Amerika ‘përfshihet’ nga debati pas kufizimit të abortit/ Lehtësirat për ndërprerjen e shtatzanisë dhe masat ‘qesharake’ në vendin tonë

Jun 25, 2022 | 13:12
SHPËRNDAJE

PANORAMAPLUS.AL/ Gjykatës e Lartë e SHBA përmbysi vendimin historik Roe kundër Wade, që legalizonte abortin në mbarë vendin. Vendimi ka sjellë reagime të shumta nga personalitete të ndryshme.

aborti-3fw5t2fqg9782adcvtn7r4

Qëndrimet janë pro edhe kundër ligjit të ri që do të aplikohet në SHBA. Në SHBA, nga 50 shtete, më shumë se gjysma kishin tashmë ligje kufizuese për ndërprerjen e shtatzënisë, në disa aborti është i ligjshëm vetëm nëse përbën një rrezik aktual për jetën e gruas ose në rast përdhunimi. Gjykata e Lartë e SHBA-së ka shfuqizuar mbrojtjen federale për të drejtën e abortit, duke ua lënë fushën të lirë shteteve individuale për të nxjerrë ligje për këtë çështje. Edhe shumë shtete të tjera kanë ligje që ndalojnë abortin, ashtu edhe si ka ligje që e lejojnë abortin me arsye të veçantë.

Por si janë ligjet në vendin tonë për abortin?

Edhe Shqipëria, si gjithë vendet e tjera ka një sërë rregullatorësh në ligjin për abortin, çfarë duhet theksuar se në vendin tonë është i ligjshëm.

Aborti në Shqipëri u legalizua plotësisht më 7 dhjetor, 1995. Aborti mund të kryhet me kërkesë deri në javën e dymbëdhjetë të shtatzënisë. Por gratë duhet t’i nënshtrohen këshillave për një javë para procedurës, dhe spitalet që kryejnë aborte nuk u lejohet të japin informacion për publikun në lidhje me gratë e trajtuara. Shqipëria ka të miratuar tashmë edhe ligjin për abortin deri në javën e 22 të shtatzanisë. Ndërprerja e shtatëzënësisë për arsye mjekësore mund të bëhet deri në javën e 22 të shtatëzanisë, në rast se një komision i përbërë nga 3 mjekë, pas ekzaminimit dhe konsultimit, gjykon se vazhdimi i shtatëzënësisë dhe/ose lindja e fëmijës rrezikon jetën ose shëndetin e gruas. Kur komisioni gjykon se fetusi ka keqformime të papajtueshme me jetën, apo sëmundje invaliduese me trajtim të pasigurtë, vendos për ndërprerjen e shtatëzënësisë në çdo kohë. Në një ndër nenet e miratuara të ligjit, gruaja mund të kryejë një abort të ligjshëm edhe kur shtatzënia i shkakton probleme psikologjike.  “Në rastet kur gruaja vlerëson se shtatëzania i krijon probleme psikosociale, ndërprerja e vullnetshme mund të kryhet brenda javës së 12 të shtatëzënësisë”, thuhet në nenin 10 të këtij ligji.

Një tjetër nen përcakton edhe masat që ndërmerren nëse nuk respektohet ligji për kryerjen e abortit. Dhe sipas ligjit të hartuar në 1995, masat për mjekët, apo pjesën tjetër të stafit kufizohen vetëm me gjoba. “Shkelja e dispozitave të parashikuara në nenet 4, 6, 7, 12, 13, 14 dhe 16 të këtij ligji, kur nuk përbën vepër penale, dënohet si kundërvajtje administrative me gjobë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë. Shkelja e dispozitave të parashikuara në nenin 15 dënohet me gjobë deri në 100 mijë lekë. Gjobat jepen nga organet e kontrollit të caktuara nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit”. Ndërkohë nga të dhënat e vitit 2010, shkalla e abortit ishte 9.2 aborte për 1000 gra të moshës 15-44 vjet. Megjithatë pas shifrave zyrtare, ka edhe shifra të padeklaruara për abortet në vendin tonë, që zakonisht kryhen në klinikat private.

Cilat janë vendet ku aborti është i paligjshëm

Gjithashtu sipas të dhënave të mbledhura nga OJQ Qendra për të Drejtat Riprodhuese, janë 24 vende në botë ku aborti është i paligjshëm, ndërprerja e shtatzënisë nuk lejohet në asnjë rrethanë. Shumica e këtyre vendeve janë në Afrikë dhe Azi, por me një përjashtim të dukshëm: në fakt është një vend anëtar i Bashkimit Evropian, Malta.

Kjo është lista e 24 vendeve ku aborti është i paligjshëm: Andorra, Aruba, Kongo, Curacao, Republika Domenikane, Egjipt, El Salvador, Xhamajka, Haiti, Honduras, Irak, Laos, Madagaskar, Maltë, Mauritania, Nikaragua, Filipine, Palau , Senegal, Sierra Leone, Surinami, Tonga, Rripi i Gazës.

Vendet ku aborti lejohet vetëm nëse gruaja rrezikon jetën e saj

Në shumë shtete të tjera, aborti është i ligjshëm, por aborti mund të praktikohet vetëm në raste të caktuara.

Në 42 vende, aborti lejohet vetëm kur jeta e një gruaje shtatzënë është në rrezik: Afganistan, Antigua & Barbuda, Bahrein, Bangladesh, Butan, Burma, Brazil, Brunei, Kili, Bregu i Fildishtë, Dominika, Gabon, Gambia, Guatemala, Indonezi, Iran, Ishujt Marshall, Ishujt Solomon, Kiribati, Liban, Libi, Malavi, Mali, Meksikë, Mikronezi, Nigeri, Oman, Panama, Papua Guinea e Re, Paraguaj, Siri, Somali, Sri Lanka, Sudan i Jugut, Sudan, Tanzani, Timori Lindor, Tuvalu, Uganda, Emiratet e Bashkuara Arabe, Venezuela, Jemeni.

Vendet ku aborti është i kufizuar për arsye shëndetësore

Në vende të tjera aborti lejohet për arsye shëndetësore dhe terapeutike për të ruajtur shëndetin fizik dhe mendor të gruas shtatzënë. Këto raste përfshijnë kur fetusi ka keqformime ose kur është rezultat i përdhunimit ose incestit. Në mesin e këtyre vendeve është edhe një anëtare e Bashkimit Evropian, Polonia.

Janë 51 vende që kufizojnë abortin në këtë mënyrë: Algjeria, Angola, Arabia Saudite, Bahamas, Benini, Bolivia, Botsvana, Burkina Faso, Burundi, Kameruni, Çadi, Kolumbia, Ishujt Komore, Koreja e Jugut, Kosta Rika, Republika Demokratike e Republikës Kongo, Xhibuti, Ekuador, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, eSëatini, Gana, Grenada, Guinea, Izraeli, Jordania, Kenia, Kuvajti, Lesoto, Liberia, Lihtenshtajni, Malajzia, Mauritius, Monako, Marok, Namibia, Pakistani, Peru, Nauru, , Polonia, Katari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura