe 4 mijë metra katrorë, me shtëpi të ngjashme me ato në Ibiza. Lounge bar, shezlongë, kinema verore, motorë uji, të gjitha në këtë kompleks të ideuar nga tri mendje, unë, biznesmeni që ka financuar dhe një tjetër ish-lojtar i “Big Brother”, Klodian Çela.

Ai do të sjellë eksperiencën e tij, pasi punon drejtor artistik në Dezencano në Itali, diskoteka që fiton prej 20 vitesh rresht vendin e parë si më e mira”, tha Anaidi. Kompleksi i ngritur në një sipërfaqe 4 mijë metra katrorë do të mbajë emrin “Ines Beach”, emri i gruas 93-vjeçare nga Borshi, pronarja e tokës.

“Menduam ta hapim në Borsh këtë kompleks, pasi atje nuk ka asnjë disko verore dhe të rinjtë kanë lëvizur çdo vit drejt Himarës, Jalës dhe Dhërmiut për t’u argëtuar në verë”, tha Anaidi. Në inaugurimin e “Ines Beach” do të marrin pjesë shumë personazhe VIP nga Tirana.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura