Amnistia fiskale, një ex-ante analizë

Jul 9, 2020 | 10:30
SHPËRNDAJE

PROF. DR. ENGJËLL PERE engjell-pere

Në fillim të muajit korrik, në një deklaratë shtypi, stafi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, në pak rreshta ritheksonte qëndrimin e tij kundër një amnistie fiskale në Shqipëri. Situata e rrezikuar ekonomike, si rezultat i tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë globale, sikurse theksohej në deklaratën e FMN-së, mund të kërkonte në fakt edhe “ndihmën” e një amnistie fiskale, e cila normalisht ndërmerret pikërisht në raste krizash ekonomike. Gjithsesi, FMN-ja e arsyetoi qëndrimin e saj kundër amnistisë, me mungesën e sistemeve eficiente për të luftuar evazionin fiskal, pastrimin e parave dhe korrupsionin. Pas qëndrimit të FMN-së në disa media u duk se amnistia fiskale u “largua”, por ditët e fundit, disa media të tjera treguan se ajo në fakt është shumë afër.

Normalisht, nuk besoj se ka ekonomist, i cili të jetë apriori kundër amnistisë fiskale (për të mos folur për ata të rrymës klasike apo liberale). Megjithatë, çështja e një amnistie fiskale ka qenë gjithnjë e debatueshme, kjo pasi në thelb ajo presupozon një ligj me fuqi prapavepruese dhe për më tepër, duke shkelur fuqinë zbatuese të një ligji tjetër. Amnistia fiskale, megjithëse duket si një politikë ekonomike, ajo në fakt ka një impakt moral dhe shpreh një politikë të caktuar, jo vetëm ndaj ligjeve që rregullojnë veprimtarinë ekonomike, por edhe më gjerë.

Nga ana tjetër, përtej kësaj, amnistitë fiskale shoqërohen jo vetëm me aspekte pozitive, por edhe me kosto të caktuara. Ndër elementet pozitive më kryesore të një amnistie fiskale theksohen rritja e të ardhurave në buxhet, si dhe zgjerimi i bazës fiskale pas amnistisë; ndërsa në aspektet negative mund të përmendim diferencimin dhe diskriminimin e individëve, të cilët kanë qenë korrektë me pagesën e taksave, si dhe dobësimin e vlerësimit të publikut ndaj forcës së zbatimit të ligjit.

Në këtë kuptim të dyzuar, ndërmarrja e një politike të tillë, përtej aspekteve teknike, do të kërkonte paraprakisht një orientim të qartë të publikut për atë që synohet të realizohet.

Së pari, duke qenë një politikë e debatueshme, amnistia fiskale do të kërkonte para së gjithash formulimin e disa treguesve orientues, si: sa do të ishin përafërsisht të ardhurat që do të mund të tërhiqeshin në buxhet, cila do të ishte masa e ekonomisë që do të synohej të formalizohej, sa taksapagues parashikohet të përfshihen në këtë amnisti etj. Njëkohësisht me këtë, pyetje të rëndësishme do të ishin edhe ato që lidhen me aspektet negative, si për shembull, sa do të ishin kostot, ato monetare dhe jomonetare, cili do të ishte impakti negativ në publik etj. Pa dyshim, të gjitha këto aspekte janë të vështira për t’u parashikuar, pasi ekonomia që kërkohet të formalizohet, aktualisht është informale. Gjithsesi, organet tatimore apo institucionet e tjera të specializuara duhet të kenë disa objektiva orientuese. Gjithkush ka të drejtë të pyesë për shembull: cili do të jetë impakti i amnistisë fiskale ne buxhet: 100 milionë, 500 milionë apo 1 miliard euro? Nga ana tjetër, tregues të tillë do të ishin të nevojshëm për të vlerësuar nesër se sa efektive ishte amnistia fiskale që u ndërmor dhe se si u realizua ajo. Në fakt, thithja e të ardhurave nga ekonomia informale përbën një nga aspektet më të rëndësishme dhe faktorët kryesorë të amnistisë fiskale që ndërmerret. Aq më tepër, këtu do të ishte gabim të shkohej me idenë “të marrim sa të marrim”, pasi, sikurse thamë ky aksion ka në fakt një kosto të konsiderueshme, jo thjesht financiare, por me impakt të rëndësishëm si politik, ashtu edhe ekonomik.

Në fakt, në këtë diskutim, përllogaritja e kostove të amnistisë fiskale është edhe më e vështirë, pasi aty përfshihen si kostot e administratës, e cila do të angazhohet me realizimin e amnistisë fiskale, por edhe kosto të tjera, të cilat në afat të gjatë mund të kenë ndikim mjaft negativ, si për shembull impakti i amnistisë në qëndrimin ndaj zbatimit të ligjit, (i cili te ne, siç e dimë është mjaft problematik), diskriminimi i taksapaguesve të ndershëm, zgjerimin apo jo të bazës së tatueshme etj…

Çfarë tregon eksperienca botërore e amnistive fiskale në aspektin e të ardhurave që realizohen? Në tërësi, vlerësimi është se impakti në ekonomi i këtij elementi kryesor të amnistisë fiskale nuk është i konsiderueshëm, si në periudhë afatshkurtër, ashtu edhe në afatgjatë. Edhe rezultatet e konsideruara mjaft eficiente në eksperiencën botërore, gjithsesi tregojnë për vlera jo shumë domethënëse. Kështu, për shembull, amnistia fiskale në Irlandë në vitin 1999, e cila konsiderohet shumë e suksesshme, arriti të realizojë rreth 1 miliard usd, ose rreth 1.1% të GDP-së së vendit, po kështu amnistia fiskale në 2005 në Argjentinë arriti të realizojë rreth 0.19% të GDP-së; ndërkohë në Itali, amnistia fiskale e vitit 2001 pati një efekt imediat afërsisht sa 0,1% e GDP-së (në krahasim me 0,9% të parashikuar) dhe duke riatdhesuar në ekonominë vendëse rreth 60 miliardë usd (4,5% e GDP-së); po në këto nivele, (0,11% e GDPsë) ishin edhe të ardhurat e realizuara në Turqi nga amnistia fiskale e vitit 2003, (parashikimi ishte 0,16%) etj. Nëse nisemi nga këto nivele, amnistia fiskale te ne mund të realizoje rreth 130–150 milionë euro. Sigurisht, kjo vlerë varet nga masa e penalitetit të vendosur, niveli i informalitetit të ekonomisë, besueshmëria që krijon procesi etj. Nga ana tjetër, në këtë aspekt, përvojat tregojnë se rritja e frekuencës së kryerjes së amnistive fiskale e ul impaktin e tyre në të ardhurat e grumbulluara. Sikurse dihet, te ne aktualisht ka pasur 4 amnisti fiskale (të pjesshme).

Së dyti, në aspektin e kostove, sikurse thamë, problemi i përllogaritjes së tyre është më i vështirë. Kostot financiare janë së pari ato që kërkohen për administrimin e procesit. Këto kosto, përvoja tregon se mund të mbulohen nga të ardhurat e realizuara, por duke e ulur kështu impaktin e tyre në buxhet. Kosto të tjera mjaft të rëndësishme janë ato që nuk llogariten drejtpërdrejt, por shoqërojnë më pas amnistinë. Normalisht, amnistia në vetvete, në një kuptim të ngushtë, nuk ka përse t’i bëjë ata që kanë shmangur ligjin më të “ndershëm”, në të kundërt ajo do t’i nxisë më tej në evazion. Në këtë kuptim, ndërmarrja e një amnistie fiskale kërkon paraprakisht ndërtimin e një sistemi fiskal eficient, i cili të “shtrëngojë” individët në zbatimin e ligjeve tatimore dhe të luftojë ndryshe nga më parë evazionin. Nëse nuk krijohet bindja absolute se amnistia e propozuar është një rast unik për të legalizuar të ardhurat, atëherë nuk mund të shpresohet për një rezultat pozitiv. Sigurisht, krijimi i kësaj bindjeje nuk mund të bëhet vetëm me propagandë, por publiku duhet të shohë një tërësi masash që do të ndërmerren menjëherë pas amnistisë fiskale. Në tërësi, këto masa kanë të bëjnë me dy elemente kryesore: forcimin e auditit dhe regjimin e penaliteteve pas amnistisë, ndërsa në raste të veçanta ato shoqërohen edhe me një reformë të re fiskale: Synimi është sigurisht për ta bërë sistemin tatimor dhe atë të luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit më eficient. Në fakt, kjo pjesë e rëndësishme e paketës së amnistisë aktualisht mungon. Amnistia fiskale e propozuar te ne vetëm josh me “karotën”, por me të drejtë FMN-ja nuk gjen “shkopin” e nevojshëm. Eksperiencat botërore e konsiderojnë këtë aspekt si një nga elementet kryesore të suksesit apo dështimit të çdo amnistie fiskale, i cili mund të përkthehet në rënien e të ardhurave tatimore në periudhën post-amnisti. Pa një paketë të tillë shoqëruese, amnistia fiskale shndërrohet në fakt në një mjet thjesht komplementar të një administrimi të dobët fiskal.

Së treti, amnistia fiskale propozuar te ne, pa dyshim kërkon t’i japë një impuls ekonomisë pas dy fatkeqësive natyrore, atë të tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë Covid-19. Në këtë kuptim, ajo është normalisht e justifikueshme, pasi faljet fiskale bëhen pikërisht në raste të tilla krizash. Por fatkeqësisht, ajo ndërmerret te ne në një moment të pafavorshëm politik. Vendi ka hyrë në një vit elektoral, ndërkohë kur vetë amnistia fiskale, ende e pamiratuar, parashikohet të zgjasë 1 vit. Për vetë përmbajtjen e tyre, amnistitë fiskale janë gjithnjë fushë debati midis maxhorancës dhe opozitës, ku kjo e fundit në përgjithësi është kundër dhe bile me të njëjtin argument: “Maxhoranca kërkon të formalizojë ilegalitetin dhe krimin”. Kjo tablo evidentohet në përgjithësi në përvojën botërore. Kuptohet se në kushtet e vendit tonë, situata paraqitet më tej se konfliktuale, kur opozita (jashtëparlamentare), dekriminalizimin e ekonomisë e ka “kalë beteje”. Problemi këtu nuk shtrohet se a mund të miratohet apo jo në Parlament ligji mbi amnistinë, apo se kush do t’i fitojë zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2021. Problemi është se në këto kushte, sa i besueshëm do të jetë procesi nga ana e individëve apo bizneseve, të cilët mund të kërkojnë të marrin pjesë në amnisti. Për këtë arsye, normalisht amnistitë fiskale miratohen me shumicë të cilësuar votash, duke siguruar që ligji përkatës i miratuar të “trashëgohet” pa mëdyshje edhe në të ardhmen. Bile edhe në këtë rast, intuitivisht supozohet se dëshira për formalizim mund të ballafaqohet me frikën se deklarimi i ilegalitetit të shkuar do të shoqërohet me më shumë auditime apo kontrolle fiskale në të ardhmen. Ky aspekt mund të jetë edhe më i ndjeshëm në kushtet e Parlamentit tonë aktual, kur opozita reale, për arsye të njohura, është jashtë tij. Nga ana tjetër, besimi te qëndrueshmëria e procesit të amnistisë, sikurse mund të kuptohet, është një faktor mjaft i rëndësishëm që do të ndikojë në efikasitetin e tij.

Së katërti, deklarimi i të ardhurave në amnistinë fiskale presupozon domosdoshmërisht pagesën e një detyrimi të caktuar. Ky detyrim normalisht përbëhet nga vlera reale e taksës së papaguar, interesat e llogaritura dhe penalitetet nga mosdeklarimi. Normalisht, këto dy elemente të fundit, interesat nga pagesa e vonuar dhe penalitetet (gjobat) edhe mund të mos konsiderohen, duke rritur kështu stimulin për të marrë pjesë në amnisti. Ndërsa detyrimi i taksës që nuk është paguar në vlerën e saj të plotë, përbën një element thelbësor të detyrimit. Kjo, pasi amnistia fiskale nuk duhet të diskriminojë paguesit e rregullt të detyrimeve fiskale dhe për më tepër, t’i dekurajojë ata në pagesën e taksave në të ardhmen. Faktikisht, amnistia fiskale e paraqitur përmban një pagesë detyrimi nga 4% deri në 10% të të ardhurave të deklaruara, (në varësi kjo nga periudha e pagesës). Ndërkohë, shkalla tatimore te ne fillon nga 13-15%. Pra, ai që ka paguar dhe vazhdon të paguajë detyrimet fiskale, paguan një tatim duke nisur nga 13% apo 15%, ndërsa ai që ka bërë evazion fiskal dhe fshehur detyrimet, do të paguajë thjesht 4% apo maksimalisht 10%. Morali që i ofrohet paguesit të ndershëm është i qartë. Ky moral ka shumë mundësi të dekurajojë pagesën e detyrimeve dhe të rrudhë më tej të ardhurat e buxhetit në periudhën post-amnisti. Këtu duhet të kemi parasysh edhe faktin se në amnistinë fiskale nuk bëhet fjalë për formalizimin e të ardhura të pakta jashtë sistemit bankar të familjeve të thjeshta.

* Universiteti “Luarasi”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura