Amnistia fiskale, qeveria merr kohë për rishikimin e draftit pas kritikave të BE! Ministrja nuk jep afat për vitin e ardhshëm

Oct 4, 2022 | 14:15
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Qeveria nuk është tërhequr nga nisma e amnistisë fiskale, por ka marrë më tepër kohë për të reflektuar në draft të gjitha rekomandimet e bëra nga institucionet ndërkombëtare, përfaqësuesit e biznesit dhe ekspertët.

amnistiaaa

AMNISTIA

Kanë kaluar thuajse 2 vite që kur qeveria prezantoi për herë të parë draftin që i hapte rrugë legalizimit të pasurive të padeklaruara duke ngjallur jo pak diskutime. Por njëjtë si sot dhe asokohe u ngritën të njëjtat shqetësime dhe pikëpyetje, me argumentin kryesor se Shqipëria nuk ishte gati për këtë amnisti dhe se nisma do t’i shërbente formalizmit të pasurive që origjinën e kishin nga bota e krimit dhe trafikut.

E gjendur në mesin e këtyre kritikave, qeveria u duk sikur hoqi dorë, por në fakt koha tregoi se përpjekja e kësaj mazhorance për të çuar përpara këtë nismë nuk ishte ndalur asnjëherë. Në qershor të këtij viti, u hodh për konsultim publik projektligji i ndryshuar që parashikon deklarimin vullnetar të pasurisë deri në 2 milionë Euro pa penalitete dhe përkundrejt një detyrimi tatimor modest që shkon deri në 10 për qind. Për Komisionin Evropian, drafti i amnistisë përbën një shqetësim serioz për reputacionin e Shqipërisë dhe integrimin në BE. Ndërkaq, kundër përveç faktorit ndërkombëtar janë rreshtuar edhe përfaqësues të biznesit, ekspertët dhe opozita.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha dje se drafti do të rishikohet duke marrë në konsideratë të gjitha propozimet e bëra. “Ne kemi qenë shumë të qartë në qëllimin e amnistisë fiskale dhe penale. Qeveria ndërmori një pyetësor para një viti e pjesa më e madhe e popullatës u shpreh pro amnistisë fiskale me qëllim legalizimin e të ardhurave të emigrantëve.

Ligji shqiptar vepron në Shqipëri e aplikohet për gjithë qytetarët shqiptarë. Amnistia fiskale është një proces i cili ka rifilluar që në pranverë, kemi punuar me përmirësimin e draftit të punuar nga Ministria e Financave dhe e Ministria e Drejtësisë, që fillimisht daton në 2020, jemi ende ne fazë konsultimi. Kemi bërë disa konsultime publike me grupet e interesit me partnerët tanë ndërkombëtarë, po vijojnë si në nivel teknik duke marrë parasysh gjithë rekomandimet më të mira që ky ligj të jetë një ligj që do të arrijë qëllimin për të cilin do krijohet”, tha Ibrahimaj.

Lidhur me afatet, ministrja tha se nuk ka ende një datë për depozitimin e draftit në Kuvend. “Se kur do finalizohet drafti nuk e kam ende një përgjigje. Po shohim elementet teknike dhe hartimin e akteve nënligjore që përpara se të miratohet ligji të ketë qartësi dhe për elementet si do zbatohet, është një punë në proces që nuk mban ende një datë për miratimin. Nuk e dimë nëse do jetë në zbatim për zgjedhjet e vitit të ardhshëm”, u shpreh ministrja, duke bërë të qartë po ashtu se nuk do të ketë formalizëm për pasuritë e paligjshme.

NDËRTIMET PA LEJE

Prej dy javësh, qeveria ka nisur edhe një aksion për identifikimin e ndërtimeve pa leje apo shtesave të bëra në kundërshtim me lejen e dhënë. Ministrja e Financave, Ibrahimaj, tha dje gjatë konferencës me gazetarët se nuk ka ende një databazë të dhënash me objektet apo katet e ndërtuara në kundërshtim me ligjin dhe se identifikimi i tyre do të bëhet hap pas hapi. Në të njëjtën kohë, janë duke u përgatitur ndryshime ligjore përmes të cilave do të përcaktohet niveli i taksimit për këto subjekte, që siç tha Ibrahimaj do të jetë në vlerën e tregut. “Do të bazohemi në vlerën e tregut. Ende nuk kemi një vlerësim të subjekteve që do të konfiskohen pasi do të bëhen rast pas rasti. Ne nuk kemi informacion për ndërtimet pa leje, por operojmë bazë të procedurave që vijnë në institucionin tonë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura