Amnistia fiskale, Ardian Civici: Hap pozitiv. Ja si mund të ndihmojë shteti në ringritjen e ekonomisë

Apr 22, 2020 | 18:35
SHPËRNDAJE

Eksperti i ekonomisë, Ardian Civici ka folur për situatën ekonomike në vend pas pandemisë së koronavirusit, e cila erdhi pak muaj pas një tërmeti shkatërrues që goditi Shqipërinë.

civici54-770x433

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Civici bëri një koment edhe për amnistinë fiskale të paralajmëruar nga qeveria që pritet të kryhet së shpejti.

“Amnistia fiskale është një hap pozitiv, një instrument që i shërben jo vetëm ekonomisë shqiptare që nga goditjet që ka pasur ka nevojë për likuiditet por dhe një hap i rëndësishëm në luftën kundër informalitetit.

Nuk besoj që kritikat e opozitës janë për kohën kur është ndërmarre se sa për përmbajtjen. Çdo amnisti fiskale ka disa pikëpyetje të mëdha që duhen analizuar me kujdes. Kush përfiton? Nëse bëhen për grupe të vogla dhe qëllime okulte kjo amnisti fiskale nuk ka vlerë. Nga eksperienca e vendeve që i zbatojnë, në radhë të parë kërkohet konsensus i gjerë politik sepse pa konsensus të gjerë mund të jetë e njëanshme dhe kërkon konsultim dhe me grupet e interesit. Ajo që është e rëndësishme në një amnisti fiskale është numri i grupeve që marrin pjesë.

Një amnisti fiskale ka dhe pjesën tjetër të atyre që kanë qenë të rregullt. Kërkon dhe kohë, dhe konsensus. Për këtë arsye mendoj që dhe opozita kërkon fjalën e saj dhe në sensin e një marrëveshje për qëllimet dhe efektet që do ketë.

Formalitetin e lufton sepse pika më delikate është ajo që quhet dita e nesërme. Në momentin që mbaron amnistia fiskale i gjithë sistemi duhet të jetë i reformuar që të mos lejojë më të ardhmen informalitet. Paketat e ndryshimeve fiskale shoqërohen me ndryshime ligjore. Nëse nuk bëhen rrezikon që pas amnistisë të ketë sërish informalitet”, deklaroi Civici.

Sa i përket gjendjes së ekonomisë në vend, eksperti i ekonomisë tha se pandemia është një nga goditjet më të mëdha që ka marrë ekonomia shqiptare në këto 30 vite.

“Sigurisht ishte ‘97 por tani mori dy goditje, ishte ajo e tërmetit dhe tani për shkak të masave. Janë prekur sektorët më jetikë të ekonomisë shqiptare, turizmi, transporti, prodhimi dhe ndërtimi. Edhe në 3-mujorin e katërt të vitit 2019 patëm një rritje ekonomike minimale dhe sigurisht dhe për 3 muajt e parë të këtij viti do jetë në shifra të vogla. Konsumi është ngushtuar. Goditja për ekonominë shqiptare është shumë e rëndë. 2020 do jetë viti ku ekonomia shqiptare ka marrë goditjen më të rëndë”, tha ai.

Civici i shikon dy paketat ekonomike të qeverisë më tepër sociale. Ai foli edhe për mënyrën se si mund të ndihmohet ekonomia dhe bizneset që të mos falimentojnë.

“Të dy paketat duhet t’i konsiderojmë pothuajse me nivel social. Ka pasur dhe disa elementë, megjithëse minimale për mbështetjen e biznesit, si fondi i garancisë sovrane. Qeveria të ndihmojë me subvencione e mbështetje direkte një pjesë të bizneseve, të paktën të mos i lërë të falimentojë.

Deficiti buxhetor është rritur. Duhet shtrëngimi i masave sanitare për të penguar përhapjen e pandemisë por nga ana tjetër një lirim më i madh i aktiviteteve që ekonomia të mbahet në këmbë.

Ne kemi një strukturë të veçantë të bizneseve. Pjesa më e madhe janë biznese të vogla. Ka ndonjë masë lehtësuese për t’i përjashtuar nga tatim fitimi këto biznese por këto biznese me produktivitetin e ulët, janë shumë të rrezikuara. Dhe këto biznese kanë nevojë për ndërhyrje direkte të shtetit për t’i mbajtur në këmbë. Fillimisht me pagat e papunësisë, detyrimet e taksat që kanë këtë periudhë, likuiditet direkt për këto biznese që të punojnë dhe me motor gjysmë të fikur që të jenë gati kur t’i kthehemi normalitetit”, u shpreh më tej Civici.

Po kështu ai theksoi se turizmi është një sektor shumë i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare i goditur.

“Po t’i shtojmë dhe disa sektorë aneks që lidhen me turizmin, bëhet sektori motor i ekonomisë shqiptare. Vendet e tjera e kanë lënë të kuptohet që nuk do ketë hapje të kufijve deri në shtator ose dhjetor gjë që do na dëmtojë shumë. Ndoshta duhet të fillojmë të nënvizojmë më shumë atë që po bëjnë vendet e tjera që ta vëmë theksin tek turizmi i brendshëm. Sektori turistik duhet të kalojë pak nga situata pesimiste por të mendojë më intensivisht për të bërë gati kapacitetet turistike për turizmin e brendshëm, potencialet e brendshme mund të jenë ndihmë që ta mbrojmë këtë sektorë në këtë situatë të vështirë. Siç po bëjnë shumë vende të tjera të konsumojmë produkte vendase”, u shpreh Civici.

Por kur mund ta marrë veten ekonomia?

“Është një debat që po bëhet në të gjitha vendet. Janë disa skenarë të parashikuara për ekonomitë e vendeve të ndryshme. Skenari më i mirë është në formë V-je që shkon deri në pikën fundore dhe ngritja do jetë e shpejtë. Skenari më i keq në formë L-je. Mendoj se në rastin e Shqipërisë dhe nga analizat që bëhen referuar strukturës së ekonomisë shqiptare, më e pranueshme do jetë një kurbë në formë U-je. Nëse deri në fund të qershorit shkojmë në pikën fundore të rënies do na duhen 3-4 muaj stanjacion që të nisim ngritjen. Ka pak shpresa që sektori i turizmit të mund të jetë kaq kontribuues sa vitet e kaluara. Ekonomia shqiptare nga ana tjetër ka qenë shumë e varur nga investimet e huaja direkte. Kur ranë këto investime shkuam në një rritje ekonomike 2.5-2.7. Në situatën që janë vendet, e vështirë për investime të huaja. 1.2-1.3 mld euro janë nga remitancat. Në këto kushte ku janë Greqia, Italia nuk do vijnë më. Situata e ringritjes nuk do vijë aq shpejt”, deklaroi Civici./BW

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura