Amnistia fiskale, nga paratë te floriri e veprat e artit, si do të bëhet deklarimi

Jun 8, 2020 | 17:10
SHPËRNDAJE

Zbulohet drafti i qeverisë “Për deklarimin vullnetar të pasurisë”. Zyrtarizimi i kësaj nisme do t’u japë mundësi qytetarëve, por edhe bizneseve, të cilët kanë para apo sende të tjera me vlerë, siç janë floriri, diamanti apo edhe vepra arti, t’i deklarojnë ato në bankë, përkundrejt një vlere tatimore të reduktuar.leke-ibna-700x466

Por ajo çfarë është më e rëndësishme në këtë nismë është fakti që nuk do t’u kërkohen të dhëna për burimin e këtyre të ardhurave. Pra, qytetarët apo bizneset mund të formalizojnë lehtësisht pasurinë pa u përballur me kërkesën, për të justifikuar mënyrën sesi është krijuar. Jo vetëm që do të ketë “zero llogaridhënie”, por edhe do të përjashtohen nga ndjekja penale.

“Individët, personat fizikë dhe personat juridikë, subjekte përfitues sipas parashikimeve të këtij ligji, me pajisjen me vërtetimin e përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar: përjashtohen nga detyrimi i dhënies së informacionit pranë institucioneve përkatëse administrative në lidhje me kohën, mënyrën e krijimit, mbajtjen apo posedimin e pasurive të deklaruara në përputhje me parashikimet e këtij ligji; përjashtohen nga ndjekja e procedurave hetimore dhe administrative, si edhe nga ndjekja penale dhe procedimi penal në kuadër të ligjit penal të zbatueshëm në Republikën e Shqipërisë për vepra penale në lidhje me pasuritë e deklaruara sipas kushteve dhe parashikimeve të këtij ligj”, specifikohet në draftin që pritet të kalojë së shpejti për miratim nga qeveria.

TATIMI

Amnistia fiskale dhe penale për deklarimin e të ardhurave do të zgjasë 1 vit. Siç ishte paralajmëruar, deklarimi i të ardhurave do të bëhet përkundrejt një detyrimi tatimor të reduktuar. Për të motivuar qytetarët dhe bizneset që kanë pasuri të palegalizuara, atëherë qeveria ka përcaktuar një tatim progresiv. Çka do të thotë se për të gjithë ata që do të shkojnë brenda 4 muajve të parë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, tatimi do të jetë 5 për qind i të ardhurave.

Thënë më thjesht, nëse do të deklarohen 10 milionë lekë, banka do të mbajë 50 mijë lekë. Ndërsa ata, të cilët do të deklarojnë në 4- mujorin e dytë, tatimi do të jetë 7 për qind dhe për ata që do ta lenë këtë proces në 4 muajt e fundit të amnistisë, atëherë tatimi do të jetë 10 për qind, pra, dyfish më i lartë. Kjo vlen edhe për pasuri, të cilat gjenden jashtë territorit të Shqipërisë.

Riatdhesimi i tyre, qofshin këto para apo sende me vlerë, do të bëhet përkundrejt së njëjtës faturë apo detyrimi tatimor. “Deklarimet dhe veprimet e kryera në kuadër të riatdhesimit të pasurive nga ana e subjekteve përfituese sipas këtij ligji, në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklarojnë vullnetarisht në formularin përkatës, nuk mund të shërbejnë si indicie apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të këtyre subjekteve”, thuhet në draft.

TË PËRJASHTUAR

Nëpërmjet kësaj amnistie synohet formalizimi i të ardhurave, por kjo nuk fshin mundësinë e keqpërdorimit të saj. Nga kjo skemë mund të përfitojnë emigrantët, ata që kanë punuar deri më sot në të zezë, si edhe sipërmarrësit vendës. Nga ana tjetër përjashtohen të gjithë ata që i kanë të ardhurat e tyre nga krimi. Ashtu sikundër janë të paamnistueshme të ardhurat e politikanëve dhe të rrethit të tyre familjar, të gjykatësve, prokurorëve dhe të rrethit të tyre familjar, të punonjësve të Policisë dhe të rrethit të tyre familjar, si dhe të gjithë atyre drejtuesve të shtetit që janë subjekt i deklarimit të pasurive.

Për këto kategori, siç është bërë më herët e ditur, nuk ka amnisti dhe paratë apo asetet e tyre nuk mundet të legalizohen nëse vijnë nga veprimtaria e paligjshme. Amnistia do të zgjasë 1 vit dhe në përfundim të saj çdo para dhe çdo aset që është jashtë sistemit të formalizuar, konsiderohet para kriminale dhe aset kriminal dhe trajtohet njësoj si paratë dhe asetet e krimit.

HAPAT

Në draftin e siguruar nga gazeta “Panorama”, specifikohen edhe hapat që do të ndiqen deri në depozitimin e parave apo pasurive të tjera në bankë. “Deklarimi vullnetar i pasurive apo i pasqyrave financiare kryhet pranë strukturës përgjegjëse të ngritur në kuadër të këtij ligji pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve apo ndërmjetësve të autorizuar që janë bankat e nivelit të dytë apo institutet financiare, në sportel apo online, nëpërmjet paraqitjes së një vetëdeklarimi të paracaktuar, formati i të cilit dhe mënyra e procedimit përcaktohen me udhëzim të Ministrit përgjegjës për Financat”, thuhet në projektligj.

Pra, hapi i parë është plotësimi i një formulari aplikimi, në rastin e parave për depozitim të shumës në një numër llogarie bankare të hapur për këtë qëllim. Më pas kryhet depozitimi i shumave në të holla në llogarinë përkatëse.

“Detyrimet tatimore të subjekteve përfitues, deri më hyrjen në fuqi të këtij ligji, konsiderohen të paguara rregullisht dhe administratat tatimore nuk mund t’i kërkojnë pagesën e detyrimeve të tjera shtesë ndaj atyre të paguara për këtë periudhë, në lidhje me vlerën dhe llojin e pasurisë së deklaruar”, theksohet në draft.

PËR LEKËT 1. Në rastet e deklarimit vullnetar të shumave në të holla dhe të depozitimit të tyre në llogaritë bankare, banka mban një tatim të posaçëm në burim në vlerën si vijon:

a) 5 për qind të shumës totale të deklaruar, për deklarime të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit

b) 7 për qind të shumës totale të deklaruar, për deklarime të kryera në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit

c) 10 për qind të shumës totale të deklaruar, për deklarime të kryera në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit

PËR VEPRAT E ARTIT, FLORINJ, DIAMANTE ETJ.

2. Në rastet e deklarimit vullnetar të pasurive të tjera të deklaruara vullnetarisht pranë njësisë speciale të ngritur në kuadër të këtij ligji, tatim i posaçëm, në burim paguhet në vlerën si vijon:

a) 5 për qind të vlerës së deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit

b) 7 për qind të vlerës së deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit

c) 10 për qind të vlerës së deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit.

HAPAT PËR DEKLARIMIN VULLNETAR TË PARAVE

a) subjekti ose përfaqësuesi i posaçëm plotëson një formular aplikimi për depozitim të shumës në të holla në një numër llogarie bankare të hapur prej tyre për këtë qëllim.

b) formulari verifikohet për mënyrën e plotësimit të tij dhe subjekti pajiset me kopje të aplikimit, të verifikuar;

c) subjekti apo përfaqësuesi i tij kryejnë depozitimin e shumave në të holla në llogarinë përkatëse bankare

2. Detyrimet tatimore të subjekteve përfitues, deri më hyrjen në fuqi të këtij ligji, konsiderohen të paguara rregullisht dhe administratat tatimore nuk mund t’i kërkojnë pagesën e detyrimeve të tjera shtesë ndaj atyre të paguara për këtë periudhë, në lidhje me vlerën dhe llojin e pasurisë së deklaruar

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura