Ambasadori i Melkizedekut dhe Republika e Bananeve

Dec 24, 2015 | 14:19
SHPËRNDAJE

ILIR KULLA_2ILIR KULLA

Duke lexuar Veton Surroin tek “Ambasadori i Melkizedekut”, ka një pasazh jashtëzakonisht të bukur kur tregon se si bëhet njohja në letër e Republikës së panjohur të Kosovës, atëherë në fillim të viteve ’90, nga shteti i panjohur i Melkizedekut, i cili ishte teorikisht një shtet diku në Oqeanin Paqësor dhe në fakt ishte vetëm një zyrë lobingu diku në Manhatan.

Nga kjo zyrë u nis një njohje shtetërore për një shtet që nuk ekzistonte nga një shtet që ekzistonte vetëm në letër, të cilët, gjithnjë sipas letrave, shkëmbyen edhe njohjen në nivel ambasadorësh. As në filmat e viteve ‘60 me Toto de Curtis dhe Alberto Sordin nuk kanë ekzistuar fantazi të tilla, të cilat realisht kanë ndodhur në republikat tona ballkanike të bananeve të pas viteve ‘90.

Kjo histori vjen në kujtesë këto ditë kur dëgjon me zë dhe figurë ambasadorë që e quajnë veten guvernatorë dhe kur lexon të gjithë ish-drejtuesit e një Fondacioni që, në formë sekti të mirëfilltë fetar, ka marrë në dorë një pjesë të shtetit në Shqipëri dhe manipulon opinionin publik, për çështje të rëndësishme të jetës dhe demokracisë në Shqipëri, në emër gjoja politikës zyrtare të SHBA-ve.

Kjo ishte ajo çka reflektova duke lexuar një blog në “Hufington Post”, të shitur për artikull në mediat shqiptare, nga ishdrejtuesi i Fondacionit SOROS në Shqipëri. Çështja është një nga reformat më të rëndë- sishme të jetës demokratike në Shqipëri, asaj të Drejtësisë. Ka një precedent shumë të keq në Shqipëri, sa herë politika ka bërë pazar në kurriz të demokracisë, aq herë ambasadorët perëndimorë kanë rendur për të treguar se puna e tyre ka dhënë rezultat në një vend të vështirë ku palët nuk flasin me njëra-tjetrën. Mjaftojnë tre shembuj për ta ilustruar këtë të vërtetë.

Në ‘93-’94, gati të gjithë ambasadorët perëndimorë në Tiranë, në emër gjoja të antikomunizmit, i shkelën syrin dhe aprovuan burgosjen e liderit të atëhershëm të opozitës. E njëjta gjë ndodhi me manipulimin dhe dhunën e zgjedhjeve të vitit 1996. Në 1997-n ata ambasadorë nuk ishin më, kishin ndryshuar dhe dënonin ata që shumë pak kohë më parë ishin mbrojtur nga kolegët e tyre, ndërkohë Shqipëria po digjej dhe nuk rrezikohej më vetëm demokracia, po vetë shteti.

Në 2008-n, kur u ndryshua Kushtetuta brenda natës, ndodhi i njëjti fenomen: ambasadorët lokalë përshëndetën dhe mbështetën marrëveshjen paçka se ishte në kurriz të Demokracisë dhe pak kohë më vonë kolegët e tyre që i zëvendësuan filluan publikisht të akuzonin atë marrëveshje se kishte rrënuar shtetin dhe demokracinë.

E njëjta gjë ndodhi me ngjarjen e dhimbshme të 21 janarit 2011. Pyetja retorike tani është: A ka ndryshuar politika e këtyre shteteve konkretisht anëtare të BE-së dhe SHBA, apo kanë ndryshuar vetëm ambasadorët? Kur më shumë se 10 vjet më parë drejtoja Komitetin Shtetëror për Kultet në Qeverinë e atëhershme, pata një përplasje të fortë me një zonjë ambasadore, e cila në atë kohë ishte shumë e pushtetshme.

Zonja në fjalë kishte ndërhyrë pranë institucionit që të ndërpriteshin hetimet e autoriteteve ligjzbatuese të kohës për një organizatë fetare, e cila dyshohej se fshihej pas disa vetëvrasjesh edhe fëmijësh, pasi drejtuesi i këtij institucioni ishte shtetas i vendit të saj. Biseda u acarua aq shumë, sa në fund u detyrova t’i shpjegoja zonjës se nëse fliste si përfaqësuese e atij sekti, biseda mes nesh ishte mbyllur, nëse fliste në emër të politikës zyrtare të shtetit të vet, atëherë le t’i drejtohej për shqetësimin Ministrisë së Jashtme dhe Kryeministrit Nano.

Për çudinë time, zonja u zbut dhe më tha: Ju lutem më mirëkuptoni, nuk erdha këtu të grindemi, por të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për mua që duhet të mbroj një shtetas timin dhe ju që duhet të zbatoni ligjet në fuqi. Kjo ngjarje m’u kujtua këto ditë kur dy ambasadorët e huaj më të rëndësishëm në Shqipëri, i flisnin publikut si guvernatorë për një çështje shumë të rëndësishme të vendit: Reformën në Drejtësi.

Dhe nuk e kuptova nëse flasin në emër të politikes zyrtare, apo sektare. Është bërë zakon në Shqipëri që sa herë dikush ka një axhendë personale, apo biznesi, apo sektare, përdor emrin e SHBA-ve dhe të BE-së si pa teklif, pasi e konsideron Shqipërinë republikë bananesh. Fatkeqësisht, kohët e fundit, kjo është shpesh e vërtetë.

Por ka një ngjarje që ka ndodhur dy vite më parë në Shqipëri, në të cilën u pa qartë se cila ishte axhenda zyrtare e SHBA-ve, cila ishte axhenda personale e disa grupeve biznesi dhe cila ishte axhenda e disa grupeve sektare lobisto-ekonomike dhe kjo ishte historia e ashtuquajtur e armëve kimike.

Në atë kohë u pa qartë se kush ishin antiamerikanët e vërtetë në Shqipëri, kush ishin proamerikanët e vërtetë në politikë dhe media dhe kush ishin grupimet mediatiko-civile, të cilat manipuluan opinion publik me antiamerikanizmin më të ngarkuar që nga koha e Enver Hoxhës. Besoj se ambasadorin amerikan të sotshëm duhet ta kenë informuar për atë histori dhe nëse nuk e kanë informuar, mirë do ishte të informohej për të kuptuar se nga kush po manipulohet sot në të ashtuquajturën Reformë në Drejtësi. Reforma në Drejtësi duhet dhe duhet shumë, por para Reformës në Drejtësi ne na duhet reforma në politikë, për të shpëtuar Demokracinë në këtë vend.

Para 40 vjetësh, kur Enver Hoxha manipuloi opinionin publik pse duhej shkatërruar jeta fetare në vend dhe burgosi e vrau klerikët e kohës, pati një problem me ish-kryepeshkopin e parë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Visarjon Xhuvanin, për shkak të rolit që ai kishte pasur në historinë e Kishës, por edhe të emrit të familjes së madhe elbasanase që ai përfaqësonte, ndaj zgjodhi ta denigronte publikisht si të çmendur, derisa vdiq si lypsar rrugëve të Elbasanit.

Kjo është edhe taktika e sotme terroristo-mediatike për të denigruar ata që i kundërvihen sistemit. Shqipëria është e korruptuar, ashtu siç është edhe sistemi i Drejtësisë. Por për të mbrojtur Shqipërinë sot, duhet të shpëtojmë demokracinë, dhe që ta shpëtojmë demokracinë në një shtet ligjor, atë duhet ta pavarësojmë nga politika dhe jo ta varim një herë e përgjithmonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura