Amerika foli

Nov 14, 2018 | 12:28
SHPËRNDAJE

LEONARD DEMI

download (1)

ZGJEDHJET E MESMANDATIT

Më 3 janar 2019, në Kongresin (Kuvendi) Amerikan do të ketë një realitet të ri politik: Partia Demokrate, opozita në Shtetet e Bashkuara, do të ketë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve (Kongresi Amerikan ka dy dhoma: Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin).

Kushtetuta i jep Kongresit shumë autoritet. Ai ka pushtet mbi politikën e jashtme, më shumë sesa mund të kuptohet me vështrim të parë; ka, gjithashtu, pushtet mbi paranë, mund të shpallë luftë, të ushtrojë autoritet mbi forcat e armatosura, tregtinë dhe emigracionin. Kongresi mund të financojë programe. Mund të bllokojë iniciativa që kërkojnë miratim ligjor dhe kur konstaton shkelje, ushtron të drejtën e hetimit në sektorë apo degë të ndryshme të qeverisjes; mund t’i denoncojë, t’i bllokojë apo të kufizojë veprimtarinë e tyre. Kongresi mund të ndërmarrë veprime për të mbrojtur interesat kombëtare amerikane nga çdo personalitet i rrezikshëm, qoftë ky edhe Presidenti. Mund të përkrahë aleatët dhe të kërcënojë kundërshtarët.

Kongresi mund të vërë në lëvizje sistemin “check and balance”, d.m.th., të amendojë ose të vërë veton për vendime apo veprimtari të ekzekutivit me pikësynim që të parandalojë ushtrimin e një pushteti të madh apo të pakontrollueshëm.

Gjatë dy viteve të ardhshëm, fitorja e 7 nëntorit u jep demokratëve mundësinë të tregojnë se ka një model më të mirë legjislacioni, se Kongresi është në gjendje të bëjë më shumë për amerikanët sesa të shkurtojë taksat për të pasurit apo të kërcënojë sigurimin shëndetësor të kujtdo tjetër.

Në zgjedhjet e këtij mesmandati, demokratët u kërkuan votën amerikanëve, kryesisht për tri çështje: (i) zvogëlimin e kostos të sigurimit shëndetësor, (ii) krijimin e vendeve të punës duke investuar në infrastrukturë dhe (iii) pastrimin e politikës nëpërmjet një reforme të përgjithshme, që do të shtrëngojë ligjet e etikës dhe do të forcojë sistemin elektoral. Dhe Presidenti Trump premtoi një erë marrëdhëniesh bipartizane në Kongres. Ai tha se do të qeverisë sipas “një koncepti të ri” të bashkëpunimit me demokratët për të negociuar legjislacionin për infrastrukturën, mjedisin dhe sigurimin shëndetësor. Në të njëjtën kohë, Presidenti kërcënoi se do të ishte i përgatitur të ndjekë “një qëndrim luftarak” në qoftë se demokratët do të hetojnë financat e tij personale dhe lidhjet e pretenduara me agjentë rusë.

“Ata mund ta luajnë këtë lojë, por ne mund ta luajmë më mirë”, tha ai, kur premtoi se do të përdorte pushtetin e tij për të goditur tellallët.

PRAKTIKAT STANDARDE PARLAMENTARE

Demokratët po përgatiten për një ofensivë parlamentare dhe po kërkojnë një hetim emergjent në Dhomën e Përfaqësuesve, sepse, sipas tyre, vendi ndodhet “në situatën e një krize kushtetuese.”

Politologë dhe ekspertë të Kongresit, mbështetës të Partisë Demokrate, sugjerojnë që betejat politike duhen zgjedhur me mençuri dhe si hap të parë sugjerojnë kthimin te praktikat standarde: (i) të mbikëqyrjes parlamentare e seancave dëgjimore; (ii) komiteteve (komisioneve) hetimore dhe (iii) iniciativës ligjvënëse.

Shtëpia e Bardhë nuk mund të kontrollojë plotësisht dëshmitë e agjencive në Kongres. Kongresi u miraton fondet, kërkesat për rialokime të fondeve, si dhe drejtuesit e tyre dhe institucionet apo agjencitë e ndryshme shtetërore përpiqen të ruajnë marrëdhënie pune me komitetet mbikëqyrëse të të dyja dhomave. Zyrtarët e administratës bien dakord të paraqiten, të sigurojnë dokumentet që u kërkohen dhe të bashkëpunojnë me mbikëqyrësit e Kongresit, sidomos kur përballen me ndonjë ligj, që kufizon autoritetin e tyre buxhetor nga procesi i komitetit të shpenzimeve (appropriations). Betejat kundër paraqitjes në Kongres janë përjashtime.

Pjesa më e madhe e veprimtarive të mësipërme kërkon mbështetjen e shumicës në të dyja dhomat e Kongresit. Megjithatë, edhe pa mbështetjen e Senatit, Demokratët mund të kenë një ndikim domethënës

KONGRESI, POLITIKA E JASHTME DHE KOMISIONI (ET) PËR ÇËSHTJET ME JASHTË

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara i jep Presidentit një pushtet të konsiderueshëm mbi politikën e jashtme. Jo shumë herët, presidentët, njëri pas tjetrit, e kanë rritur këtë autoritet. Aspekti i politikës së jashtme, mbi të cilin Presidenti ka kontroll më të madh, mund të jetë diplomacia për arsye se ekzekutivi kryen negociata me qeveri të tjera dhe ka një administratë të tërë që e ndihmon. Por, hartuesit e Kushtetutës me mençuri i kanë dhënë Kongresit fuqi të ndikojë dhe të kontrollojë ekzekutivin.

Lufta e Dytë Botërore përcaktoi se Amerika duhet të udhëheqë globalisht dhe Amerika nuk mund të shpëtojë nga rreziqet duke u tërhequr. Udhëheqësit e mëdhenj bashkëpunuan, organizuan mbrojtjen kolektive, hapën tregjet dhe nxitën demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor: tri shtyllat e politikës së jashtme amerikane. Kjo strategji bazohet në të vërtetën që duke mbështetur vendet e tjera të përparojnë, Amerika, gjithashtu, përparon. Duke udhëhequr jashtë, Amerika fiton edhe brenda vendit. Suksesi i kësaj politikë tejkaloi çdo hamendësim.

Analistë të shquar demokratë theksojnë se dorëheqja nga lidershipi ngërthen dy skenarë pështjellues. I pari përcjell një botë shumëpolare, ku nuk drejton asnjë, e cila na kthen në paqëndrueshmërinë dhe në luftërat e fuqive të mëdha, që lidershipi amerikan i parandaloi. Në skenarin e dytë, një vend tjetër mbush vakumin. Europa nuk mundet. Ajo vazhdon të rropatet me një rritje ekonomike të brishtë, me një borxh kombëtar në rritje, ku ka filluar të gëlojë nacionalizmi dhe populizmi. Rusia ka dëshirën, por nuk ka as pushtet ekonomik dhe as politikë tërheqëse për të krijuar atë që ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov, e quan “rendi botëror post-Perëndimor”.

Në kushtet e reja, Kryetarit të ri (D) të Dhomës së Përfaqësuesve (në hierarki pas zëvendëspresidentit) i jepet mundësia të punojë që me rastin e 70-vjetorit të themelimit, Kongresi të dekorojë NATO-n me Medaljen e Nderit të Kongresit në mirënjohje të kontributit që kanë dhënë të gjithë anëtarët e Aleancës në Afganistan për 17 vjet rresht krah për krah forcave amerikane. Në krye të një delegacioni, ai mund të vizitojë NATO-n dhe të risigurojë aleatët se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fort Aleancën dhe marrëdhëniet transatlantike janë guri themelor i lirisë dhe qytetërimit tonë. Kësisoj, kryetari mund të caktojë deputetë të njohur për të kryesuar delegacione në rajone të tjera të botës për të ritheksuar angazhimin amerikan dhe vlefshmërinë e marrëveshjeve dhe traktateve të nënshkruara.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve pritet të ftojë presidentë dhe kryeministra të vendeve aleate të mbajnë fjalime në seanca të përbashkëta me të dyja dhomat e Kongresit.

Komiteti i Çështjeve me Jashtë i Dhomës pritet të organizojë dëgjesa për politikën e Shteteve të Bashkuara në vende të ndryshme me interes, si: për Korenë e Veriut, Rusinë, Arabinë Saudite, vende të Amerikën Qendrore, etj.; mbi ndikimin e tarifave në politikën e jashtme; mbi rritjen e kërcënimeve ndërkombëtare kibernetike, të terrorizmit dhe, veçanërisht, të ndryshimeve klimaterike.

Ky komitet pritet të mbështesë problemin e Ëndërruesve (the Dremears): 700 mijë fëmijë emigrantë të paligjshëm; veprimtaritë e dobishme të Departamentit të Shtetit, si: verbëria lumore, arsimimi i vajzave, luftën kundër trafikimit të njerëzve, mbrojtjen e burimeve diplomatike, nxitjen e veprimtarive të dobishme, zhvillimet demokratike si dhe buxhetin për to. Pritet të mbrojë Shërbimin e Jashtëm nga disa përpjekje për të nxjerrë jashtë tij talente të veçanta dhe të ushtrojë pushtetin e vet legjislativ.

Shembuj të përpjekjeve të suksesshme janë të shumtë. Në vitin 1990, Kongresi Republikan miratoi legjislacionin për reforma të ndryshme të OKB-së, riorganizoi agjencitë e punëve me jashtë, bashkoi armëkontrollin dhe diplomacinë publike në Departamentin e Shtetit; bllokoi përpjekjet e administratës të Klintonit të modifikonte Traktatin e Raketave Antibalistike; si dhe rrëzoi Traktatin e Ndalimit të Plotë të Provave Bërthamore.

KOMITETET E TJERA TË KONGRESIT

Komiteti i Përhershëm i Inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve pritet të fusë në kalendar një ligji për të mbrojtur hetimin e Konsullit të Posaçëm Mueller mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale 2016.

Presidenti Trump, pas përfundimit të zgjedhjeve të mesmandatit, lëroi nga detyra ministrin e Drejtësisë (Attorney General), Jeff Sessions dhe komandoi z. Whitaker, një mbështetës të vetin. Në këtë post, z. Whitaker ka të drejtë të refuzojë apo të mos bëjë të njohur arritjet e hetimit të z. Mueller, t’i kufizojë atij buxhetin dhe t’i refuzojë kërkesat për të shqyrtuar dokumente dhe të thërrasë dëshmitarë.

Demokratët i kanë kërkuar z. Whitaker të mos pengojë hetimin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje. Zonja Nency Pelosi, D, që synon të rizgjidhet Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, mendon se z. Sessions u lirua nga detyra, si përpjekje për të minuar hetimin e z. Mueller. Ndërsa kongresmeni Adam Schiff D, që pritet të drejtojë Komitetin e Inteligjencës të Dhomës, ka lënë të kuptohet se mund të rihapë hetimin e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale. Po kështu, edhe disa senatorë republikanë, si ish-kandidati për President Mitt Romney dhe Lamar Alexander, kanë kërkuar që hetimi i z. Mueller të lejohet të nxjerrë konkluzionet pa u penguar.

Kongresi ka një përvojë shembullore në këtë drejtim, jo vetëm se ngriti komitetet e përhershme të inteligjencës për të mbikëqyrur agjencitë e inteligjencës, por edhe në hartimin e legjislacionit, siç është ai mbi “Survejimin e Inteligjencës së Huaj”. Ky ligj krijoi një strukturë të re për organizimin e survejimit elektronik për çështje të sigurisë kombëtare. Hetimi dhe mbikëqyrja parlamentare e këtij komiteti ka reformuar CIAn dhe FBI-në, veçanërisht, mbi informimin e brendshëm.

* * *

Liderë demokratë të komiteteve të tregtisë, financave, buxhetit, shpenzimeve, kanë kumtuar se marrëveshja TPP do të kishte zvogëluar mijëra tarifa të eksporteve amerikane – disa syresh shumë më të larta se tarifat që Shtetet e Bashkuara u kanë vendosur sot importeve ekuivalente. Këtu, interesat amerikane janë të jashtëzakonshëm pasi eksportet gjenerojnë 11 milionë vende pune dhe shitjet jashtë SHBAve zënë 40% të të ardhurave të 500 firmave S&P (Standard & Poor’s). Ata po argumentojnë se kur hedh poshtë një marrëveshje tregtare, të tjerët do të nxitojnë të lidhin të tyren, d.m.th., “në qoftë se nuk je në tavolinë, atëherë je në meny” (proverbë). Kësisoj, demokratët po përgatiten të kërkojnë sqarime të mëtejshme për marrëveshjet ndërkombëtare, si: TPP, NAFTA, të mbikëqyrin vendimet dhe nismat që dëmtojnë interesat amerikane, si dhe të pengojnë apo të bllokojnë atë legjislacion që mund të përdoret për ambicie politike dhe ekonomike të personaliteteve të ndryshme të shtetit dhe të familjeve të tyre, të cilat bien ndesh me kushtetutën.

Zonja Maxine Waters, D, që mund të drejtojë Komitetin e Financës, ka deklaruar se mund ta përdorë këtë pozitë për të bërë transparente pagimin e taksave nga vetë Presidenti. Në këtë drejtim, disa drejtues demokratë thonë se nuk kanë në plan të lëvizin mekanizmin kundër Presidentit (impeachmment), por kongresmeni Jerry Nadler, D, që pritet të bëhet kryetar i Komitetit të Ligjeve, kumtoi se, gjatë mandatit të tij, Presidenti duhet të mësojë se “nuk është mbi ligjin”. Demokratët do t’u kundërpërgjigjen atyre politikave, që, sipas tyre, dëmtojnë interesin amerikan, ashtu siç vepruan më 1970, kur, pas një furtune hetimore dhe legjislative, Kongresi miratoi “Rezolutën e Pushteteve të Luftës”. Kjo rezolutë kufizonte rrethanat, në të cilat Presidenti mund të përdorte forcën ushtarake pa miratimin e Kongresit ose atë që Demokratët e quanin “presidenca imperiale e Richard Nixon-it.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura