Ana Kaçinari: Në rrugën e tim ati

Mar 27, 2011 | 12:23
SHPËRNDAJE

Fare pak kohë pasi përfundon studimet në Akademinë e Arteve, Ana Kaçinari, e bija e kompozitorit Alfred Kaçinari, luan në piano me orkestrën më të madhe të Shqipërisë, atë të RTSH-së. Për momentin, i ati, pas gjithë viteve që i ka qëndruar mbi kokë, nuk mund të priste më shumë, është maksimumi. Por çfarë i është dashur të bëjë për ta disiplinuar në rrugën e duhur? Nga ana tjetër, nga çfarë është detyruar Ana të heqë dorë? Flasin atë e bijë.
Në rastin e tyre, nuk është vetëm vajza që ka ndjekur rrugën e të atit, për shkak të afeksionit të gjithkohshëm, që kanë vajzat ndaj baballarëve. Familja e tyre është e gjitha e përfshirë në muzikë. Alfred Kaçinari, si në studion e Radio Televizionit Shqiptar, si në atë të tijën private, si në shtëpi, është i rrethuar përherë nga tema muzikore, nga tingujt e pianos, nga ndonjë ankesë e vogël e fëmijëve, se pse duhet t’i përkushtohen kaq shumë orë e për kaq gjatë vetëm dhe vetëm muzikës. Në fakt, tani, ajo kohw thuajse ka kaluar, sepse qoftë Ana, e bija, qoftë djali, që gjithashtu merret me muzikë, janë ndërgjegjësuar për rëndësinë që ka përkushtimi dhe orët e gjata të studimit, kështu që nuk bëjnë më naze. Por sa ishin më të vegjël, revoltat ishin gjithnjë të pranishme. Ta kishe të kronometruar atë gjysmë orëshin që do kaloje me shokët e pallatit dhe të dëgjoje përherë një zë nga ballkoni që mund të të ndërpriste në momentet kulminante të lojës, nuk është e lehtë për një fëmijë. Tek e fundit, ai as që e kupton rëndësinë e ‘së ardhmes’. Ndërsa sot, Ana Kaçinari e quan privilegj që i ka pasur të dy prindërit muzikantë, në të kundërt, nuk do të ishte këtu ku është sot. Në një moshë fare të re, sapo ka përfunduar Akademinë e Arteve për piano, e një specializim tjetër njëvjeçar në Itali. Përveç punëve të përditshme si pedagoge e jashtme në Akademi, e në një shkollë private, Ana e ka ndarë tanimë datën e koncertit të dytë të rëndësishëm të rrugës së saj të saponisur artistike me orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar.
Të luash me orkestrën më të mirë në vend, në një moshë kaq të re, nuk është pak apo jo?
Është më e mira që mund të arrij tani për tani. Koncerti i parë me këtë orkestër ka qenë vitin e shkuar, nën dirigjimin e Eno Koços. Pas atij, shpreha dëshirën të mund të isha pjesëmarrëse sërish, gjë që m’u mundësua edhe pse nuk prisja ta kisha këtë mundësi kaq afër.
Çfarë pjese luan?
Vepra është e Sant Seans, koncert numër 5, puna përgatitore për të cilën fillon shumë kohë përpara koncertit që është caktuar në 20 maj. Madje tani që po flas për këtë, më duket sikur kjo datë është afruar.
Është ankthi i orëve të gjata mbi piano dhe largimi nga gjërat e tjera, sepse tashmë i menaxhon vetë orët e lira…
Më duket sikur nuk kam kohë dhe duhet të studioj shumë. Edhe pse në të vërtetë kohë ka. Të fundit, janë provat me orkestrën që nisin 10 ditë përpara koncertit. Sa për orët e lira, është më e lehtë kur organizohesh vetë, ndryshe nga vitet e para kur prindërit qëndronin çdo çast te koka.
Kur ke nisur të merresh me piano?
Që në moshën 5-vjeçare. Nuk kam lënë pas dore as lëndët e tjera, edhe pse primarja ishte ajo. Prindërit më kanë pyetur vazhdimisht gjatë rritjes, nëse isha apo jo e bindur t’i përkushtohesha përfundimisht pianos, por asnjëherë nuk jam lëkundur, pavarësisht përkushtimit që kërkonte.
Nga jashtë, nga ekrani të paktën, babai duket natyrë e ashpër, e prerë, si ka qenë me ty?
Është i prerë, vetëm sa i takon anës profesionale. Në atë pikë nuk toleron, ndoshta sepse është i fushës dhe i njeh mirë gjërat. Kërkon të bëjw më të mirën. Ka qenë strikt gjithnjë në këtë pikëpamje, ndërsa në pjesën familjare, në gjërat e së përditshmes jo, përkundrazi.
Megjithatë, ka qenë ai arsyeja pse ke hequr dorë në njëfarë mënyre nga fëmijëria…
Pa dyshim, kanë qenë prindërit që më kanë shtyrë në këtë rrugë. Ndoshta mund të mërzitesha, pse nuk luaja edhe unë si fëmijët e tjerë në atë kohë, por tani e vlerësoj gjithë disiplinën që më kanë vendosur. Kjo është e vetmja mënyrë për të ecur në këtë rrugë.

Alfred Kaçinari: Të jesh i zakonshëm, nuk vlen

Të gjithë i mbajmë mend  “Ethet e së premtes mbrëma” dhe personazhin më të spikatur të jurisë së tyre, i cili ishte i vetmi që jepte përgjigjen e prerë, fare pa u lëkundur. Ky imazh, sikur ngulitet dhe ti nuk arrin ta përfytyrosh personazhin veçse ashtu. Të prerë e pa shumë fjalë. E kur e bënte këtë me gjithë të rinjtë “pretendues” për këngëtar, çfarë mund të bënte me fëmijët e tij?! A ishte po kaq strikt edhe me Anën, fëmijën e parë që e drejtoi drejt muzikës që në moshën 5-vjeçare. Në fakt, që duke e parë, stereotipi që është ngulitur rreth tij, sikur venitet…
Që një fëmijë të ketë filluar pianon që në moshën 5-vjeçare, domosdo që pas tij fshihen prindërit…
Shtysat janë të domosdoshme, sidomos në studimin e arteve, e konkretisht të instrumenteve, sepse po nuk pate një njeri që të të karikojë gjithë kohës, e ke të pamundur që t’ia dalësh. Studimi i një instrumenti ka shumë volum pune. Fëmijët që futen në këtë rrugë duhet t’i ndjekësh me kujdes. Së pari, duhet të hasësh një farë talenti, të cilin më pas ta ushqesh. Këtë kam bërë me Anën e këtë po vazhdoj të bëj edhe me tim bir. Unë dhe ime shoqe jemi pjesë e kësaj pune, kështu që pse të mos ishin edhe fëmijët tanë. Këtu mund t’i ndihmonim më mirë.
Kur thoni që ka volum pune, do të thotë që i keni qëndruar përditë mbi kokë
Përditë jo, sepse kam pasur vazhdimisht impenjimet e mia. Më dendur këtë gjë e ka bërë ime shoqe, megjithëse kujdesi ka qenë nga të dyja palët. Pastaj, është edhe pjesa e saj këmbëngulëse dhe përpjekjet e vazhdueshme.
Ana ka pasur një jetë sociale, ma merr mendja, të izoluar, për shkak të orëve të gjata të studimeve, pas së cilave fshihen prindërit…
Është e vërtetë që kohë për t’u argëtuar apo për jetë sociale kanë pasur më pak se fëmijët e tjerë, por nuk mendoj që ka qenë krejt e mangët.
Të jepni përshtypjen e njeriut të ashpër… Mund të jetë e gabuar, por sa keni qenë i tillë me vajzën?
Me fëmijët duhet të jesh i qartë në disa sjellje. Më shumë se i ashpër, kam qenë i prerë. Në art, të jesh i zakonshëm nuk vlen, aq më tepër në vendet ballkanike. Kështu që, depërtimi bëhet i vështirë, nëse nuk je ndër më të mirët. Dhe nëse nuk je, do ta kesh artin thjesht hobi dhe do mbijetosh me diçka tjetër. Këtë jam përpjekur që t’ua bëj të qartë fëmijëve. Pra, kur ata dyzohen, ne kujdesemi t’ua bëjmë gjërat më të thjeshta.
Tani që vitet e gjata të këshillave e kujdeseve kanë kaluar, ç’përjetime keni në një koncert të sajin?
Janë situata emocionalisht të ngarkuara, sepse duke qenë i fushës, e di me ç’pengesa mund të haset nga çasti në çast. Por, të luash me orkestrën e RTSH-së, është pa dyshim edhe një kënaqësi e madhe, është maksimumi i asaj që mund të arrihet këtu.
Po në pjesën post?
Në fazën post, jo vetëm me vajzën, por me këdo, lindin bisedime, sepse asnjëherë nuk shkon gjithçka në rregull. Arti është një kompleksitet gjërash dhe ka përherë vend për diskutime, ashtu siç ka edhe kënaqësi të mëdha. Ata që e ushtrojnë këtë profesion, e dinë se kënaqësinë që mund të marrin prej tij, nuk mund ta marrin prej asgjëje tjetër. Ka vendin e vet të nderit.
Ka pasur apo do ketë ndonjë bashkëpunim mes të dyve?
Deri tani jo, dhe as së shpejti nuk mendoj, sepse drejtimet tona janë të ndryshme. Ajo luan repertor klasik, ndërsa unë jam në fushën e muzikës së lehtë. Nëse do bëhet një ditë, duhet të konceptohet të jetë enkas për të dy. Duket bashkëpunimet do t’i kem me djalin, Gjergjin, i cili ka filluar që tani të merret me muzikë të lehtë.

 

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura