Amnistia, si do hipotekohen shtëpitë

May 27, 2015 | 14:34
SHPËRNDAJE

Heqja e fashës në sajë të nismës që aministon ndërtimet e pas 2009, u jep mundësinë 60 mijë familjeve që të jenë e pjesë e procesit të pajisjes me leje legalizimi. Por si do të bëhet trajtimi i tyre dhe çfarë do të ndodhë me ato që nuk e kanë bërë vetëdeklarimin?

Qytetarë në zyrat e ALUIZNI

Nga ALUIZNI mësohet se përfituesit do t’u nënshtrohen të njëjtave procedura të përcaktuara në ligjin e ri të legalizimeve. Sakaq, mundësi aplikimi do të ketë edhe për ata që nuk e kanë bërë vetëdeklarimin gjatë periudhës nga shtatori i vitit të kaluar deri në janar të 2015.

FATURA
Duke qenë se bëhet fjalë për kategorinë e ndërtimeve në tokë shtet dhe tokë me pronarë, atëherë marrja e tapisë do të paraprihet nga shlyerja e faturës së parcelës ndërtimore, për të cilën do të bëhet kalimi i pronësisë. Sipas ndryshimeve të reja të bëra në ligjin bazë, qytetarët që kanë ndërtuar pa leje do të marrin tapinë për trefishin e njollës së objektit, por jo më shumë se 500m2.

Kjo vlen për banesat sepse për bizneset është e përcaktuar prerazi se sipërfaqja që legalizohet nuk mund të jetë as më pak e as më shumë sesa trefishi i bazës së objektit. Fatura, ndërkohë do të llogaritet me formulën e re. Kështu parcela ndërtimore do të paguhet me gjysmën e vlerës së tregut, por jo më shumë se 2 mijë lekë m2 për zonat urbane. Për pagesat e menjëhershme, pra ato që bëhen brenda 45 ditëve, aplikohet 20% zbritje. Gjysma e shumës së faturuar mund të paguhet me letra me vlerë dhe gjysma tjetër me para.

Një tjetër reduktim që aplikohet është ai me 10%, ku si kusht është pagesa në mënyrë të rregullt e dritave. Qytetarët kanë 6 muaj afat për të bërë shlyerjen, më pas toka regjistrohet në Hipotekë, por në emër të ALUIZNI-t.

HIPOTEKA
Vonesat më të mëdha që krijohen për pajisjen me leje legalizimi vijnë prej mungesës së një regjistri kombëtar elektronik, ku konfigurohet statusi i çdo prone. Për të sheshuar vonesat gjatë shkëmbimit të informacionit mes ALUIZNI-t dhe Hipotekës, qeveria do të nxjerrë akt nënligjor. Një gjë e tillë është e përcaktuar në paktën e re ligjore për të amnistuar ndërtimet pa leje të pas 2009.

“Me vendim të Këshillit të Ministrave do të përcaktohen edhe procedurat dhe afatet e aplikueshme gjatë bashkëpunimit ndërmjet ALUIZNI- t dhe ZRPP. Ky rregullim ka rezultuar i nevojshëm nga evidentimi i problematikave të shumta gjatë korrespondencës së mbajtur mes tyre, çka sjell nevojën e normimit të procedurave dhe afateve për dërgimin e informacionit për pasuritë në proces legalizimit nga ana e zyrave të regjistrimit”, thuhet shprehimisht në relacionin që shoqëron projektligjin që ka nisur diskutimin në komisionet parlamentare. ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura